SHBA-Meksikë plan kundër emigracionit

0
39
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

SHBA-ja ka shprehur edhe një herë zhgënjim me palën meksikane për adresimin e krizës humanitare të emigrantëve në kufirin jugor. Por presidenti i Meksikës ka propozuar një plan konkret se si mund të dilet nga kriza, duke i dhënë përparësi ndihmave ekonomike për shtetet amerikanoqendrore më të prira për emigracion.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka rinisur kritikat ndaj Meksikës se nuk po bën sa duhet për të ndalur krizën e emigrantëve.

Përmes një postimi në Twitter, kreu i Shtëpisë së Bardhë premtoi se së shpejti do të ketë një reagim nga pala amerikane.

Ai tha se fqinji jugor në mënyrë të gabuar mendon se është e drejtë e qytetarëve meksikanë që të emigrojnë në Amerikë, ndërsa kostot e emigracionit të paligjshëm po i paguajnë taksapaguesit amerikanë.

Trump muajin e kaluar kërcënoi se do të mbyllë kufirin jugor ose do të tarifojë çdo makinë që hyn nga Meksika nëse liderët e vendit nuk ndërmarrin masa.

Ndërkaq presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, ftoi të hënën palën amerikane, kombet e tjera dhe organizatat e huaja për një marrëveshje ekonomike.

Duke cituar një raport të Kombeve të Bashkuara, Lopez Obrador kërkoi krijimin e një fondi zhvillimor për t’ua shpërndarë tri shteteve amerikanoqendrore si Guatemala, Hondurasi dhe El Salvadori.

Në këto vende, varfëria, korrupsioni dhe krimi mendohet se janë faktorët kryesorë që i shtyjnë popujt të emigrojnë drejt SHBA-së.

Sipas propozimit të diskutuar paraprakisht mes dy delegacioneve, qeveria amerikane do të garantojë deri në 10 miliardë dollarë investime për Meksikën dhe Amerikën Qendrore.

Bazuar në shifrat zyrtare, vetëm në muajin prill rojat e kufirit amerikan ndaluan rreth 99 mijë njerëz në tentativën për të kaluar në SHBA, shifër kjo më e larta që nga viti 2007.

 

Zjarr Tv Ad