Pas konferencës së djeshme për shtyp të kryeministrit Edi Rama me Presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker dhe pas gafës së këtij të fundit se, ‘zgjedhjet në Shqipëri janë në prill”, reagon sërish nënkryetari i LSI, Petrit Vasili.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vasili ironizon teksa shkruan se: “Shqiptarët besojnë atë që është esëll, jo atë të prillit, që ka postuar Mister 1 Prilli”.
Reagimi i Vasilit vjen pas postimit të kryeministrit Edi Rama, i cili përmes një video të postuar shkruan se, “Bruksel, momentet mediatike të takimeve me Presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk dhe Presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker – Shqipëria meriton çeljen e negociatave për anëtarësim në BE”.
Por po sot, presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk deklaroi se, nuk do të ketë hapje negociatash për Shqipërinë.