Balluku tryezë me shoqatat e transportit: “Ministria paketë për gjithë rrjetin e linjave publike”

0
9

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e transportit publik ndërqytetas dhe ndërkombëtar që operojnë në vendin tonë. Shqetësimeve të ngritura prej tyre, Balluku ju përgjigj duke njoftuar hartimin e një pakete të re që ka për synim rregullimin e operimit të sektorit të transportit publik ndërqytetas dhe ndërkombëatar.

Ministrja tha se të gjitha problematikat e ngritura do të marrin zgjidhje, teksa i ftoi përfaqësuesit e transportit publik që të bëhet pjesë e procesit. Balluku theksoi se paketa e re që do të hartohet ka për qëllim ofrimin e një shërbimi sa më të mirë për qytetarët.

“Qytetari për ne është shumë i rëndësishëm dhe rregullimi i proceseve të operimit në sektorin tuaj do të bëhet për t’u ofruar një shërbim më të mirë qytetarëve, për të vendosur rregull dhe drejtësi në mënyrën sesi ju operoni dhe sigurisht për t’ju lehtësuar ju. Të gjithë problematikat tuaja do marrin zgjidhje dhe ju duhet të bëhet pjesë e këtij procesi”, u shpreh Balluku.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe, tha se paketa e re që po hartohet do të prek të gjitha linjat dhe zgjidhja që do të oftohet do të jetë në favor të qytetarëve.

“Po përgatisim një paketë që ministria të ketë për gjithë rrjetin e linjave. Të ketë një qartësi se çfarë është më e leverdisshme për qytetarin në radhë të parë, sepse duhet ta kuptojmë se nuk jemi as ne, as ju të parët por është qytetari. Ne duhet zgjidhim çështjen në në favor të tij, të çmimit, të tarifave, të komoditetit etj.”, nënvizoi Gonxhe.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e transportit publik shprehën shqetësime sa i takon numrit të madh të licencave që operojnë në vend, konkurencës së pandershme që u bëhet por edhe nevojën për lehtësim të disa procedurave.

Ministrja Balluku kërkoi nga drejtuesit e Task Forcës së transportit, që duke filluar nga dita e hënë të intesifikohen kontrollet në terren dhe të informohen pjesëmarrësit në takim se do të apikohen penalitetet e parashikuara nga ligji.