Në Itali këtë vit shënohet një numër i lartë shqiptarësh që kandidojnë në zgjedhjet lokale.
Në 3800 komuna, 150 bashkëkombës renditen në listat e partive që janë në garë.
Por po ashtu 50 milionë italianë janë thirrur dhe për të bërë zgjedhjen e tyre për parlamentin evropian, ku ndër kandidatët është dhe shqiptarja Geri Ballo, e cila garon në emër të qendrës së majtë italiane.
Ballo është në listën e Kolegjit Zgjedhor të Italisë së jugut ku janë përfshirë rajonet si Kalabria, Abruzzo, Molise, Basilicata, Puglia e Campania.
Ajo është një figurë e njohur për komunitetin shqiptar e arbëresh në Itali.
Në listat zgjedhore përkrah forcave e aleancave të ndryshme politike, kandidatët shqiptarë janë pothuajse të gjithë profesionistë, familjarë e sipërmarrës të suksesshëm.
Një prej tyre është Eva Meksi, emigrante shqiptare që kandidon në Bari, e cila ka mbërritur në Itali me anijen “Vlora” në fillim viteve ’90.
Avokatja, Uljana Gazidede, me profesionin avokate e pjesë e listës Demokratike, Ekologjike Progresiste.
Profesioniste e suksesshme është dhe avokatja, Ilda Beqo, e cila kandidon në qytetin e Modenas me listën e qëndrës së majtë italiane.
Shumë prej kandidatëve kanë lindur në Itali, por prindërit i kanë shqiptarë.
Xheimina Dervishi, 19 vjeç, ka lindur në provincën e Vareses, ndërsa familja e saj është me origjinë nga Kavaja.
Eleonora Bytyqi, 21 vjeç, e cila kandidon në listën demorkatike në komunën Turriaco. Ndërsa Dejnada Kasa, 22 vjeç, kandidon në provincën e Pavias.
Këta janë vetëm një pjesë emrave shqiptar që sot do të jenë në provën e votës në Itali.
Një tjetër veçanti është dhe larmia e përfaqësimit të tyre politikë.