Haradinaj i shpalos kushtet BE për heqjen e taksës ndaj Serbisë

0
24
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj paraqiti sot kushtet që duhet të plotësohen për heqjen e tarifave doganore ndaj mallrave serbe. Ai u ka dërguar një dokument Ambasadorëve të pesë vendeve kryesore perëndimore dhe përfaqësueses së Bashkimit Europian Federica Mogherini. Tërheqja e tij e pjesshme vjen pas presionit të fortë ndërkombëtar të ditëve të fundit për anulimin e tarifës për mallrat e Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, paraqiti të hënën  kushtet për heqjen e tarifave doganore ndaj mallrave serbe, ndërkohë që është vënë nën presion të fortë ndërkombëtar.

Në një njoftim, Kryeministri thekson se u ka dërguar një dokument Ambasadorëve të pesë vendeve kryesore perëndimore dhe përfaqësueses së Bashkimit Europian për Sigurinë dhe Politikën e Jashtme Federica Mogherini, në të cilin thekson se qeveria e tij do të pezullojë menjëherë tarifën në rast se plotësohen disa kushte.

Midis tyre, Haradinaj, thekson organizimin e një konference ndërkombëtare me qëllim të arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura ndërmjet dy vendeve, me zotimin se nuk do të ketë shkëmbim territoresh.

Konferenca, shkruan ai, duhet të fillojë sa më parë që është e mundur dhe duhet të përfundojë brenda 14 ditëve.

Haradinaj kërkon gjithashtu zotimin e ShBA-së dhe të BE-së që në Konferencë të deklarohet kundërshtimi për rishikimin e kufijve ekzistues.

Në dokument thuhet se “BE-ja duhet të japë zotime shtesë publike dhe të garantojë se: do të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës para fillimit të Konferencës”.

Kreu i qeverisë së Kosovës kërkon gjithashtu që Serbia të heqë gjitha barrierat jo-tarifore ndaj lëvizjes së mallrave nga Kosova.

Nga Serbia, kreu i qeverisë kosovare kërkon që presidenti, kryeministri ose ministri i Punëve të Jashtme të konfirmojnë publikisht ndalimin e të gjithë veprimeve kundër aspiratave të Kosovës si shtet sovran.

Më herët të hënën, zëdhënësja e zyrës europiane për Politikat e Jashtme dhe Sigurinë, Maja Kocijançiç, deklaroi se marrëveshja finale mes Prishtinës dhe Beogradit kërkon shmangien e tensioneve nga vendet fqinje.

Deklaratat e saj u bënë një ditë përpara se ekipi negociator i Kosovës pritet të takohet me ndërmjetësuesen e BE-së, Federica Mogerini.

Zjarr Tv Ad