Etilda Gjonaj: Nuk do të jeni të vetëm në kapërcimin e këtyre sfidave të mëdha.

0
190
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Fjala e ministres së Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj në mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve që do të zgjedhin sot anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

E nderuar zonja Prokurore e Përgjithshme,

Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik,

Të nderuar prokurorë

Jam e nderuar, që në respektim të së drejtës që ligji me njeh, të jem e pranishme në këtë mbledhje të përgjithshme të prokurorëve dhe t’ju drejtohem me këtë fjalë përshëndetëse.

Sot, është një ditë vërtetë e veçantë për sistemin e ri të drejtësisë! Është një tjetër hap shumë i rëndësishëm në rrugëtimin e reformimit të sistemit të drejtësisë.

Një faqe e re po hapet sot për drejtësinë penale në Shqipëri. Një hap para tejet i rëndësishëm po konkretizohet në jetësimin e reformës historike për reformimin e drejtësisë shqiptare.

Reforma në drejtësi është jetike për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Është jetike për shqiptarët në rikthimin e besimit të tyre ndaj sistemit, te drejtësia në shërbim të tyre.

Formimi dhe përvoja personale në karrierën time profesionale edhe si juriste më ka bërë të kem një kontakt të përhershëm me insituticionin tuaj. Jam e vetëdijshme për vështirësitë e mëdha me të cilat jeni përballur gjithë këto vite si nga aspekti i drejtimit të institucionit, problematikave me qëndrueshmërinë dhe promovimin në karrierë, kushtet e punës njëkohësisht edhe të shpërblimit por edhe në raportet e ndryshme institucionale.

Respekt të veçantë për ju që keni ditur t’i përballoni me sukses këto sfida dhe veçanërisht për të gjithë ata ndër ju që në vite kanë mbështetur nevojën për reformimin e sistemit dhe kanë kontribuar aktivisht për reformën historike të sistemit të drejtësisë.

Një falenderim për Prokuroren e Përgjithshme, për lidershipin e treguar në këtë periudhë tranzitore aspak të lehtë. Reforma është thelbësore për transformimin e gjithë sistemit të drejtësisë dhe veçanërisht për sistemin e drejtësisë penale dhe për vetë institucionin e prokurorisë. Pavarësia vendimmarëse e prokurorëve, barazia e tyre në status me gjyqtarët, garancia për qëndrueshmëri në detyrë dhe promovimin në karrierë, ndarjen përfundimisht nga ndikimi politik dhe një sërë elementësh të tjerë janë risi thelbësore që reforma sjell për prokurorinë shqiptare.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka një rol kyç në gjithë këtë proçes. Një insituticion që për herë të parë do të ngrihet për sistemin e prokurorisë me një rol shumë të rëndësishëm për pavarësinë, mirëfunksionimin dhe efikasitetin e prokurorisë, si dhe për karrierën dhe promovimin e prokurorëve.

Ndaj është shumë i rëndësishëm ky proçes votimi sot. Është përgjegjësia juaj që përmes një proçesi transparent dhe legjitim të zgjidhni anëtarët tuaj për KLP, duke treguar njëherësh edhe vendosmërinë tuaj në reformimin e mëtejshëm të sistemit.

Sot, ju, nëpërmjet votës suaj, garantoni ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë me kolegët tuaj më të mirë, të cilët i janë nënshtruar me shumë sukses proçesit të vetingut, proçes i cili po ecën përpara me shumë sukses por që ka ende nevojë për t’u përmirësuar për të qënë edhe më shumë i drejtë dhe i barabartë në vlerësimin përkatës ndaj prokurorëve e gjyqtarëve në zbatim të drejtë të kushtetutës e ligjit.

Më lejoni që të përgëzoj të gjithë kandidatët që konkurrojnë sot për të qenë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Jo vetëm që ju kaluat me sukses proçesin e vështirë të vetingut, por ju përgëzoj për gatishmërinë dhe sakrificën që ju po bëni, duke shprehur kështu edhe vizionin për të përballuar sfidat e mëdha me të cilat do të ndeshet KLP me ngritjen e tij.

Anëtarët e zgjedhur të KLP, do të duhet të garantojnë zbatimin e drejtë e të ndershëm të rregullave që garantojnë karrierën dhe statusin e prokurorëve dhe të zgjedhin më të mirët dhe më të zotët në funksionet e reja drejtuese në të gjitha nivelet e prokurorisë si dhe të Prokurorisë së Posaçme, e cila, do të garantojë një luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Unë jam sot këtu, për t’ju deklaruar që nuk do të jeni të vetëm në kapërcimin e këtyre sfidave të mëdha.

Qeveria, Ministria e Drejtësisë dhe unë personalisht në cilësinë e ministres jemi plotësisht të vendosur të vazhdojmë të gjithë angazhimin tonë ekzekutiv për të garantuar zbatimin e reformës në drejtësi për interes të qytetarit, në interes të pasjes së një sistemi drejtësie penale funksionale dhe eficente.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, ne në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe aktorët vendas kemi punuar që mbështetja logjistike edhe financiare për proçesin e jetësimit të reformës në drejtësi të jetë i plotë si në aspektin e infrastrukturës, ashtu edhe në aspektin e trajtimit financiar të gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të tjerë të sistemit të drejtësisë.

Duke filluar nga muaji tjetër, hyn në fuqi sistemi i ri i pagave dhe trajtimit financiar për gjyqtarët dhe prokurorët, duke sjellë kështu të paktën dyfishimin e pagave tuaja si dhe duke rritur garancitë dhe përfitimet e tjera financiare.

Gjithashtu, me kënaqësi ju bëj me dije që Këshilli i Lartë i Prokurorisë, së bashku me Këshillin e Lartë Gjyqësor ka tashmë në dispozicion edhe godinën e re ku do të ushtrojnë aktivitetin këto institucione të reja.

Bashkarisht ne do të krijojmë një kulturë të re bashkëpunimi me institucionet e reja të sistemit duke vlerësuar parimin e ndarjes së pushteteve por njëkohësisht edhe bashkëpunimin shumë më aktiv me agjensitë ligjzbatuese të ekzekutivit në funksion të realizimit të drejtësisë dhe veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Unë jam shpresëplotë që ju përmes votës tuaj do të synoni të zgjidhni në Këshillin e Lartë të Prokurorisë më të mirët prej kandidatëve që konkurojnë duke dhënë kështu kontributin tuaj të drejtëpërdrejtë për të nesërmen e institucionit tuaj, për të nesërmen më të mirë të drejtësisë penale për ndryshimin e besimit të qytetarëve të ju, te shërbimi dhe përkushtimi juaj ndaj drejtësisë, në luftën kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar e korrupsionit në veçanti.

Në përfundim, duke ju shprehur vlerësimin, mbështetjen dhe gatishmërinë time për t’ju gjendur pranë çdo prokurori në luftën kundër kriminalitetit në Shqipëri, ju uroj punime të mbara të kësaj mbledhje.

Faleminderit!

Zjarr Tv Ad