Organizatori, në çadër të ngritur në pyll/Kapet grupi kriminal që terrorizoi Tushemishtin

0
83
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Një operacion policor i zhviluar nga Policia e Korçës dhe forcat Renea, në bashkëpunim me Komisariatin e Pogradecit, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, ka çuar në kapjen e personave që qelluan me armë mbi një hotel në Tushemisht dhe terrorizuan pushuesit.

Gjatë operacionit, në pyllin e fshatit Vërdovë, Pogradec, në një çadër që kishte ngritur enkas për t’u strehuar, Policia kapi organizatorin e këtyre ngjarjeve, person me precedent të theksuar kriminal, i cili mbante dhe armë zjarri pistoletë me vete. Gjithashtu kapen dhe arrestohen edhe 3 bashkëpunëtorë të tjerë të implikuar. Dy ditë më parë u vu në pranga edhe një bashkëpunëtor tjetërm Mariglen Topuzi.

Në vijim të hetimeve për ngjarjen e datës 1 gusht 2020 dhe 8 gusht 2020, pranë hotelit në pronësi të shtetasit J. M., në fshatin Tushemisht, u krye operacioni i koduar “Driloni”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasve:

Ilir Berberi, 52 vjeç, banues në Pogradec, me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit, pronës dhe sigurisë publike.

Ilir Meçolli, 29 vjeç, Ardian Xhuti, 29 vjeç, banues në Zvezdë, Maliq dhe Elvir Haxhia, 32 vjeç, banues në Pojan, Maliq, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

Ndaj shtetasit Ilir Berberi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja për të mos kallëzuar”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Prishja e qetësisë publike” kryer në bashkëpunim”, për ngjarjen e ndodhur më datë 10.02.2020, në lagjen nr. 3 përpara Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.

Ilir Berberi, në bashkëpunim me shtetas të tjerë 52-vjeçari ka kanosur pronarin e hotelit për të mos dëshmuar në një seancë gjyqësore, si edhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe IEVP gjatë kryerjes së detyrës.

Gjithashtu ai dyshohet të ketë rolin e organizatorit të ngjarjeve të ndodhura pranë hotelit, ku në bashkëpunim me tre personat e mësipërm dhe disa të tjerë, kanë kanosur me armë zjarri shtetasin J. M., si edhe kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotelit, duke i shkaktuar dëme materiale godinës dhe 7 mjeteve të parkuara.

Gjatë operacionit, shtetasit I. B. iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës një armë zjarri tip pistoletë dhe 59 fishekë që i posedonte pa leje. Po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këto ngjarje. U sekuestrua një pistoletë, municion luftarak dhe rrobat e përdorura për të drejtuar motomjetin gjatë kryerjes së këtyre ngjarjeve.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.

Zjarr Tv Ad