Humb jetën këngëtari i njohur, policia heton vendngjarjen

0
12

Këngëtar i grupit të njohur muzikor “The Cars”, Ric Ocasek, mësohet se ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare. Ky grup ka famën e tij më të madhe e ka patur në vitet ’80.

Sikurse ka konfirmuar sot Policia e Nju Jorkut për gazetën e njohur “Washinton Post”, të dielën pasdite zyrtarët i janë përgjigjur një telefonate emergjente. Po sipas policisë,  Ocasek u shpall i vdekur në vendin ku u gjet, ndërkohë që theksohet se në trupin e tij nuk kishte shenja të dhunës.

Ric Ocasek u gjet pa ndjenja në shtëpinë e tij në Manhattan rreth orës 16:00, nga ish-bashkëshortja e tij, ish-modelja Paulina Porizkova. Mediat e huaja shkruajnë se shkaku i vdekjes ende nuk është bërë i ditur.

Grupi “The Cars” ishte në majë të top-listave muzikore në fund të viteve ‘70 dhe gjatë viteve ‘80. Këngët e tyre më të famshme janë “Just What I needed”, “Shake it up” dhe “Good times roll and drive”.

Por në vitin 1988 grupi u nda dhe më pas këngëtari u përqendrua në zhvillimin e solo-karrierës. Ai i publikoi shtatë albume solo.

Ocasek, emri i vërtetë i të cilit ishte Richard Theodore Otcasek, është lindur dhe rritur në Baltimore. Ai filloi të merrej me muzikë pas studimeve në vitet ‘60, kur u takua me anëtarin tjetër të grupit, Benjamin Orr, më 1965.

Ai ishte i martuar tri herë. Ocasek u martua me gruan e tij të tretë, supermodelen Paulina Porizkova, në vitin 1984, me të cilën qëndroi në martesë për 28 vjet, para se të ndaheshin vitin e kaluar, shkruan “The Guardian”.