Tërmeti i 26 nëntorit, bizneset i ankohen Bashës se janë larguar punëtorët

0
20

Si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, pati dëme jo vetëm në banesa por edhe godina biznesesh pasi larguan shumë forca pune nga Durrësi.

Kryedemokrati Lulzim Basha vizitoi sot disa nga bizneset e prekura duke thënë se ky është një ndër shqetësimet kryesore.

“Neve, më tepër na janë dëmtuar shtëpitë e punëtorëve, që me forcat tona, i kemi stabilizuar deri diku. Nuk po stabilizojmë ata që na kanë ikur nëpër rrethe”, i tha pronari i një mobilierie kryetarit Basha.

Ai shtoi se vazhdon të paguajë njësoj të gjithë punëtorët dhe sigurimet shoqërore, pavarësisht se kjo është një kosto e madhe për të.

I njëjti problem shfaqet edhe tek fasonët, të cilët e kanë edhe më të madhe humbjen, pasi kanë të punësuar më shumë njerëz, që akoma nuk janë kthyer në punë, ose që nuk punojnë me kapacitet të plotë, për shkak të rikonstruksionit të godinës pas dëmeve nga tërmeti.

“Kemi pësuar dëme, por dëmi më i madh është që rrimë të stopuar. Dëmi ekonomik më kalon shifrën e 600 mijë eurove. Një kontratë do ta mbyll, pasi koha e humbur, nuk mund të rikuperohet. Kontrata e mbyllur shkon rreth 300 mijë euro. Punonjësit do t’i paguaj dhe kjo është minimalja në këto kushte ku ndodhen njerëzit që kanë nevojë, pasi ata kanë humbur shtëpitë. Megjithëse ndihmesa jonë nuk është publike, kjo është në ndihmë me shifra marramendëse, përfshirë dhe riparimin e dëmit që po e bëj vetë’”, i tha zotit Basha pronari i një fasonierie me 450 punëtorë.

Në tjetër biznes fason, që prodhon këpucë, i tregoi kryetarit Basha se e mbylli biznesin gjatë 5 ditëve të tërmetit, duke e rihapur atë vetëm të hënën. Edhe për të, problem kryesor ishte mungesa e punonjësve, që kanë humbur shtëpitë dhe po strehohen larg.