Mijëra robotë si kirurgë, shërbyes, mësues…prezantohen në Konferencën Botërore

0
2

Një numër i larmishëm robotësh shërbimi janë paraqitur në Konferencën Botërore të Robotit të vitit 2019 në Pekin.

Sivjet robotët mjekësorë kanë tërhequr vëmendje të madhe. Drejtori i marketingut i Qendrës së Inovacionit të Robotikës Mjekësore të Pekinit Li Qi u tha medieve se pavijoni i tyre mund të quhet një shfaqje e rezultateve të risive të robotëve mjekësorë:

“Dy janë robotë për neurokirurgjinë dhe një është robot për operacionet ortopedike. Ky i fundit ka një saktësi veçanërisht të lartë. Ai është roboti i vetëm që mund të bëjë operacion të rruazës së qafës dhe të pjesës së poshtme të shtyllës kurrizore. Ai mund të bëjë operacion të kockave të mbarë shtyllës kurrizore dhe të gjymtyrëve.”

Robotët e shërbimit kanë lidhje të ngushtë me jetën e njerëzve. Përveç zbatimit të detyrave të posaçme, si operacionet, ata mund të përdoren edhe në fusha më të gjera. Në pavijonin e grupit HRG, ka një valixhe që “ndjek njerëzit”. Një pjesëtar i stafit të HRG-së thotë se kjo valixhe është “shumë e bindur”:

“Kur shtyp butonin e hapjes së valixhes, edhe rripi im i dorës hapet dhe të dy lidhen automatikisht. Unë lëviz, valixhja më ndjek, dhe nuk ka asnjë pengesë. Kur largësia mes meje dhe valixhes është më shumë se tre metra, rripi i dorës jep alarmin.”

Kjo valixhe ka një sondë tejzanore dhe ka aftësi të kuptojë dhe vlerësojë mjedisin rreth saj, të përcaktojë distancën dhe të planifikojë rrugën. Ajo është një produkt simbol i grupit HRG në fushën e robotëve të shërbimit.

Robotët e shërbimit kanë pamje dhe fuksione të ndryshme. Me zhvillimin e teknologjisë së informacionit, ata kanë filluar të përdoren edhe nëpër kompani, aeroporte, qendra transporti, shkolla etj. Sipas “Raportit të zhvillimit të sektorit të robotikës të Kinës” nga Instituti Kinez i Elektronikës, parashikohet se sivjet vlera e tregut të robotëve të shërbimit në Kinë do të arrijë në 2.2 miliardë dollarë, me një rritje 33.1 % më shumë se vitin e kaluar. (Fang Xiaoyu)CRI