Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka përgatitur ndryshime në ligjin e policisë që japin mundësinë e krijimit të një force elite mbi RENEA-n, por edhe që mundësojnë kalimin e ushtarakeve në Policinë e Shtetit.
Pak kohë pas marrjes së detyrës si ministër i Brendshëm Sandër Lleshaj, nxjerr në pah karakterin dhe formimin e tij ushtarak.

Janë siguruar propozimet e reja për ndryshimin e ligjit për policinë e shtetit ku për herë të parë për plotësimin e nevojave të veçanta mund të pranohen në radhët e policisë ushtarakë aktivë të forcave të armatosura. Në ndryshimet që propozohen në ligj parashikohet edhe ekuivalentimi i gradave ushtarake me ato policore. Sipas propozimit në letër, një “ major ” apo “ kapiten ” me anë të një marrëveshjeje mes ministrit të mbrojtjes dhe atij të brendshëm dhe pasi lirohet, mund të hetojë kriminelët apo ruajë rëndin dhe sigurinë publike.

 

Ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit, në të cilin herë pas here është ndërhyrë vitet e fundit, pritet t’i kalojnë për shqyrtim këto ditë parlamentit. Sipas burimeve një ide tjetër e ministrit Lleshaj është krijimi i një strukture të ngjashme si ajo e RENEA-s për zhvillimin e operacione sekrete dhe speciale ku mund të rekrutohen ushtarake të kualifikuar. Ndërkohë këtë të enjte ministri Lleshaj mbodhi në një takim drejtorët e policive në qarqe në lidhje me ecurinë e punës për Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.