Vetingu në politikë përplas Bashën me Xhafën

0
226

Lulzim Basha dhe Fatmir Xhafaj u përfshinë në akuza dhe kundërakuza në Kuvend, ku po diskutohet vettingu i Policisë së Shtetit. Kryetari i Partisë Demokratike akuzoi se vëllai i ministrit Fatmir Xhafaj është i dënuar në Itali. “Vetë vëllai i ministrit të Brendshëm është i dënuar me vendim të formës së prerë në Bolonja për trafik heroine dhe i shpëton dënimit vetëm falë manipulimit të Kodit Penal”, tha ndër të tjera Lulzim Basha. Xhafaj replikoi duke sfiduar kreun e PD-së. “E kam thënë dhe nuk i lëviz asnjë presjeje, ta bësh atë (vettingun e politikës) është gjë shumë e mirë. Merre nismën. Duhet të kesh më shumë durim që të presësh, për shumë gjëra, edhe për atë që ke kohë që flet, edhe për SPAK-un edhe për BKH, edhe aty ka nevojë për një ndryshim, që procesi i tyre të nisë së pari nga unë, pastaj dhe tek ty, përfshirë edhe familjet tona, pasuritë tona. Do ta marr unë nismën shumë shpejt dhe besoj që do ta shohësh rezultatin sesi do të dalë, prandaj ki durim Lulzim”, tha ministri Xhafaj. Basha reagoi duke akuzuar Xhafajn për metoda komuniste. “Harroje se mund të na impresionosh! Ti vetëm tregon se je pjesë e problemit jo e zgjidhjes. Lëri dërdëllimat kot këtu. E ke fare të thjeshtë ti zotëri, këtu në ligj tani fut vetingun e ministrit. Ti mos na bëj si gardian i Kushtetuës ,se ti ke emeruar pa veting Prokuroren që të mbyllësh çështjen e vëllait tënd. Ke ndryshuar kodin që yt vëlla të mos ekstradohet. Problemi është që ky është sistemi mafioz që tha sot prokurori i antimafies. Duke vënë figura kryesore të mafies për të bërë vetingun e policisë. As mos u skuq, as mos u zverdh, prano amendamentin e opozitës sot që ministi i Brendshëm të jetë i pari që vetingun. Jepi provën, shko arrseto paraardhësin tënd dhe jep llogari për tët vëlla që gjezdis i lirë”, tha Basha.