Gjyqi për protestat është presion politik, Balliu: Drejtësia ka ikur në drejtim të paditur

0
18

Ka nisur me shtyrje procesi gjyqësor ndaj ish-deputetit të PD-së Klevis Balliu për protestat e banorëve të Unazës së Re dhe përplasjet me policinë.

Në një prononcim për mediat pas daljes nga Gjykata, Balliu tha se ky është një presion politik dhe se drejtësa nuk funksionon. Ai tha se çështje të tjera, kallëzimin e një prej të cilave e ka depozituar vetë në Prokurori nuk hetohen duke hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Madje në këtë rast ai përmendi dhe prokuroren Elisabeta Imeraj, duke pyetur se përse shtëpia e saj nuk preket nga projekti i Unazës së Re.

“Në rastin konkret kemi një mbështetje që është mbështetja e qytetarëve, e sovranit të vendit, ndaj këto presione nuk funksionojnë. Ju them qytetarëve të hapin sytë e të shohin çfarë po ndodh. Janë 100 çështje në Gjykata për qytetarë.
Nëpër gjykata nuk i sjell ligji, kushtetuta por Edi Rama me urdhra politikë dhe me asgjë tjetër. Prokuroria nuk e di për çfarë akuzon. Fillimisht thanë se kam thyer krahun e një polici, tani polici me gjithë krahun kanë ikur në drejtim të paditur. Pse nuk funksionon ligji për dhunën makabre të banorëve të Bregut të Lumit, ku shefi i policisë u filmua në mënyrë flagrante duke gjuajtur një vajzë 9-vjeçare me shpullë? Pse nuk funksionon ligji për 40 mln euro të Unazës së Re? Sepse këtu nuk ka drejtësi, drejtësia ka ikur në drejtim të paditur. E ka zhdukur Edvin Kristaq Rama me Erion Veliajn”, deklaroi Balliu.

I pyetur se përse u shty seanca, Balliu tha se bëhet vetëm për lojëra, për presion. “Njoftojnë 3 persona, nuk njoftojnë të katërtin, z.Elton Skënderi, pavarësisht se ishte bashkë me ne. Këto gjyqe po shfrytëzohen nga Edi Rama vetëm për presione politike. Doja t’i bëja thirrje qytetarëve shqiptarë, këtu po shkelen ligjet, Kushtetuta dhe të drejtat e njeriut. Edi Rama është zëdhënës, përfaqësues e partner i krimit të organizuar”, u shpreh Balliu.