Një e treta e popullsisë së botës është obeze

0
3

Thuajse një e treta e popullsisë së botës është obeze apo mbipeshë dhe një numër në rritje njerëzish po vdesin nga problemet që lidhen me krizën globale të shëndetit publik, sipas një studimi.

Sipas kërkimeve, katër milionë njerëz vdiqën si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare, diabeti, kanceri dhe të tjera sëmundje që lidhen drejtpërdrejt me peshën e shtuar në vitin 2015, duke e rritur kështu peshën e vdekjeve që lidhen me obezitetin me 28% nga viti 1990.

Më 2015, mbipesha preku afërsisht 2.2 miliardë njerëz, e barasvlershme me 30% të popullsisë botërore.

Gati 108 milionë fëmijë dhe më shumë se 600 milionë të rritur janë cilësuar obezë, duke pasur një indeks të masës trupore (BMI) mbi 30, citohet në kërkimin që është shtrirë në 195 vende.

BMI përllogaritet duke pjesëtuar peshën e një personi në kilogramë me gjatësinë e tij në katror dhe është një tregues nëse personi ka një peshë të shëndetshme apo jo.

Nëse indeksi i masës trupore është mbi 25, tregon mbipeshë, mbi 30 tregon obezitet dhe mbi 40 tregon obezitetin patologjik.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, obeziteti është më shumë se dyfishuar që nga 1980, duke arritur përmasa epidemike.

Norma e obezitetit te fëmijët po rritet më shpejt se sa tek të rriturit në shumë shtete, përfshirë Algjerinë, Turqinë dhe Jordaninë, tregon studimi.

Ndërkohë, thuajse 800 milionë njerëz, ndër ta 300 milionë fëmijë, shkojnë në shtrat të uritur për çdo mbrëmje, sipas Kombeve të Bashkuara, shkruan klanmacedonia. Ekspertët thonë se dieta e varfër dhe jeta sedentare janë shkaktarët kryesorë të numrit në rritje të njerëzve me mbipeshë.

Urbanizimi dhe zhvillimi ekonomik kanë rritur normën e obezitetit edhe në vendet e varfra, ku një pjesë e popullsisë nuk ka mjaftueshëm se çfarë të hajë. Duket se njerëzit po ndërrojnë vaktet tradicionale të pasura me perime, me ushqim të përpunuar.

Njerëzit gjithnjë e më shumë po konsumojnë ushqime të përpunuara, të cilat janë të pasura me sheqerna dhe yndyra dhe po kryejnë më pak ushtrime fizike, tha Boitshepo Bibi Giyose, nutricioniste në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.