Big Brother VIP është një lloj pasqyre e kulturës moderne shqiptare

0
51
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Afrim Karoshi

Big Brother VIP është një lloj pasqyre e kulturës moderne shqiptare.

Më lini të shpjegohem.

Vë re dy lloj reagimesh ndaj Big Brother. Një pjesë e shijojnë, janë tërësisht të zhytur në enigmat e programit, votojnë, reagojnë sikur Luizi është djali i dajës së tyre, komentojnë ngjarjet e ditës në shtëpi, ose komentojnë perceptimin publik për ngjarjet. Luizi është shakaxhi, Olta është aktore… ajo tjetra është kështu, e ai tjetri është ashtu. Ky grup njerëzish janë ndarë në kampe, në preferenca, kritikojnë dikë, e lavdërojnë një tjetër.

Kampi i dytë, sipas reagimit që vë re unë, është duke vajtuar humbjen e identitetit të kulturës shqiptare. Sipas këtyre njerëzve, Big Brother po shkatërron kulturën shqiptare – kulturën televizive, kulturën e reagimit, kulturën e të jetuarit. Ky program po shkatërron vlerat; po e degradon publikun. Po e shkatërron publikun. Kanë merak, se çfarë do ndodhë me shqiptarët në të ardhmen, kur të mësohemi me këto vlera. E kanë merak se, shqiptarët të cilët po rezistojnë pak tani, në fund do t’ju dorëzohen krejtësisht këtyre vlerave.

Unë, në mendimet e mia të përditshme, e të pa filtruara, bëj pjesë në grupin e dytë.

Por nuk e kam iluzionin se reagimi ndaj këtij programi do të shpëtojë vlerat dhe identitetin shqiptar. E as nuk mendoj se ky program po shkatërron identitetin kulturor shqiptar.

Të dyja grupet e njerëzve, në mendimin tim, reagojmë, sepse ky program, na shpalos vlera të cilat tashmë i kemi përqafuar.

Le të shohim ca përkufizime, të cilat i ka përqafuar programi dhe të testojmë – sinqerisht – nëse tashmë e kemi pranuar këtë lloj realiteti kulturor, përpara se të fillonte Big Brother.

Kush janë VIP-at shqiptarë?

Shumë prej nesh, nuk na ka ardhur rasti të jemi në rolin e tyre, por do të bënim gjithçka për të qenë në televizor si ata. Do të shtynim, pështynim, do të bërtisnim, do të shanim, do të qëllonim me shpullë, do të thoshim fjalë të ndyra, vetëm e vetëm që të ishim si ata. Shumë shqiptarë, pasi e kanë përqafuar realitetin se të kesh para, të jep jetën që ëndërron, e kanë thjesht çështje rastësie (fatlume!) të bëhen si ata.

I kemi me merak VIP-at e Big Brother, sepse shumë të donim të ishim në vendin e tyre. Bëjmë gjithçka mundemi të jemi si ata.

Si e fitojnë disa shqiptarë një lojë?

Me intriga, fjalë pas krahëve, me miqësi që ndërtohen e shkatërrohen kafeneve, me përtaci, me idenë se vetëm ne jemi të zotë, se strategjitë tona funksionojnë, se vetëm ne e dimë se si bëhen gjërat, vetëm ne jemi më të mirët, duke i shtyrë me bërryla të tjerët nëpër rradha e nëpër institucione. Dhe si rezultat, vetëm ne duam të fitojmë. Aq të bindur jemi se jemi më të mirët dhe se e meritojmë ta fitojmë lojën, sa kur dikush na shkatërron strategjinë “fituese”, i bëjmë hasha, i shmangim, i veçojmë, i izolojmë. Nuk e pranojmë lehtë humbjen, sepse vetëm ne jemi më të mirët. Ashtu si banorët e Big Brother. A thua kjo prirje na u paraqit prej këtij programi?

I kemi me merak VIP-at e Big Brother, sepse jemi si ata, me të njëjtin egoizëm e me të njëjtën dëshirë për të fituar gjithçka.

Si ka mundësi që ata përdorin fjalë fyese e godasin njëri-tjetrin?

Ou? Si ka mundësi që njerëzit revoltohen me këtë realitet? A nuk i dëgjojmë gjithë ditën njëri-tjetrin duke përdorur terma degradues për njëri-tjetrin? Fyes? Goditje, jo thua? A nuk i shikon njerëzit që zihen përditë? Që bërtasin në telefon? Që shajnë pa pikë turpi, madje dhe kur kanë kalamaj afër? A nuk i ke parë disa, brenda familjeve tona, që lavdërohen që ju kanë mësuar fjalë të pista kalamajve?

Si ka mundësi që skandalizohemi me fjalorin, kur ne flasim ashtu përditë e publikisht?

I kemi me merak VIP-at e Big Brother, sepse jemi si ata. E kemi pranuar atë lloj stili komunikimi e mendojmë se kjo e folur është norma e përditshme.

Gjithçka për para? Ata po luajnë për para?

Seriozisht e ke? Kush prej nesh, në realitetin tonë, nuk e ka paranë idhull? Pa para, je askushi në kulturë tonë moderne. Ata që kanë, kanë gjithçka. Ne që s’kemi, s’kemi asgjë. Paratë marrin vendime për ne. Paratë caktojnë ku rrimë, e ku ikim. Paratë vendosim moralin, dhe e zhbëjnë moralin të cilin e kemi ruajtur deri tani. Për para gënjejnë politikanë, doktorë, shitës, kamarierë, priftërinjë, misionarë, ofiqarë, punonjës të administratës, pastrues, sekretarë, varrmihës, agjensi funerale, zyrtarë vendorë, gjyqtarë, roje parkingu… Paraja është idhulli i kulturës sonë.

Prandaj, gjithçka e justifikojmë për të fituar para, që na nevojiten.

I kemi me merak VIP-at e Big Brother, sepse shumë janë bërë tashmë si ata: e kemi idhull paranë dhe i masim njerëzit me të njëjtin kút.

E kuptoj. Ka përjashtime.

Por kultura nuk caktohet nga përjashtimet. Një peshk që lundron kundra rrymës është përjashtim. Por peshqit e tjerë, të shumtë, rendin me rrjedhën, drejt rrjetës që i pret aty në fund. E pothuajse të gjithë këta peshq, të ndihmuar nga rryma, po notojnë më shpejt, drejt rrjetës, drejt fundit.

Prandaj, mbaje televizorin ndezur! Dhe vazhdo notimin, si gjithë të tjerët.

Ose fike televizorin. Noto kundra rrymës. Shqyrto motivet e zemrës nëse mundesh. Filloje procesin e vështirë të ç’montimit të idhujve kulturorë. Ndonjëherë nuk i dallojmë idhujt te vetja. Kërkon ndihmë.

Në realitetin që vëzhgoj unë, ka shumë njerëz që e kanë fikur televizorin me kohë. Këta njerëz, zakonisht punojnë me orë të gjata, mbajnë familjet e tyre, çojnë fëmijët e tyre në shkollë, bëjnë detyrat me ta, takojnë miq e shokë, flasin se si të kujdesen për sigurinë e pallatit të tyre, dalin me fëmijët për një shëtitje, dhe, kur i pyet, e dinë se jeta e tyre nuk varet as nga politika (aq sa ç’duket), as nga televizori (nuk kanë kohë të shohin televizor), por mundi i tyre shpërblehet prej Perëndisë.

Big Brother do të mbarojë kur zemra të kthehet drejt adhurimit të gjërave që kanë vlerë të përjetshme. Dhe secili prej nesh, ta fitojë jetën me djersën e vet, në ndershmëri e dinjitet. Atëherë, të gjitha përkufizimet e reja të jetës moderne shiqptare – vipllëku, paratë, fama, ekrani – do të kenë ndryshuar!/jashtëkornize.al

Zjarr Tv Ad