GJKKO e dënoi me 1.6 vite burg për dëmin 234 milionë lekë, lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i PS

0
40
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci, i cili u dënua me 1.6 vite burg nga GJKKO për shpërdorim detyre, është liruar nga qelia.

Ish-kryebashkiaku socialist ka shlyer dënimin me kohën e qëndrimit në paraburgim. Fran Truci përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi iu ul në 1 vit burgim.

Gjithashtu togat e zeza i kanë hequr të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Fran Tuci dhe ish-Administratorin e Njësisë Administrative Iballë, Ndoc Marku kanë rënë në pranga më 13 korrik 2023 dhe ndaj tyre u ngrit akuza ‘shpërdorim i detyrës’.

Ndërkohë, biznesmeni Margjeka është ende në kërkim për akuzën ‘ndërtim i paligjshëm’, pasi nuk është gjetur për ekzekutimin e masës detyrim paraqitje, me akuzën se ka kryer punimet në terren me mjete të rënda.

Dëmi 234 milionë lekë

Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se në territorin e Bashkisë Fushë Arrëz, në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi, është hapur segmenti i ri rrugor rreth 1.8 km dhe gjerësi rreth 5 m, i cili ka cenuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të kësaj Bashkie si edhe ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi pyjor.

Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit në terren, kap vlerën e konsiderueshme të 234,007,500 lekë, i cili përfshin dëmtimin e terrenit si edhe shpyllëzimin e sipërfaqes se regjistruar pranë ASHK, Drejtoria Vendore Pukë, si pasuri të llojit “Pyll” në pronësi të Bashkisë Fushë-Arrëz.

“Nga analiza e provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak, rezulton se është e provuar që të pandehurit Fran Tuci dhe Ndoc Marku, në bashkëpunim mes tyre, me veprime dhe mosveprime të kundërligjshme të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë dëmtimin e rëndë (vlerësuar në 234,007,500 lekë) të pasurisë së llojit “fond pyjor” dhe terrenit përkatës, regjistruar në zyrën kadastrale në emër të Bashkisë Fushë Arrëz”, njoftoi SPAK.

Ngjarja, sipas SPAK, ka ndodhur për shkak të veprimeve dhe mosveprimeve të ish-titullarit të Bashkisë Fushë Arrëz, Fran Tuci dhe Ndoc Marku, të cilët kanë lejuar hapjen e një segmenti të ri rrugor auto rural, të pamiratuar më parë nga autoritetet kompetente.

Ndërsa biznesmeni Durim Margjekaj, raporton SPAK, në cilësinë e administratorit të firmës “Legjendari” sh.p.k. me dashje të plotë dhe të drejtpërdrejtë ka kryer punime ndërtimi infrastrukture pa lejen përkatëse duke sjellë pasoja të rënda në pasurinë e llojit “fond pyjor” në pronësi të bashkisë Fushë Arrëz.

Zjarr Tv Ad