Nga Kastriot Kotoni: Presidenti na ngeli në derë!

0
36
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kastriot Kotoni

Presidenti na ngeli në derë përbën ndoshta titullin më të përafërt të kësaj situate politike në Shqipëri. Mediat e kanë marrë me sportivitet këtë fenomen alla shqiptar, ku edhe bastet për emrin e presidentit në ditët në vazhdim do të kenë rritje në koefiçentët e probabilitetit për ta gjetur emrin e ri të presidencës.

Si për çudi edhe kësaj radhe e majta është tejet snobiste për të tërhequr pas vetes jo vetëm opozitën, por edhe shoqërinë civile. Në një republikë serioze nuk do të keqkuptohej ajo forcë politike e cila brenda gjirit të saj edhe për meritë të fitores elektorale do të dëshmonte se ka kapacitete të tilla që të ulen në karrigen e presidentit me dinjitet e shumë të respektuar nga të gjitha palët se sovrani foli me votën e tij, duke e patur të qartë se vota duhej të ishte aq masive që të zgjidhte edhe procesin e zgjedhjes së presidentit, me numrin e duhur të deputetëve që përcakton kushtetuta. Ndryshe ky nënvlerësim i elektoratit do përkthehej,- se ne duam të bëjmë çfarë të duam me mandatin që na dha vota juaj të dashur votues.

Por eksperiencat e kaluara e vërtetuan se sa mundim hiqnin partitë për të kapur numrin e duhur të votave, duke eksperimentuar lloj-lloj pazaresh e ofertash me palë që mbanin peng votimin e presidentit. Apo duhet të ndërrojmë kushtetutën sa herë i kërkohet ndonjë nder dikujt për hir të premtimeve që u është bërë.

Notojnë në internet gjithfarë emrash për kandidat presidencial, edhe pse një fjalë e urtë thotë-“Hodhi një gur një budalla e hidhen njëqind të tjerë për ta nxjerrë”. Është sa neveritëse, por edhe ironike, sa kur i sheh disa emra që nuk lenë gur pa lëvizur në media për t’u bërë sa më joshës me histori të stisura e deri diku heroike mendon sa poshtë kanë rënë kjo kategori njerëzish. Për çudi të duket sikur këta alienë të ardhur nga ndonjë planet tjetër, nuk e dinin se partitë politike kanë kalendarin e tyre politik i cili me hir ose me pahir duan apo nuk duan ata, ka një procedurë që e dikton kushtetuta. Por edhe pse nuk ngopen e tejngopen nga prania në media, kjo kategori njerëzish s’ka të ndalur në kërkimin e fansave, sa kanë futur në lojë edhe nxënësit e klasave të fillores larg mos qoftë edhe të kopshteve. Mos e dhëntë zoti që të na ndodhë si me kandidatët për deputetë që kishin dosje si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit e thërrisnin më shumë në parlament e në media “të hapen dosjet e sigurimit”. Po si nuk pamë një njeri të shquar e të urtë që t’i lutet me sinqeritet e përulësi partisë që e ka të drejtën të zgjedhë presidentin të propozojë një emër me po atë reputacion e integritet si të tijin, dhe të japë një shembull se altergoja ka një limit, e jo të shkojnë 80 e ca kandidatë të vetëshpallur në përroin psiqik.

Ai post është një nder për këdo, por jo çdo njeri i ka mundësitë mendore dhe fizike, domethënë fundja fundit janë edhe ca parametra që duhet t’i ketë presidenti i një vendi. E saktë apo jo na duhet një njeri që e tejkalon inteligjencën e një deputeti e të ketë kaluar prova imune ndaj presionit politik e nepotik. Ka hapësirë për ta afruar partia socialiste këtë lloj stature për numrin një të shtetit kjo nuk diskutohet. Atëherë çfarë bisedimesh kërkon kur i ke votat edhe njerëzit?

Demonstrimi mediatik larg problemeve të ditës dhe krizës së ardhur nga lufta në Ukrainë nuk duhet ta çojë qeverinë në degjenerimin e procesit të zgjedhjes së presidentit. Serioziteti i këtij procesi duke i mbyllur çdo shteg abuzimit me kushtetutën, do ta qetësonte situatën politike e për më tepër emri duhej të ishte gjetur me kohë, sepse figura të shquara që plotësojnë kriteret ka së paku mbi pesë njerëz. Dhe emri i cili do të ish afishuar, do të ndihej më i mirëpritur e me më pak diskutime boshe e jo me këtë estradë, që nuk ka as regjisor e skenarist e që për turpin tonë, tregojmë se sa naivë e parapolitikë na trajton politika.

Nëse e ke për herë të parë për të zgjedhur një njeri nga viset shqiptare, apo diaspora edhe mund të justifikohet kjo situatë, por thelbësore do të ishte që të mos luhet politikisht me moton po të japë presidentin çfarë do të marr? Kjo tregon dritëshkurtësi prej politikani të vockël e pa vizion i cili zvogëlon edhe fitoren më të madhe të çdo fushate. Adresoje emrin e presidentit me urgjencë dhe transparencë, sepse as atij që do të zgjidhej realisht nuk do t’i shërbente si shenjë besimi të ndërsjelltë, por si një emër që të ngeli në derë (dorë), qoftë edhe i minutës së fundit. E pastaj mazhoranca do mallkojë veten si me ish presidentin Ilir Meta.

Zjarr Tv Ad