“Çarçafi i lerosur i KM-së”, Flutura Açka pas reagimit të Ramës për kullën: Si nuk keni turp dhe rrini në fron?!

0
106
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka iu është kundërpërgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama për kullën që do të ndërtohet pas Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Kulla në fjalë do të jetë 62 kate. Në një postim në Facebook, Açka teksa nuk e ka kursyer ironitë, deputetja thekson se Rama me gjuhën e tij fyen qytetarët.

Reagimi i plotë:

Çarçafi i lerosur i KM-së

I cili qenkësh munduar të na shkruajë një kartë për Tiranën, që shihet qartë me filtër e pa filtër. Unë nuk do të zgjatem shumë që këtij pisku vere t’iu shkaktoj shqiptarëve gërditje, duke iu përgjigjur me lerë politike fjalëformimeve baltore të KM-së. Një çarçaf i lerosur i radhës është shkarrashkrimi i fundit i tij, i tillë, që iu shkakton dhimtë qytetarëve të Shqipërisë, veçmas të Tiranës, gjithaq të bërë def nga trafiku, mungesa e trotuareve, ajri i tejndotur nga ndërtimet, sheshi-gungë i padritë për shëtitje natën, mungesa e muzeve, mangësia e shfaqjeve kulturore, nga pylli orbital 3D dhe të gjitha gënjeshtrat të bëra mullar nga byku i tij politik, që ka kohë që mban erë e po na kutërbon, dhe Europën.

Turistike, është vetë Shqipëria nga Zoti dhe njerëzit e saj, jo nga KM-ja apo politika, e cila vetëm turistike nuk mund të jetë. Kam vetëm disa pyetje të thjeshta që do të t’i bënte çdo qytetar europian KM-së vendit të vet:

Si mund të rrini pa pikë turpi në fron, kur zëvendësi juaj, shqytari juaj më besnik, ka marrë arratinë. Pra nuk del para drejtësisë, edhe pse është i pafajshëm? Keni gisht ju në këtë fluturim 3D?

Si mund të rrini pa pikë turpi në fron kur mbushët të gjitha gazetat e botës me përfshirjen tuaj në korrupsionin më të shëmtuar etik dhe institucional me Amerikën në çështjen McConigal? Pse na bëni edhe ne pjesë të këtij turpi kombëtar?

Si mund të rrini ti pa pikë turpi në fron kur e nisët dhe e bitisë vetë Open Ballkan dhe nuk dhatë asnjë llogari për krisjen gjeopolitike që shkaktoi ai në politikën e Europës Juglindore dhe të vetë EU-së? A keni ju ndonjë ndjesë për këtë?

Si mund të rrini ti pa pikë turpi në fron pas ndërprerjes së fondeve europiane të IPARD II, dhe (mos e thëntë Zoti!) të IPARD III, duke njollosur ecurinë e negociatave me EU-në? Pse duhet ta vuajnë shqiptarët turpin e kësaj, dhe jo ju?

Si mund të rrini ju pa pikë turpi në fron kur një shpurë ministrash e nëpunësisht të lartë i keni në burg në lidhje me incineratorët, për të cilët me zë e figurë jeni mburrur si pastruesit e Shqipërisë që jua lanë të ndotur paraardhësit tuaj? Pse u thoni shqiptarëve që nuk keni lidhje me ta?

Si mund të rrini ju pa pikë turpi në fron kur shqiptarëve ua shkatërruat të vetmin Teatër Kombëtar dhe ua zëvendësuat me furriqe teatrore? Mjaft të vizitoni se në ç’sgëq është kthyer Art Turbina. E keni parë kohët e fundit? Kur flisni për muzetë, për çfarë muzesh e keni fjalën? Për atë të gjetheve që e ngritët për të mbuluar me gjethe krimet e komunizmit?

Si mund të rrini pa pikë turpi në fronin e shqiptarëve kur i bullizoni ata?

Edhe në çarçafin e sotëm të lerosur, edhe pse me një veshtulli më të kursyer, ju i fyeni në gjuhën që flasin në dialektet e tyre, që duken përçude për veshët tuaj elitarë, të cilët nuk janë ndërtuar prej mishi, por prej atomesh divine. Dhe as përshkohen nga ai gjak të thjeshtësh, të cilët nuk e kuptojnë zhvillimin, por nga një lëng pasionesh e ëndrrash të komplikuara përjetësie. Ne të gjithë e dimë pse ju jeni ende në fron, sepse e dimë që ju mbajnë ata që mbani. Mbani ata që ju mbajnë: një arketip që shqiptarët duhet ta shkallmojnë sa më shpejt, nëse duan që ndonjëhere atdheu i tyre të thirret edhe Europë. Në mos, do të mbeten vasalët e pashallëkut më të rrezikshëm që kaloi ndonjëherë pari në politikën shqiptare.

Zjarr Tv Ad