Nga Aurel Plasari: BREGU I ARBËRISË NË “KITĀB-I BAHRIYE”/ “Libri i lundrimeve” i admiralit dhe hartografit osman Piri Reis Haxhi Ahmed Muhedin Piri Bej…

0
23
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Studiuesi dhe publicisti, Aurel Plasari, me anë të një statusi në llogarinë e tij në Facebook, ka sjellë një numër hartash nga KITĀB-I BAHRIYE, ose “Libri i lundrimeve”, të admiralit dhe hartografit Osman, Piri Reis (Haxhi Ahmed Muhedin Piri Bej) të shek. XV-XVI kanë rëndësi të veçantë për albanologjinë.

Postimi i plotë:

BREGU I ARBËRISË NË “KITĀB-I BAHRIYE”: Një numër i mirë hartash nga “Kitāb-i baḥriye” ose “Libri i lundrimeve” i admiralit dhe hartografit osman Piri Reis (Haxhi Ahmed Muhedin Piri Bej) të shek. XV-XVI kanë rëndësi të veçantë për albanologjinë. Gjenden në to të përshkruara me hollësi gjeografike, kulturore dhe afërmendsh teknike të lundrimit, brigjet e Arbërisë me porte, skela, qytete, shpesh fshatra, kisha, manastire, deri edhe përrenjtë dhe vendet e burimeve se ku lundërtarët mund të mbushin ujë të pijshëm, madje dhe se kur këto burime thahen gjatë verave etj. Pos këtij informacioni kërshëror, nuk mund t’u mohohet vlera estetike e punimeve falë së cilës meritojnë të përfshihen ndër ato që i kam quajtur “dokumente të bukura”.

Disa nga hartat kryesore që na interesojnë:

1) Bregu i Jonit nga Preveza, Arta, Korfuzi deri në Sarandë;

2) Bregu i Adriatikut nga Karaburuni deri sipër në Durrës;

3) Bregu i Adriatikut nga Durrësi deri sipër në Budua;

4) Bregu i Adriatikut nga Budua deri sipër në Raguzë;

Ndonjë kërshëri nga shënimet mbrapa hartave:

Te nr. 1: “Parga. Kalaja e saj ndodhet nën Venedikun. Është gji i rehatshëm. Mali që ngrihet mbi kalanë quhet Mali Mizrak [Mazrek], që do të thotë Mali i Shtizës. Populli i këtyre rretheve është arbër [Arnavud]. Përpara Pargës ka një shkëmb që nuk shihet lehtë, prandaj duhet bërë shumë kujdes”.

Te nr. 2: “Tetë milje sipër Karaburunit ndodhet një ishull i pabanuar që quhet “Sazan”. Në veri të Sazanit ka qenë kisha e vjetër. Përpara kishës ka një gji të mirë për kaiket. Edhe në lindje të ishullit gjendet një kishë tjetër e vjetër. Edhe përpara kësaj kishe anijet lidhin ballamarin dhe zënë vend në anën lindore duke lëshuar hekurat. Po t’i hedhin hekurat në ujë të ulët mund t’u pritet hekuri, sepse ai vend është si gjeratore. Po aty ka edhe një shkëmb të madh, mbi të cilin ka 7 krahë ujë. Pranë kishës ka edhe ujë të pijshëm”.

Te nr. 3: “Durrësi është një kështjellë buzë detit. Pjesa e bregdetit nuk është e thellë, prandaj anijet e mëdha, kur i afrohen kështjellës, detyrohen t’i qasen me sondë ose me kallauz, duke hedhur hekurin dyfish. Për këtë shkak duhet pasur kujdes se edhe të dyja brigjet e anës së veriut nuk janë të thella. Për anije të vogla që kanë nevojë të qëndrojnë është i përshtatshëm Porto Palo [Bisht i Pallës], që turqit e quajnë “Kazik Limani” [Porti i Hurit]”.

Te nr. 4: “Edhe në veri të Ulqinit ka një kala të vjetër të Venedikut që quhet Anti Bezi [Antivari, Tivari]. Në perëndim të kalasë ka një ishull të vogël që vlen për të lidhur anijet, sepse këtu hekuri zë vend të fortë. Mali i lartë i kalasë është shenjë dalluese për detarët. Duke u larguar kah mali dallohet kalaja dhe nga sipër duket edhe ishulli i vogël. Anijet këtu qëndrojnë për pushim”.

Nga: Kitāb-i baḥriye / Book on navigation / Facsimile of Walters Art Museum, Baltimore, Ms. W.658.

fb a.p.

Zjarr Tv Ad