Pranimet në Akademinë e Sigurisë/Apeli i Policisë për të rinjtë: Jep kontributin për vendin tënd

0
111
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

 Policia e Shtetit kujton të gjithë aspirantët për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit se ka ende edhe shtatë ditë kohë për të aplikuar për oficerë të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

“Apliko, bëhu pjesë e Policisë së Shtetit, jep kontributin për vendin tënd! Edhe 7 dite nga mbyllja e aplikimeve për oficerë të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit. Aplikimet janë të hapura për studentët e diplomuar në shkencat juridike, ekonomike dhe teknologji informacioni, të cilët duhet të kenë mesataren e notave të nivelit të dytë master mbi 8 dhe të zotërojnë gjuhën angleze”, thekson Policia e Shtetit.

“Kjo është një mundësi e mirë për të rinj e të reja, për t’iu bashkuar Policisë së Shtetit në sfidën e fortë për të luftuar korrupsionin dhe paligjshmërinë në të gjitha fushat. Në fund të studimeve çdo i diplomuar do të emërohet oficer i Policisë Gjyqësore”,- thekson Policia e Shtetit

Aplikimet janë të hapura deri në 20 Gusht. Aplikimet bëhen pranë Drejtorisë Vendore të Policisë ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm dhe përfundojnë më datë 20 gusht 2020. Dosja fizike e aplikimit duhet të dorëzohet pranë Drejtorive Vendore të Policisë ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm. Kuotat e pranimit në Policinë e Shtetit janë për të rinj që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë në shkenca juridike, ekonomike dhe kompjuterike.

Kriteret e përgjithshme për pranimin e këtyre kandidatëve në Akademinë e Sigurisë: të jenë shtetas shqiptarë;  të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Sigurisë Kombëtare apo të jenë larguar nga shërbimi civil; të kenë zotësi të plotë për të vepruar; të mos kenë shenja të dukshme (tatuazh) në pjesët që nuk mbulohen nga uniforma verore e Policisë; të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht për të kryer detyrën; të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë krimi apo për kryerjen e ndonjë kundërvajtjeje penale me dashje; të jenë të pajisur me vërtetim besueshmërie; të kenë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”.

Ndërsa kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë aplikantët për t’u pranuar në këtë cikël janë: Të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë) ose shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë): të jenë nën moshën 30 vjeç; të kenë mesataren mbi “8” të notave në ciklin e dytë të studimeve; të jenë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat;  të kenë njohuri të gjuhës angleze në nivelin mbi 60 pikë sipas standardit ALCPT.

Aplikantët duhet të paraqesin pranë strukturave të burimeve njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë: Formularin e aplikimit; Diplomën dhe listën e notave të noterizuar të ciklit të parë dhe të dytë të studimit (të dy nivelet e diplomave të jenë të të njëjtës fushë studimi, në programe studimi të akredituara). Aplikantët që kanë përfunduar arsimin e lartë jashtë vendit, duhet të paraqesin vërtetimin nga Ministria e Arsimit Sportit e Rinisë, për njëvlershmërinë e diplomave të marra jashtë vendit; Fotokopje të kartës së identitetit; Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”; Vërtetim nga gjykata; Vërtetim nga prokuroria; 2 fotografi me përmasa 4 cm x 6 cm.

Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar, më pas do t’u nënshtrohen fazave të vlerësimit, të cilat janë: vlerësimi sipas notës mesatare, të ciklit të dytë të arsimit të lartë; vlerësim me testim i njohurive të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT; intervistimi i aplikantëve;kontrolli shëndetësor; marrja e shenjave të gishtave;verifikimi përfundimtar i aplikantit.

Ky është kursi i tretë në kuadër të hapjes së aplikimeve nga Policia e Shtetit për të rekrutuar studentë të diplomuar me rezultate të larta, pas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
Zjarr Tv Ad