Kalifati është zhdukur, por Shteti Islamik ka një plan të ri

0
45
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Shërbimi sekret britanik MI5, vlerësoi kohët e fundit se 80 për qind e komploteve terroriste në Britaninë e Madhe vitin e kaluar, përfshinin individë që nuk kishte kontakte me komandën qendrore në Siri apo Irak.

Disa vite pas shpalljes së “kalifatit” të tij, kreu i Shtetit Islamik Abu Bakr Al-Baghdadi, u rishfaq në një video propagandistike. Këtë herë, në video nuk kishim predikimin e kalifit, por fjalimin e një të arratisuri që është në kërkim. Komentuesit, e vunë re menjëherë se sa kishte ndryshuar imazhi i tij nga hera e fundit ku ai shfaqej si zëvendësi i liderit të Al-Kaidës në Irak, Abu Musab Al-Zarkaui, disa javë para vdekjes së këtij të fundit, ulur mbi disa jastëkë në dysheme në një dhomë pa dritare, dhe me një armë në dorë. Kjo video e re, ishte e realizuar në mënyrë të kujdesshme.

Por Bagdadi jeton në një “flluskë” të vogël sigurie, me mbështetës për besnikërinë e të cilëve nuk mund të jetë i sigurt. Ai është si një kafshë në arrati në një mjedis armiqësor, që jeton në frikë se dikush mund ta tradhtojë, duke pranuar shpërblimin prej 25 milionë dollarësh të premtuar nga Shtetet e Bashkuara për kapjen e tij. Ai shpenzon shumë kohë, energji dhe burime, për të garantuar sigurinë e tij.

Transmetimi i videos më të fundit, edhe pse ajo jep pak indikacione sa i përket vendndodhjes së tij apo identitetit të atyre që e rrethojnë, është një rrezik që ai ka qenë i detyruar ta marrë përsipër. Ai e kishte mjaft të nevojshme të mobilizonte trupat e tij, duke pasur parasysh se strategjia gjithëpërfshirëse kundër ISIS, dëboi pjesë të mëdha të lëvizjes xhihadiste, kontribuoi në rrëzimin e të ashtuquajturit Kalifat, teksa edhe në Bagdad, ai është duke u sfiduar nga mbështetësit e tij të dikurshëm.

Nëse videoja e parë e Bagdadit, e tregonte atë si predikues gjithëpërfshirës për myslimanët në mbarë botën, kjo e fundit është pak më shumë sesa prova e jetës. Ai ngjan sikur të jetë vetë një peng i ISIS. Por përtej kësaj, video është e rëndësishme, pasi ofron të dhëna të tjera. Sulmet terroriste të muajit të kaluar në Sri Lanka, edhe pse pretendohet se janë organizuar nga ISIS, nuk u koordinuan nga lëvizja, por thjesht u kryen në emër të saj, me vetëm një lidhje të ngushtë me komandën e saj qendrore.

A do ta realizonte Bagdadi këtë video midis datave 10-19 prill, siç vlerësohet nga shërbimet e inteligjencës, nëse do ta kishte ditur se organizata e tij do të kishte sukses në kryerjen e sulmit më vdekjeprurës jashtë rajonit më 21 prill? Sri Lanka përmendet vetëm në një segment audio, të shtuar xhirimit të videos. Kjo konfirmon humbjen e dukshme të aftësisë së organizatës për të komplotuar dhe komanduar sulme të mëdha.

Aftësi e pakufizuar

Por për fat të keq, aftësia e saj për të frymëzuar mizori të tjera, për të ofruar udhëzime, financa dhe teknologji, dhe më e rëndësishmja marka e saj, mbetet e pakufizuar. Shërbimi sekret britanik MI5, vlerësoi kohët e fundit se 80 për qind e komploteve terroriste në Britaninë e Madhe vitin e kaluar, përfshinin individë që nuk kishte kontakte me komandën qendrore në Siri apo Irak. Paradoksi i humbjes së Kalifatit, është që edhe pse ai ka rënë, transformimi i ISIS në një markë globale, nuk është cenuar. Tani që ka humbur territorin e vet, ISIS po kthehet më shumë se kurrë në pjesën tjetër të botës. Video e Bagdadit, synoi të theksonte natyrën ndërkombëtare të luftës, dhe t’u bënte homazh luftëtarëve të huaj që kanë vdekur gjatë rrëzimit të kalifatit. Pra me rënien e Kalifatit, Perëndimi fitoi një betejë vendimtare. Por ne nuk e kemi fituar ende gjithë luftën. ISIS, mbetet i gjallë në mendjet e njerëzve. Fushata e tij propagandistike, që u zvogëlua shumë pas humbjeve në Mosul dhe pastaj në Raka, është sërish në rritje.

Viktima gjithnjë e më shumë

Veprimet e saj në provinca të ndryshme, nën flamurin e një operacioni global, “hakmarrje për Al-Sham”, po fillojnë të kushtojnë një numër gjithnjë e në rritje jetësh njerëzore. Protestat e kohëve të fundit në botën arabe, me rënien e diktatorëve në Algjeri dhe Sudan, do të jenë vendimtare për të ardhmen e Shtetit Islamik. ISIS, ishte një lëvizje e lindur nga rënia e regjimit të Sadam Huseinit në vitin 2003, dhe e ringjallur në pranverën arabe 2011. Bagdadi, ka shprehur mospëlqimin e tij ndaj këtyre kryengritjeve të fundit popullore. Është e sigurt se kjo lëvizje ekstremiste, do të përpiqet t’i pronësojë këto revolucione, ashtu siç bëri në vitin 2011. Është e një rëndësie jetike, tani që utopia territoriale mbi të cilën u ndërtua ISIS është zbehur, të dokumentohet efekti që kishte ajo mbi popullin e Sirisë dhe Irakut, të cilët u bënë pa dashjen e tyre pjesë e këtij projekti totalitar. ISIS e di këtë. Kjo është arsyeja pse në videot e kohëve të fundit, u ka bërë thirrje njerëzve që të vazhdojnë luftën në fshehtësi. Grupi e ka të domosdoshme të ruajë dëshirën e madhe për Kalifatin e tij, që sot nuk është më. Dhe ne duhet me merremi në kohë me këtë problem. Brezat e ardhshëm, nga Sinai në Somali, nga Mali në Filipine, nuk mund të ndikohet nga ky udhëtim nostalgjik fanatik, dhe të përfundojnë duke rënë pre e kurthit të ISIS. “The Guardian”

 

Zjarr Tv Ad