” O Atë, fali ata, sepse nuk dinë se ç’bëjnë”. Ilir Meta uron Pashkët: Helmimi i politikës luftohet me dashuri dhe falje

0
76
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka uruar besimtarët ortodokse me rastin e festës së Pashkës, duke theksuar se sado i lartë të duket “mali” i së keqes, e mira do të triumfojë sepse shpresa me besimin në Zot nuk vdes asnjëherë, por ajo është e gjallë dhe do të ngjallet si Krishti.

Teksa risjell fjalët e famshme të Krishtit “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë se ç’bëjnë!”, Presidenti Meta thotë se “helmimi” i familjes, i shoqërisë dhe i politikës nga fenomenet e errëta duhet luftuar me kryengritjen paqësore të madhështisë së dashurisë dhe faljes, që na mësoi dhe predikoi me vepra Biri i Perëndisë.

Postimi:

Të dashur besimtarë ortodoksë,

Gëzuar Festën e Shenjtë të Pashkës, Ditën e Ngjalljes së Krishtit, të triumfit të jetës mbi vdekjen, të dritës mbi errësirën, të së mirës ndaj së keqes dhe të dashurisë mbi urrejtjen.

Lutja e fundit e Krishtit mbi Kryq: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë se ç’bëjnë!”, na kujton se “helmimi” i familjes, i shoqërisë dhe i politikës nga fenomenet e errëta duhet luftuar me kryengritjen paqësore të madhështisë së dashurisë dhe faljes, që na mësoi dhe predikoi me vepra Biri i Perëndisë.

Shumë përpiqen ta shmangin këtë parim, por siç na mëson Ungjilli: “Të bekuar janë ata, që frymëzohen nga falja, e cila buroi nga varri i Krishtit. Të bekuar janë ata, që kërkojnë dashurinë e Tij, që kapërcen çdo mendje”.

Festa e Dritës, që kurrë nuk perëndon, na kujton sot se sado i lartë të duket “mali” i së keqes, e mira do të triumfojë sepse shpresa me besimin në Zot nuk vdes asnjëherë, por ajo është e gjallë dhe do të ngjallet si Krishti.

Me urimet më të përzemërta për popullin shqiptar, për më shumë shëndet, paqe e begati në familjet tuaja!

GËZUAR PASHKËN!

KRISHTI U NGJALL! VËRTET U NGJALL!

Zjarr Tv Ad