Rusi, shpërthen raketa eksperimentale, 5 të vdekur. 40 min rrezatim

0
27

Pesë persona u vranë dhe tre të tjerë u plagosën pas shpërthimit të një rakete në një zonë testimesh në Rusi konfirmoi kompania shtetërore bërthamore Rosatom.
Sipas kësaj kompanie, ngjarja e rëndë ndodhi gjatë testimit të motorëve. Personat që humben jetën si dhe ata që u plagosën duke marrë djegie të rënda ishin pjesë e stafit të kompanisë.

Në Nyonoksa kryhen teste për pothuajse çdo sistem raketor të përdorur nga ushtria ruse, përfshirë raketat balistike ndërkontinentale të nisura nga deti, raketa cruize dhe raketa anti-ajrore.

Sipas ekspertëve, niveli i radioaktivitetit menjëherë pas incidentit ishte shumë i lartë për rreth 40 minuta, por u kthye në nivele normale ndonëse mund të ketë pasoja afatgjata për stafin.
Njoftimi për nivelin e radioaktivitetit u publikua nga vetë kompania, por më pas u hoq nga faqja zyrtare.

Të pyetur nga mediat ndërkombëtare, ministria ruse e mbrojtjes deklaroi se nuk ishte çliruar asnjë kimikat i rrezikshëm në atmosferë dhe se niveli i rrezatimit ishte në nivele normale. Mbetet e paqartë se çfarë lloji raketash ‘eksperimentale’ po testoheshin nga ushtria Ruse.

Fshehtësia rreth provës ushtarake të dështuar dhe deklaratave fillestare të marra nga Ministria e Mbrojtjes menjëherë shkaktuan teori konspirative.