Profeci si ato nostradamusiane! nga Kopi Kyçyku

0
85
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Duke përjetuar me dhembje ato që po ndodhin në jetën e përditshme të njerëzve, të cilët fati i ka ngulitur në trevat haemusiane (ballkanike) dhe eurolindore, por edhe më gjerë, më duket e udhës të paraqit për lexuesit e facebook-ut dhe jo vetëm për ta, një material që e kam gjetur në fundvitet ’90 të shekullit të kaluar në një nga arkivat e Akademisë së Shkencave të Indisë në qytetin Agra ku ndodhet Taxh Mahalli i famshëm. Bëhet fjalë për letërsinë e hershme të Indisë (Langa Purana, II, 39-40), e cila, dy-tri mijë vjet më parë ka parashikuar me saktësi mahnitëse ato që po shohim në ditët tona (Puranas janë shfaqur me shkrim në shekujt III-IV të erës sonë, por vijnë nga një traditë gojore e cila atëhere kishte “moshë” mbi një mijëvjetshe!). Nuhatjet profetike të hinduizmit kanë lidhje me mënyrën se si do të mbyllet cikli i sotëm i qytetërimit tokësor.
Ja, disa nga simptomat që pat parashikuar materiali i lartpërmendur puranik për të ardhmen, e cila përbën të sotmen tonë:
“Koeficienti i urrejtjes së shpirtit të çdo njeriu do të njohë një rritje alarmuese. Njerëzit do të bëhen gjithnjë e më agresivë. Të gjitha vlerat e mëdha të dijes e të shkencës do të anojnë drejt qëllimesh të papastra, pra drejt fuqizimit të së keqes në botë. Do të shtohet numuri i krerëve të shteteve me nivel të ulët moral dhe profesional.
Punëtorët e krahut dhe tregtarët do të ngrihen në rangun e intelektualëve, ndërsa intelektualët do të bëhen vartës të tyre. Thënë ndryshe, do të sajohet një mishmash shkatërrues i kastave, një rrënim dramatik i hierarkive të natyrshme dhe një shrregullim i pandreqshëm social.
Pandershmëria do të përhapet kudo si kurrë ndonjëherë, në të gjitha nivelet. Grabitësit do të bëhen liderë.
Femrat nuk do të përfillin më virtytet e veta.
Trumetët (të cektët), mashtruesit, të pasjellshmit dhe zhurmuesit do të cilësohen të mençur. Njerëzit e aftë dhe të ndershëm do të synojnë të tërhiqen nga jeta publike. Në treg do të shiten ushqime të gatshme (kujto fast-food-et me prodhimet gjysëm të gatshme!).
Gjuhët do të varfërohen, e folmja do të banalizohet.
Do të ketë më shumë gra se sa burra; shoqatat kriminale do të gumëzhijnë dhe numuri i njerëzve që nuk gjejnë dot punë do të rritet. Do të përhapen gjithandej sëmundjet e stomakut. Do të përhapet moda e flokëve të shrregullt, do të përgjithësohet gjendja e letargjisë dhe e amullisë, të cilave nuk do t’u bëhet dot ballë. Do të shfaqen si kërpudhat pas shiut organizata fetare jokanonike, blasfemia do të bashkëjetojë me fanatizmin.
Do të praktikohet në shkallë të gjerë vrasja e foshnjave në bark të nënës dhe do të vriten drejtpërdrejt ose simbolikisht heronjtë e çdo bashkësie.
Mbajtësit e pushtetit nuk do ta përdorin këtë në dobi të popujve të tyre.
Mirëkuptimi, dhënia përparësi së mirës ndaj së keqes, do të zbehet dhe do të nderohen më shumë e në radhë të parë të pacipët.
Do të fitojnë terren paturpësia, mosmbajtja e premtimeve dhe shkelja e fjalës së dhënë, smira. Ndërmjet prindërve dhe fëmijëve do të nxjerrin krye pengesa të kapërcyeshme me vështirësi; dhuna do ta mposhtë drejtësinë, zemërgjerësia do të shmanget, vulgariteti do të pushtojë gjithçka.

Zjarr Tv Ad