Ambasadorja e Suedisë në vendin tonë, Elsa Hasted, ditën e sotme ka zhvilluar një takim me kryeministrin Edi Rama, ku i ka kërkuar atij votën për në NATO.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada suedeze bën me dije se ambasadorja gjatë takimit ka informuar kryeministrin për aplikimin e Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO.
“Ky është një moment historik. Takim me kryeministrin Edi Rama, duke informuar për vendimin e Suedisë 🇸🇪 për dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në NATO. Faleminderit Kryeministër për takimin shumë të mirë dhe mbështetës!”, shkruhet në njoftimin e ambasadës.
Më herët qeveria suedeze ka bërë me dije se Suedia ka vendosur që të aplikojë për anëtarësimin në NATO.
“Vlerësimi i qeverisë është se anëtarësimi në NATO është mënyra më e mirë për të mbrojtur sigurinë e Suedisë në dritën e mjedisit të ndryshuar thelbësisht të sigurisë pas pushtimit rus të Ukrainës”, thuhet në deklaratë.
Ky vendim sipas tyre është bazuar në një “analizë sigurie” në të cilën qeveria ftoi “partitë e tjera të parlamentit të marrin pjesë”.
Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson tha se Suedia duhet të bashkohet me NATO-n së bashku me Finlandën fqinje për “të garantuar sigurinë e popullit suedez”.




