Ekipi i vitit

0
13
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Franca si kampione e botës ka numrin më të madh të përfaqësueseve në ekipin më të mirë për vitin 2018, derisa në nivelin e klubeve dominoi Real Madridi, pas triumfit të tretë radhazi në Ligën e Kampionëve.

David de Gea (Manchester United / Spanja)

Pavarësisht mungesës së sukseseve me Manchester Unitedin, David de Gea ka treguar paraqitje të jashtëzakonshme për gjigantin anglez gjatë vitit 2018. Reprezentuesi spanjoll shpeshherë ka qenë shpëtimtar i “Djajve të Kuq” falë pritjeve të tij vendimtare.

Dani Alves (Paris Saint-Germain / Brazili)

Ish-mbrojtësi i djathtë i Barcelonës pati paraqitje mjaft të mira për Paris Saint-Germainin, klub me të cilin fitoi çdo titull të mundshëm në Francë. Për fatin e keq të tij Alves u lëndua pak para fillimit të kupës së botës “Rusia 2018” dhe nuk arriti dot të përfaqësojë Brazilin, por pavarësisht kësaj ai përsëri e gjeti veten në formacionin e 2018-s.

Raphael Varane (Real Madrid / Franca)

Raphael Varane pati një vit të shkëlqyeshëm si në nivelin e klubeve, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Qendërmbrojtësi së pari e ndihmoi Real Madridin drejt titullit të tretë radhazi në Ligën e Kampionëve, kurse më pas ishte shtylla e mbrojtjes së Francës në triumfin në Kupën e Botës.

Sergio Ramos (Real Madrid / Spanja)

Së bashku me Varanen, kapiteni i klubit mbretëror ishte shtyllë e pathyeshme e Real Madridit drejt triumfit të tretë radhazi të Ligës së Kampionëve. Sergio Ramos nuk arriti të tregojë më të mirën e tij me përfaqësuesen e Spanjës në Botëror, por prapëseprapë kjo nuk i pengoi që ai të jetë pjesë e formacionit më të mirë të vitit për herë të tetë rresht.

Marcelo (Real Madrid / Brazili)

Një tjetër futbollist i Real Madridit në formacion, Marcelo ishte motori i pandalshëm në krahun e majtë të madrilenëve drejt rrugëtimit të tyre në triumfin e Ligës së Kampionëve. Reprezentuesi brazilian realizoi 5 gola dhe 11 asistime në edicionin 2017/2018 për gjigantin spanjoll.

Luka Modric (Real Madrid / Kroacia)

Nuk kishte si të mungonte futbollisti i cili fitoi çmimin “Lojtari më i Mirë i Vitit” nga FIFA. Për Luka Modricin 2018-a ishte viti i tij më i mirë i karrierës së tij. Ai së pari ndihmoi Real Madridin që të fitojë Ligën e Kampionëve, kurse më pas udhëhoqi Kroacinë drejt rrugëtimit historik në finalen e Kupës së Botës, ku u mposhtën nga Franca.

N’Golo Kante (Chelsea / Franca)

Mesfushori i palodhur i Chelseat, N’Golo Kante, edhe një herë tjetër tregoi klasin e tij gjatë vitit 2018. Pas triumfit në FA Cup me Chelsean, Kante ishte njëri prej futbollistëve kyç të Francës në suksesin e saj në Kupën e Botës, shkruan më tutje Zëri.

Eden Hazard (Chelsea / Belgjika)

Sulmuesi i Chelseat, Eden Hazard, ndihmoi klubin londinez që të fitonte trofeun e FA Cup falë golit të tij. Ndërsa në verë ishte futbollisti më i mirë i Belgjikës, që e mbylli Botërorin në vendin e tretë, duke e siguruar arritjen më të madhe në historinë e futbollit të këtij shteti.

Kylian Mbappe (Paris Saint-Germain / Franca)

Sensacioni i vitit 2018, Kylian Mbappe, fitoi titullin e ligës franceze, Kupën e Ligës dhe Kupën e Francës me Paris Saint-Germainin. Ndërsa në verë ishte vendimtar me golat e tij për përfaqësuesen e Francës në triumfin e Kupës së Botës. Mbappe realizoi katër gola në Botëror, njërin prej të cilëve e shënoi në finalen e Moskës.

Lionel Messi (Barcelona / Argjentina)

Pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, Lionel Messi, u eliminua në të tetën e finales së Botërorit me Argjentinën, por e ndihmoi Barcelonën që të fitojë La Ligën dhe Kupën e Mbretit. Ylli argjentinas e mbylli edicionin 2017/2018 me 45 gola dhe 18 asistime të realizuara.

Cristiano Ronaldo (Real Madrid, Juventus / Portugalia)

Ylli portugez, i cili u transferua te Juventusi gjatë verës së kaluar, shënoi plot 15 gola në suksesin e Real Madridit në Ligën e Kampionëve, duke e ngritur këtë trofe për herë të pestë në karrierën e tij.

Zjarr Tv Ad