Haradinaj niset drejt Hagës: Të drejtën do ta mbroj me nder

0
12
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

 

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, është nisur drejt Hagës ku pritet të intervistohet për herë të tretë për rolin e tij si ish-komandant i UÇK-së në luftën e Kosovës.

Fluturimi i kreut të ekzekutivit u shty të martën për disa orë për shkak të vonesave.

Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj këmbënguli përpara nisjes se do të mbrojë me nder veprimet e tij kundër gjenocidit serb.

Ramush Haradinaj: “Luftëtarët e lirisë gjithmonë ishin të rreshtuar me të drejtën! Sot, si Ramush Haradinaj, qytetar i Republikës së Kosovës, i përgjigjem ftesës për intervistim nga Dhomat e Posaçme në Hagë. Tërësisht në të drejtën e Kosovës, i palëkundur për vendimet e mia jetësore dhe i patrazuar e ballëlartë.”

Në mesazhin për Serbinë, Haradinaj theksoi rëndësinë e dialogut, dhe vendosmërinë që vendi i tij të aplikojë tarifat penalizuese për aq kohë sa nuk garantohet njohja.

Ramush Haradinaj: “Kosova ka ecur përpara në rrugëtimin euro-atlantik dhe është më e fortë se kurrë, në rreshtin e paqes dhe miqësi të përhershme me ShBA-në. Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Por, tregun e japim vetëm për njohje. 

Me nder kam mbrojtur të drejtën tonë, dje, sot dhe do ta mbrojë gjithmonë.”

Në Kosovë, ndërkohë, grupimet parlamentare janë në pritje të qëndrimit zyrtar të presidentit Hashim Thaçi, për zgjedhjet e parakohshme në shtator.

Partitë njëzëri janë shprehur kundër një kabineti teknik, madje po bëjnë plane për koalicione parazgjedhore.

Ndërsa në Beograd, zhvillimet e befasishme në fqinjin jugor komentohen si konspiracion i mirëmenduar politik për ta bërë Haradinajt një figurë më të fortë politike.

“Largimi i Haradinajt është një lëvizje taktike për të eliminuar Thaçin dhe politikanët tjerë nga skena politike, që ai të rikthehet si viktimë nga Gjykata Speciale,”-deklaroi të martën kryediplomati i Serbisë, Ivica Daçiç.

Ministri apeloi komunitetin ndërkombëtar të rritë presionin mbi Prishtinën zyrtare që në muajin shtator dy palët të rinisin dialogun.

 

Zjarr Tv Ad