Stërnipi i Musolinit kandidat në BE

0
1

Një tjetër pjesëtar i familjes së ish-diktatorit Benito Musolini po synon një karrige në Parlamentin Europian. 51-vjeç Kaio Xhulio Çesare Musolini thotë se platforma e tij politike vë përpara interesat kombëtarë dhe sfidon politikat aktuale të BE-së si censurimi, globalizmi, emigracioni apo ekstremizmi islamik.

Stërnipi i ish-diktatorit fashist italian, Benito Musolini, po kandidon për zgjedhjet europarlamentare që mbahen muajin e ardhshëm.

Mediet italiane raportojnë se 51-vjeçari Kaio Xhulio Çesare Musolini do të garojë nën siglën e partisë së vogël ultradjathtiste “Vëllezërit e Italisë”.

Ish-oficeri i nëndetëses thotë se ai e konsideron veten një postfashist me vizionin për të mbrojtur interesat e kombit, dhe se frikërat për rikthimin e doktrinës famëkeqe janë thjesht imagjinare.

Musolini: “Fashizmi vdiq bashkë me stërgjyshin tim, dhe vlen vetëm të studiohet nga historianët. Por unë në botën ku jetojmë shoh shumë rreziqe të tjera, siç janë shtypja e mendimit të lirë, globalizmi, diktatura e të qenit poltikisht korrekt, emigracioni i pakontrolluar, kontrolli i plotë që ushtrojnë disa grupe të vogla financiare, apo ekstremizmi islamik.”

Stërnipi i diktatorit fashist i shtohet të paktën dy të afërmve të tjerë që po ashtu militojnë politikisht në vend dhe në Parlamentin Europian.

Por pas shpalljes së kandidaturës së tij fundjavën e kaluar, Çezare Musolini njoftoi se faqja e tij personale ishte fshirë nga rrjeti social, Facebook, së bashku me kontot e disa liderëve neofashiste italianë.

Stërgjyshi i tij, Benito Musolini, i njohur ndryshe si Duçe, drejtoi Italinë për dy dekada shekullin e kaluar, duke e udhëhequr vendin në Luftën e Dytë Botërore në aleancë me liderin nazist të kohës, Adolf Hitlerin, madje duke urdhëruar edhe pushtimin e Shqipërisë në prill të vitit 1939.

Partitë neofashiste kanë mbetur pjesë e peizazhit politik italian të pasluftës por mbështetja dhe promovimi i fashizmit në vend konsiderohet krim.