Festë me familjarët dhe fëmijët e policëve të rënë në detyrë

0
144
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Policia e Shtetit zhvilloi një aktivitet festiv, me rastin e festave të fundvitit, me fëmijët dhe familjarët e punonjësve të Policisë të rënë në krye  për shkak të detyrës.

Në aktivitet ishin të pranishëm Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, drejtues të lartë të PSH e përfaqësues nga donatorët.

Ministri Sandër Lleshaj vlerësoi veprën e dëshmorëve të Policisë, duke theksuar se Policia e Shtetit është e vetmja organizatë që është goditur më rëndë në kryerjen e detyrës. Ai premtoi mbështetje dhe vemendje, edhe në emër të Qeverisë për ta.

Drejtori Veliu u shpreh se fëmijët dhe familjarët e dëshmorëve të Polciisë janë pjesë e pandarë e familjes së madhe të Policisë së Shtetit dhe dera e Policisë do jetë përherë e hapur për ta.

Në përfundim të aktivitetit festiv, fëmijëve iu shpërndanë dhurata si dhe vlera monetare të grumbulluara nga donacionet e kampanive private e bankave te nivelit të dytë, por edhe nga vetë punonjësit e Policisë së Shtetit.

Fjala e Drejtorit Veliu: 

I nderuar Ministër
Të dashur fëmijë dhe familjarë të kolegëve tanë të rënë në krye të detyrës,
Të nderuar pjesëmarrës,
Të jesh sot mes jush, për të festuar së bashku Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, është privilegj, kënaqësi dhe përgjegjësi. Sot ju jeni mes familjes tuaj të madhe, Policisë së Shtetit, mes kësaj familjeje për të cilën njerëzit tuaj më të dashur, dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën dhe për këtë ju duhet të ndiheni krenarë. Ky është shpirti i vërtetë i festave. Ndaj dhe jemi këtu të gjithë së bashku, për të festuar si një familje e madhe, pasi ju jeni pjesë e rëndësishme e familjes tonë, pjesë e pandarë e familjes së madhe të Policisë së Shtetit.

Festat janë pastrimi i shpirtit, ripërtëritje e vlerave dhe traditës, por edhe bilanc dhe nxjerrje përgjegjësish se çfarë kemi bërë mirë e ç’duhet të bëjmë akoma më mirë, për ju në radhë të parë dhe të gjithë shoqërinë. Jam shumë i lumtur t’ju shoh më të rritur, më të maturuar. Jam i sigurt që keni punuar fort për të qenë nxënës të mirë dhe për të arritur rezultate të larta në shkollë. Jam i sigurt se i keni bërë krenarë të gjithë: nënat, gjyshërit, motrat dhe vëllezërit tuaj. Nga viti në vit shumë prej jush janë bërë pjesë e Policisë duke shërbyer me ndershmëri e përkushtim. Dera e Policisë së Shtetit do jetë përherë e hapur për ju.

Së fundi, dua të falënderoj të gjithë kontribuesit për këtë aktivitet: “ABI Bank”, “INTESA SANPAOLO”, Kompaninë “SIVIG”, “COCA COLA”, “BALFIN GRUP”, punonjësit ë Policisë së Shtetit. “ABI Bank”, e cila ka një projekt ambicioz për familjet e punonjësve të Policisë të rënë në krye të detyrës, po ashtu dhe kompaninë “SIVIG” e cila do të ofrojë karta shëndeti. Me dëshirën që ky vit të jetë një vit plot mirësi dhe dashuri për të gjithë ju, me lejoni që në emër të të gjithë punonjësve të Policisë t’ju uroj: Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2019! Shumë suksese mbarësi dhe lumturi në familjet tuaja! Gëzuar!

Përshëndetja dhe urimi i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj:

Të dashur fëmijë,
të dashur familjarë të punonjësve të Policisë që kanë rënë në krye të detyrës!

Për mua është një ndjenjë e dyfishtë që jam sot këtu mes jush, së pari kam gëzim për arsye se bëhem pjesë e kësaj familje, që e përmendi mirë Drejtori i Përgjithshëm, kësaj familje sonë të madhe të Policisë së Shtetit. Sigurisht që kam edhe një ndjenjë tjetër, e cila më rëndon kur shoh se sa shumë jemi këtu.

E mira do të ishte të ishim pak ose aspak, por gjithësesi, ne jemi në këto kushte, dhe sot nuk jemi për t’u marrë me madhësinë e grupit, por jemi për tu marrë me të ardhmen tonë, sidomos me të ardhmen e këtyre fëmijëve për të cilët ne të gjithë, politika, drejtuesit e Policisë së Shtetit duhet të ndjejmë përgjegjësinë prindërore ndaj gjithë këtyre fëmijëve që sot gjenden në këtë sallë apo të tjerë që nuk kanë pasur mundësinë të bashkohen me ne në këtë ditë. Prania juaj është edhe tregues i faktit që Policia e Shtetit është ajo organizatë që i ka dhënë Shqipërisë më shumë se kushdo tjetër në këto vite të tranzicionit. Në këto vitet e tranzicionit, kontributi i Policisë ka qenë i jashtëzakonshëm dhe ju jeni dëshmia e gjallë e këtij kontributi dhe e kësaj sakrifice të paçmuar që është dhënë për Shqipërinë, për sigurinë, për qetësinë e gjithsecilit qytetar të këtij vendi.

Unë dua t’ju shpreh falenderimet më të thella, të gjithë familjeve të policëve, të punonjësve të Policisë të rënë në krye të detyrës, të shpreh përuljen e thellë të gjithë strukturave të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme, të Shtetit shqiptar ndaj sakrificës së më të dashurve tuaj, dhe njëkohësisht të shpreh angazhimin tim personal, të Ministrisë së Brendshme, të Qeverisë shqiptare, dhe strukturave të tjera, për të vijuar edhe më tej përkujdesjen serioze ndaj të gjithë familjarëve të policëve të rënë në krye të detyrës.

Unë e di që është bërë shumë, por e di që është shumë e shumë më tepër për t’u bërë. Dhe jam i bindur që edhe mundësitë për të bërë më shumë ekzistojnë. Me këtë rast shpreh angazhimin tim personal dhe të strukturës që drejtoj për t’u marrë seriozisht me të gjitha problemet që kanë të bëjnë me familjet tuaja, së pari, me fëmijët, të cilët duhet të gjejnë tek Policia e Shtetit, tek Shteti shqiptar në tërësi, familjen e tyre të madhe, të gjejnë përkujdesjen e vërtetë. Ne duhet ta marrim përsipër të kryejmë rolin e prindit që u mungon këtyre fëmijëve në kuptimin e përkujdesjes. Unë besoj fort që ne do të gjejmë rrugë dhe mekanizma për të bërë shumë më tepër.

Gjej rastin t’i falenderoj publikisht të gjitha ato subjekte, të cilat kanë shoqëruar prej kohësh fatin e secilit prej jush dhe që do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, ta shoqërojnë me projekte konkrete.

Falenderoj “Abi Bank” që sot është e pranishme si sponsor i parë në këtë aktivitet, por edhe për faktin e ambicjes së Bankës për të zhvilluar projekte serioze për mbështetjen e fëmijëve. Unë ju uroj gëzuar sidomos fëmijëve. Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri!

 

Zjarr Tv Ad