Rama për televizionin serb: Nuk dua kufij për Ballkanin

0
8
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Për kryeministrin Edi Rama, shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë janë vëllezër që tani jetojnë në dy vende të ndryshme dhe që duhet të bashkohen. Idetë e tij për kufijtë në Ballkan, rrugëtimin drejt Bashkimit Europian dhe dialogun Kosovë-Serbi ai i bëri të njohura në një intervistë për televizionin serb.

Kryeministri Edi Rama ka sqaruar idenë e tij se pse duhet realizuar bashkimi i Shqipërisë me Kosovën.

Në një intervistë për televizionin serb, “Pink”, kreu i ekzekutivit i ka cilësuar dy popujt si të ngjashëm që jetojnë në territore të ndryshme.

Ai u shpreh të dielën se kjo nuk nënkupton medoemos përmbushjen e “Shqipërisë së Madhe”, porse të pakufizuar të gjithë popujt e rajonit mund të arrijnë më shumë.

Rama: “Nuk duam kufij me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë apo Serbinë. Duhet të krijojmë një hapësirë ndryshe ku të jetohet njësoj si në Bashkimin Europian, pa kufij, për të forcuar raportet tregtare, kulturore dhe gjithçka tjetër.”

Sipas Ramës, Serbia duhet të përballet me realitetin dhe të pranojë se Kosova është shtet i pavarur dhe i lirë.

Ai tha se shqiptarët dhe serbët mund të bëjnë për Ballkanin atë çfarë Franca dhe Gjermania bënë për Europën.

Rama: “Nevoja për pajtim është e pashmangshme, dhe sa më shumë Serbia ta vazhdojë ëndrrën e vet që kjo nuk ka për të ndodhur ose do ta parandalojë, aq më e dhimbshme do të jetë për të gjithë.”

Kryeqeveritari shqiptar u pyet dhe për taksën që Prishtina po aplikon ndaj Beogradit.

Ai e konsideroi atë një “klithmë politike” e cila duhet pezulluar përkohësisht për interes të dialogut, por sërish kundërshtoi akuzat e homologut të tij në Kosovë, Ramush Haradinaj, se ka pasur presion.

Rama:“Edhe gjatë samitit të Berlinit, unë, kancelarja Merkel dhe presidenti i Francës, nuk kemi bërë presion që të hiqet taksa, por që ajo të pezullohet për të mundësuar një kapitull të ri bisedimesh.”

Kryeministri Rama tha se samitet dhe takimet e fundit megjithëse pa ndonjë zgjidhje konkrete, kanë hapur perspektiva të reja për dy fqinjët ballkanikë.

Ai u shpreh optimist që dialogu mes palëve do të avancojë më tepër pas takimit të ndërmjetësuar në Francë në muajin korrik.

 

Zjarr Tv Ad