A është mendërisht normal kryeministri ynë?

0
12
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Agim Xhafka

Duket si pyetje ironike, cinike dhe tallëse, por në botën e qytetëruar bëhet shpesh. Ja, së fundi bash në SHBA nuk rreshtin në media dyshimet për qëndrueshmërinë mendore të Biden apo për çrregullimet e sjelljes të Trump. Qytetarët e përgjegjshëm kudo në botë duan siguri që drejtuesi i qeverisë të jetë i fortë mendërisht e në vendime ta demonstrojë atë.

Tek ne para ca vitesh u botua një kartelë mjekësore që nënkuptonte se zoti Rama nuk qe në ekuilibër mendor. Padyshim që ajo qe instrument i një loje politike, por nuk u përgënjeshtrua e në perceptimin popullor ngeli si një njollë ndaj shëndetit mendor të kryeministrit. Duhej qysh atëherë opozita të këmbëngulte për një komision mjekësor, por ndodhi ajo që ngjan përherë tek ne. Kalojnë tre ditë dhe harrohet çdo e keqe. Tani pas dhjetë vitesh të drejtimit të vendit nga PS po gjen shpjegim konkret ajo kartelë.

Nga muaji në muaj, nga viti në vit po shohim dhe ndjemë në kurriz kamzhikun e një qeveritari që bën lojë politike, institucionale, legjislative veç për qëndrimin e tij në post e jo për prosperitetin e vendit. Sa sheh ofiqarin tonë me atlete që bredh nëpër takime zyrtare në botë, të kap trishtimi. Ku e gjetëm një specie si ky që pandeh se kostumi nuk vishet për në zyrë, por vishet kur shkon në dush. Sa harron këtë, vjen njoftimi nga BERZH, qeveria jonë është më e dobëta në Evropë. Ndërkohë kryeministri ynë pasi e mëson i premton popullit të tij që do e qeverisë deri në vitin 2030. Ikën jashtë gjysma e popullit, Rama ngre taksat për gjysmën që ka ngelur. D.m.th,ikni edhe ju, ç’prisni, mos rrini më. Harxhon buxhetin për miqtë e tij, dhe pensionistët pa ndihmën e fëmijëve, do ishin varrosur me kohë. Premton që kurrë nuk do ngrihen qendra refugjatësh në Shqipëri dhe firmos me Italinë që të ngrihen ato sa më shpejt. Manipulon kursin e valutës që të zhdukë nga faqja e dheut eksportet. FMN deklaron se jemi vendi më i varfër në Evropë, ky flet për turizëm dhe për fasadë progresi. Rriten çmimet, ua kalojnë dhe vendeve perëndimore, kryeministri bredh me çarterin e tij futur te benevrekët zyrtare. Dhe bunkerizohet e saldohet te posti duke ngritur një gjyqësor privat e ve në zbatim një reformë drejtësie si inkuizicioni i mesjetës. Por dhe kjo nuk i mjafton. Shkatërron opozitën, e shkërmoq atë dhe përbuz kushtetutën e ligjet. Tani në Shqipëri, Rama është kudo. Në presidencë ai, në qeveri ai, në parlament ai, në gjykatë ai, në sport ai, në ushtri ai, në polici ai, në arsim ai. Ke frikë të hapësh dhe frigoriferin në shtëpi se të del ai.

Ndaj nuk duhet pyetur më a është i sëmurë mendor kryeministri. Se e provojmë çdo ditë që është i shkarë nga veprimet normale, të logjikshme dhe të arsyeshme. Nuk na çudit më me kapërcimet dhe akrobacitë që i bën truri. Dhe siç duket panorama tashmë atë nuk e ndal dot më partia e tij. PS-në e ka kthyer në repart ushtarak. Mbushur me 99-ça dhe me skllevër. Se i duhen për firma dhe nesër për burg. Që të mburret, reforma në drejtësi nuk pyet kush ia ha dardhat këtij.

Tashmë ai nuk kupton vidhisjen e vendit, emigrimin, varfërimin, mjerimin. Para syve i rri ajo që i gatuan truri i sëmurë. Një Shqipëri që ndrin dhe shkëlqen. Opozita po përpiqet të ringrihet nga hiri. Po bën të pamundurën. Por në këto ditë duhet kërkuar dhe ndihma e mjekëve. Që të na thonë se ky njeri nuk është normal. E t’i lenë recetën në dorë. Një mjekim i mirë shëron atë, por dhe shoqërinë shqiptare. Kur amerikanët ngrenë dyshime për shëndetin mendor të Biden, ne duhet ta kërkojmë urgjent. Çdo ditë kryeministri ynë shfaqet anormal. Ta shërojmë, aq më tepër që shëndetësinë e kemi falas.

Zjarr Tv Ad