Papa do të vizitojë Sudanin Jugor, shtetin e luftërave dhe urisë

0
8

Papa Françesku tha se dëshiron ta vizitojë Sudanin Jugor vitin e ardhshëm dhe u bëri thirrje liderëve të këtij shteti që t’i tejkalojnë ndasitë në mënyrë që t’i japin fund vuajtjes së popullatës.

Papa foli për krizën në këtë shtet, vetëm tri ditë pasi presidenti dhe ish-lideri i rebelëve u pajtuan që ta shtynë formimin e një qeverie të unitetit për 100 ditë edhe pas afatit të fundit që ishte më 12 nëntor.

Ati i Shenjtë tha se “do ta vizitoj” Sudanin Jugor vitin e ardhshëm.

Fillimisht Papa ishte paraparë të vizitonte këtë shtet, me shumicë të krishterë në vitin 2017, por kjo vizitë ishte shtyrë për shkak të jostabilitetit politik dhe për shkaqe sigurie.

“Dua të ritheksoj ftesën time për të gjitha palët politike në këtë shtet, që të arrijnë unitet dhe të tejkalojnë ndasitë”, tha Papa.

Lufta civile pesëvjeçare në Sudanin Jugor, që përfundoi përmes një marrëveshjeje të paqes më 2018, ka lënë të vrarë 400 mijë persona dhe shumë banorë të këtij shteti u përballën me uri. Ky konflikt shkaktoi krizën më të madhe të refugjatëve në Afrikë, që prej gjenocidit në Ruanda më 1994.

Sudani me shumicë myslimanedhe pjesa jugore e këtij shteti me shumicë të krishterë, kanë luftuar për dekada me radhë dhe në vitin 2011, Sudani Jugor shpalli pavarësinë.