Dritë jeshile për punësimin e shqiptarëve në Itali

0
9

Italia jep një  mundësi të mirë për shqiptarët që kërkojnë të punësohen në këtë vend apo dhe për ata emigrantët apo studentë shqiptarë që duan të konvertojnë lejen e tyre të qëndrimit për studim, master, praktikë, shëndetësore etj në një leje qëndrimit të rregullt punësimi.

Qeveria Italiane ka dhënë dritë jeshile dekretit për të punësuar 30 850 emigrantë të rinj ekstrakomunitarë nga vendet si Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedoni, Ukraina India, Senegali, Bosnja etj.

12.850 prej tyre i jepet e drejta e lejes së qëndrimit për punësim autonom apo si vartës jo sezonale, ndërsa për 18 mijë të tjerë për punësim sezonal në sektorin e bujqësisë e hoteleri-turizmit.

Ky  dekret parashikon dhe kuotën prej 9850 emigrantë që mund të konvertojnë lejen e tyre të qëndrimit për studim, praktikë pune, etj., në leje qëndrimi punësimi kundrejt prezantimit të një kontrate të rregullt pune.

Gjithashtu qeveria italiane lejon dhënien e lejes së qëndrimit për 2400 persona profesionistë të lirë e sipërmarrës që kërkojnë të kontribuojnë në ekonominë italiane duke hapur një biznes me të paktën 3 vende pune e me një faturim të jo më pak se 500 mijë euro në vit.

Ky dekret ligjor lejon dhënien e lejes së qëndrimit dhe të gjithë atyre që kërkojnë të ndërtojnë sipërmarrje start up inovative si dhe për artistë me famë apo me kualifikim të lartë profesional që punësohen nga ente publike apo private.

Prej datës 16 prill në portalin e Ministrisë së Brendshme italiane mund të dërgohen formularët e plotësuar për emigrantët që kërkojnë punësim jo sezonal, vartës e autonom si dhe ata emigrantë që kërkojnë konvertimin e lejes së tyre të qëndrimit për motive pune.

Ndërsa nga ora 9 e mëngjesit të 24 prillit mund të prezantohen formularët e plotësuar për punësim sezonal.

Afati i prezantimit të kërkesave për punësim sezonal është 31 dhjetori 2019. Por meqë kuotat janë të limituara parashikohet një fluks i madh i tyre sidomos në ditën e parë e ashtuquajtura “clikc day” pra më 24 prill.