I quajti banorët k*rva, reagon kryebashkiaku i Divjakës: Isha në një moment të keq

0
538
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryetari i Bashkisë së Divjakës, Josif Gorrea, ka reaguar pas publikimit të videos ditën e djeshme ku ky i fundit dëgjohet teksa ofendonte banorët që protestonin ndaj mënyrës së trajtimit të mbetjeve urbane.

Për BIRN, Gorrea sqaroi se për disa probleme në Inceneratorin e Fierit e kanë pasur të pamundur që të shkarkojnë atje dy kamionë me plehra, që i kanë kthyer dhe derdhur në një venddepozitim të hershëm të mbetjeve urbane të njësisë vendore që ai drejton.

Kryebashkiaku i Divjakës tha se video është e regjistruar para 15 ditëve dhe në atë moment djegësi i Fierit ka pasur probleme, për këtë arsye mbetjet u shkarkuan në një vendgrumbullim ku hidheshin më herët në territorin e Bashkisë së Divjakës.

“Aty atë ditë janë hedhur dy kamionë më mbetje pasi ka pasur raste që djegësi i Fierit nuk ka punuar. Kishte probleme ato ditë dhe i shkarkuam aty dy kamionë dhe po i mbulonim.

Video ka 15 ditë që është bërë. Ata janë ish-punonjës të Bashkisë Divjakë. Ne shkuam dhe i mbuluam. Ajo është një pikë grumbullimi prej 15 vjetësh. Ajo situatë ka ndodhur për shkak të qefmbetjeve si pasojë e riorganizimit të organikës së bashkisë. Nuk janë banorë, por punonjës dhe ish-punonjës. Është prerja e fijeve të abuzimeve me detyrën, pasi rrinin kot”, tha Gorrea, duke thënë më tej se mbetjet kishin filluar t’i mbulonin menjëherë në vendgrumbullimin e vjetër.

Ai pranoi se kishte tejkaluar normalitetin lidhur me fjalorin e përdorur. “Edhe njeriu ka momente dhe ai ka qenë një moment i keq. Ndodhi pasi u provokua nga një punonjës bashkie që i ka hedhur mbetjet urbane atje për dhjetë vjet dhe merret tani me mua që kam rreth një muaj në drejtim të bashkisë. Unë me atë isha i nxehur se më ka provokuar dy tre herë më parë”, tha Gorrea.

Kujtojmë se ditën e djeshme, deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi publikoi një video regjistrim, të bërë nga banorët të cilët po protestonin lidhur me mbetjet.

Në videon e regjistruar banorët diskutonin nëpërmjet telefonit me kryetarin, Josif Gorrea, lidhur me mënyrën e trajtimit të mbetjeve urbane pranë banesave të tyre, mirëpo ky i fundit jo vetëm që nuk i dha zgjidhje për problemin e tyre, por edhe i ofendoi duke i quajtur ” k*rva”.

Zjarr Tv Ad