Kërcënimi ndaj prokurorëve, Balla: Qeni që leh nuk të kafshon

0
34
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka qenë i thirrur në mbledhjen e KLP-së, për të diskutuar rreth sigurisë së prokurorëve. Në takim kanë qenë, kreu i KLP-së, Alfred Balla, Ministri Balla, kreu i SPAK, Altin Dumani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku.

Balla tregon se ky nuk është takimi i parë për të diskutuar këtë tematikë me kreun e KLP-së. Megjithatë në këtë rast mbledhja është thërritur që të diskutohet shtimi i masave të sigurisë për prokuroret Merita Selimi dhe Doloreza Musabelliu. Për të dyja këto prokurore, u aludua se ishin në listën e zezë për t’u eliminuar nga banda e Laert Haxhisë. Këto të dhëna u zbuluan nga Artan Tafani, në rrëfimin e bërë prej tij te prokurori Kreshnik Ajazi.

Artan Tafani, zbuloi të gjitha krimet e kryera prej tij dhe anëtarëve të tjerë të bandës përgjatë viteve të shkuara, ku ndër to ishin gjashtë vrasje, shpërthime me eksploziv dhe ndër to, kanë qenë shënjestër dy prokuroret e sipërpërmendura.

Ministri Balla thotë se do të njoftohet dhe drejtuesi i Shërbimit Informativ Kombëtar.

Taulant Balla: Së pari jemi takuar sot, nuk është takimi i parë. Jemi takuar me kryetarin e KLP-së një muaj më parë pikërisht për këtë çështje. Kemi diskutuar për çështjen e sigurisë së prokurorëve. Dua t’ju garantoj çdo magjistrati, se ministria e brendshme, policia e shtetit, garda janë në detyrë për të mbrojtur sigurinë e tyre dhe populli shqiptar ka një shprehje të bukur, qentë që lehin nuk të hanë.

Falë prokurorisë, kemi arritur të thyejmë kasafortat e një bande kriminale dhe në vijim do të thyejmë dhe të tjera. Ajo që ka rëndësi për mua është që i kam njohur drejtuesit e lartë, mbi një qasje të re, me drejtorin e përgjithshëm dhe komandantin e gardës kemi diskutuar. Do të mblidhemi sërish pas një jave, për të garantuar që gjithçka të jetë si duhet. Kur bëhet fjalë për SPAK do të ketë një vëmendje më të shtuar. Se ligji na e ka dhënë këtë detyrë. Do të rrisim masat e sigurisë, që të bëjnë detyrën e tyre të pashqetësuar. Kur kishim miratimin e Reformës në Drejtësi, kemi thënë që kjo do të sjellë dhimbje. Do të njoftojmë dhe drejtuesin e SHIK-ut.

Zjarr Tv Ad