May takim me kabinetin

0
5

Kryeministrja britanike, Theresa May pritet të mbajë një takim me kabinetin e saj, në të cilin mund të vendoset e ardhmja e procesit të largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian, por edhe e ardhmja e saj si kryeministre.

May do të takohet të hënën me ministra britanikë, të cilët është raportuar se synojnë ta largojnë atë nga pozita, për të diskutuar rreth votave që mund t’i japin fund bllokadës së krijuar në procesin e Brexitit.

Votat, e ashtuquajtura përfaqësuese, do të prezantohen para ligjvënësve më vonë gjatë ditës në parlament, për të ofruar përkrahje për një varg mundësish, se si mund të finalizohet procesi i Brexitit.

Mediat britanike kanë raportuar se në mesin e mundësive mund të jetë marrrëveshja e kryeministres May me Brukselin, largimi i Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje, apo organizimi i një referendumi të dytë.

Bashkimi Evropian i ka thënë kryeministres May afat deri më 12 prill për të arritur përkrahje për marrëveshjen, që ka arritur me Brukselin, apo të gjejë një mundësi tjetër që mund të përfshijë sërish shtyrje të procesit të Brexitit.

Nëse May do të fitojë përkrahje nga Parlementi britanik për planin e saj, ndonëse është refuzuar dy herë deri më tani, Britania do të largohej nga blloku evropian më 22 maj.

Në referendumin e vitit 2016, Britania ka votuar për t’u larguar nga blloku evropian, mirëpo negociatorët e kryeministres May nuk kanë arritur të hartojnë një marrëveshje me Brukselin, e cila do të ishte e pranueshme për të gjitha palët në parlament.