Enveri vjen me leje nga varri

0
1244
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Shkruar nga: Ermal Mulosmani

Sipas disa rregullave të panjohura për botën tonë tokësore, në mbretërinë e përjetshme ku do të shkojmë, të vdekurit kanë të drejtë që një herë në 30-40 vjet të mbërrijnë përmes rrugëve hyjnore në këtë botën tonë të thjeshtë e të marrin informacione se çfarë ndodh me ne. Thonë që fantazmat e tyre vijnë e bëjnë dokumentarë për ndodhitë tona qesharake që transmetohen në prime time në Televizionet më të njohura të botës së përtejme.

Shoku Enver kishte parë një ditë një dokumentar të tillë ku flitej gjerë e gjatë për nostalgjinë që shqipot kanë për kohën e tij dhe ishte përlotur shumë. I kishte treguar edhe Nexhmija kur mbërriti që kanë ndryshuar kohët por si besohej.

Kërkoi leje te Hadesi, Perëndia e Vdekjes, zoti absolut i nëntokës: “Kam sunduar një vend të vogël dikur, me të njëjtat ligjësi siç na sundon edhe ti këtu. Doja të shihja se ç’bëhet se më kanë thënë se i ka marrë malli për mua megjithëse nuk lashë gjë pa u bërë”.

Hadesi mori informacion nga kasnecët e tij të botës së varreve dhe u informua se ushtar Enveri është nga më të bindurit e ligjeve të errëta, një zbatues fanatik i doktrinës së tij. I dha leje 3 orë të merrte informacion si dhe të drejtën e inkarnacionit të shpirtit të tij në trupin e një mbitokësori në rast se do ta shikonte të arsyeshme.

Kështu, fantazma e Enverit mbërriti në trojet tona një natë pa hënë, me shi e bubullima, pak pas mesnate, në Pallatin e Brigadave. Nga pala e mbitokësorëve ishte caktuar Gramoz Ruçi si pjesëmarrës në bisedime.

Gramozi: “Mirë se na erdhe shoku Enver! Kam një emocion të jashtëzakonshëm, të paprovuar kurrë në jetën time. Mbaj mend kur më caktove Sekretar të Parë të Tepelenës kur isha 27 vjeçar, çunak. I shërbeva me mish e me shpirt Partisë, vrava, preva, dënova pa kompromis me qindra shkelës të vijës tuaj. Foton tënde nuk e hoqa nga xhepi as atëherë kur kundërshatrët më detyruan të arratisesha i veshur si grua në Greqi. Ka një ngazëllim të paparë nga gjithë Partia jonë për vizitën tuaj. Janë mbledhur të gjithë e po presin porositë e tua.”

Enveri: “Qetësohu Gramoz, qetësohu. Lufta e kllasave si ka shkuar”

Gramozi: “Kemi shpikur një luftë të re kllasash shoku Enver. Armiqtë i lëmë të flasim sa të duan. Ka dalë edhe një metodë e re, quhet Facebook. Aty, ata shkruajnë ne mbajmë shënime. Kemi me mijëra patronazhistë, kudo, në çdo cep të Atdheut që mbajnë shënime. Këta tipat i lëmë pa punë, u nxijmë jetën me kontrolle shtetërore, tatime, taksa derisa marrin arratinë. Hapja e kufinjve paska qenë melhem shoku Enver, gjysma e tyre ikin në emigracion, gjysma tjetër vuan për bukën e gojës këtu. Lëpirësat tanë që shkruajnë nuk kanë të paguar. Gjithjë ditën i bien opozitës, dmth atyre që nuk kanë kurrfarë pushteti. Televizionet i kemi tonat, analistët gjithashtu. Pronat, tokat, hotelet, licensat, bregdetin, tregtinë të gjitha i kemi ne. Kemi gjetë një udhëheqës pehlivan, djalin e shokut Kristaq. Eh, ç’vete me të more shoku Enver! Nuk të ka lënë gjë mangut…

Enveri: “Po thonë që kjo bota juaj demokratike ka edhe Opozitë, po ata ç’bëjnë, si durojnë?

Gramozi: “Ehh, po aty e filluam punën të parët. Patëm fat në fillim se gjetëm Kryetar një tip spitullaq që të ngjan ty në pamje por nuk ka lidhje me ty në asgjë. Këtij tipit i kemi gjetë anën dhe ia bëjmë qejfin. Kemi 8 vjet që e mbajmë aty dhe tani do e mbajmë edhe 8 të tjera. Të thashë që është usta ky djali I Kristaqit…”

Enveri: “Po nga të mitë kanë mbetë ndonjë”?

Gramozi ngrihet në këmbë me grushtin lart: “Po të gjithë tutë jemi o shoku Enver! E di kush ishin më të votuarit? Unë në Fier, hetuesi më i egër i Krujës është më i votuari i Tiranës ndërsa një fatos i përzgjedhur të këndonte këngët e tua në kohët e lavdishme, Taulanti, është më i votuari i Shqipërisë. Praktikisht ne jemi njerëzit më të rëndësishëm të Shqipërisë. Ja të them edhe një të fundit. E di kush e bëri Reformën në Drejtësi shoku Enver? Katër hetuesit e njohur të kohës suaj. I pari ka arrestuar dhe internuar pse dikush qeshi në kohën e vdekjes tënde. E rrihte vetë, me tel, të arrestuarin… Fatmir e quajnë, Fatmir Xhafa, të sillte lule në tribunë dikur. Pastaj është një korcar, Ardian Dvorani. Shefi i madh i Prokurorisë është një ish hetues shkodran i kohës sonë të lavdishme….

Enveri: “Po Amerika nuk thotë gjë fare kështu”

Gramozi: “Ah more shoku Enver, po këtu është gjithë sekreti. Amerika është aleati kryesor i yni në këtë luftë. Ky pelivani ynë e ka bërë për vete. Shih ç’bëhet për shembull. Ne vjedhim zgjedhjet Amerika godet Opozitën. Këta hetuesit e kohës suaj i ka dekoruar “Heronj të Demokracisë”. Lakejtë janë aty për të shpjeguar që fajin e ka Opozita…. Ehhh ç vete more shoku Enver, kam mbetur edhe vetë pa gojë. Kjo demokracia paska qenë shpëtim. Ky pehlivani ynë u jep dajak e nuk i lë të bërtasin nga dhimbja. Plus që i tall shoku Enver, i tall shumë, i tall të gjithë. Rri gjithë ditën në Televizion e i poshtëron të gjithë”.

Ata e duartrokasin për poshtërimin…

Shokut Enver i thahet goja. Mundësia e inkarnacionit të shpirtit të tij në një trup tokësori shqiptar iu duk e kotë. Ky pelivani i Kristaqit qenka 100 herë më i zoti. Vendosi të futet para kohe në mbretërinë e tij të Hadesit.

Burimi:Thashetheme nga Kupola TNK
11 qershor 2021

Zjarr Tv Ad