Mijëra tonë naftë kontrabandë në anijen e bllokuar në Durrës, një kompani shqiptare u ofrua, por blerja dështoi

0
32
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Anija “Queen Majeba” me flamur kamerunas, por kapiten libian është bllokuar në portin e Durrësit, pasi transportonte një sasi prej 2272 tonë naftë nga Libia në Shqipëri. Kapiteni, dy ndihmësit e tij dhe një punonjës i ngarkim-shkarkimit, të gjithë shtetas libianë janë arrestuar dhe pritet të dalin përpara Gjykatës së Durrësit për masë sigurie dhe me dyshimet tregti dhe transport i mallrave kontrabandë është kërkuar për ta “Arrest me burg”.

Ishin shërbimet partnere që sinjalizuan autoritetet shqiptare, për anijen e cila po transportonte naftë. “News 24” siguroi pamje me dron nga anija me naftë e bllokuar në portin e Durrësit. Nga hetimet paraprake rezulton se kjo naftë transportohej nga grupe që janë jashtë kontrollit të qeverisë libiane dhe formalisht dokumentet shoqëruese të mallit dukeshin në rregull. Por në fakt, sipas autoriteteve ata janë të falsifikuara.

Nga verifikimi paraprak, për blerjen e naftës ishte ofruar një kompani shqiptare, por burimet thonë se nuk është rënë dakord mes palëve ndaj blerja nuk është finalizuar. Për këtë shkak, roli i kompanisë do të verifikohet. Prokuroria e Durrësit po heton në bashkëpunim me partnerët për të konfirmuar nëse ka pasur raste të tjera të tregtimit të naftës kontrabandë nga Libia, veprimtari që shkel një sërë konventash ndërkombëtare. Porti i Durrësit u përgjigj dje në lidhje anijen cisternë me 2275 tonë naftë kontrabandë që vinte nga Libia dhe që u sekuestrua gjatë operacionit të titulluar “Ring”.

Në përgjigje të kërkesës së “News 24” për informacion Autoriteti Portual deklaron se në portin e Durrësit nuk përpunohen anije hidrokarburesh dhe se anija transportonte hidrokarbure dhe si e tillë ishte parashikuar të përpunohej në facilitetet portuale private në Porto Romano, ku Autoriteti Portual Durrës nuk ushtron asnjë kompetencë. Për sa i përket rrethanave të ngjarjes, autoritetet portuale nuk japin asnjë shpjegim dhe ftojnë që mediat t’u drejtohen organeve të Prokurorisë, Policisë dhe doganave.

Zjarr Tv Ad