Rrugët e Belinda Ballukut, që të lënë në rrugë

0
0

Shembjet e rrugëve të sapoinauguruara po ekspozojnë realitetin e projekteve më të kushtueshme të qeverisë. Nga Qukës–Qafë Plloçë te Korçë–Ersekë, te Rruga e Arbrit dhe tek autostrada Thumanë – Kashar, tejkalimet buxhetore, vonesat dhe punimet me cilësi të dobët janë kthyer në kryefjalë të investimeve infrastrukturore.

Kur erdhi në pushtet, Kryeministri Rama premtoi se qeverisja e tij nuk do ndalej vetëm në hedhjen e “buxhetit” të shtetit vetëm për rrugët, por përgjatë këtyre tre mandateve edhe ai, njësoj si paraardhësit e tij, u fokusua tek akset rrugore.

Rrugë të kushtueshme, që marrin kohë për t’u ndërtuar, por pa cilësi dhe shemben me një të “rënë të lapsit”.

Shembja e lotit 3, segmentit më të kushtueshëm të rrugës Qukës–Qafë Plloçë, vetëm pak javë pas inaugurimit, nxjorri në pah problematikat se si po ndërtohen këto akse.

Nga tendera të fryrë në numra, tek alarmi i materialeve që përdoren, te kohëzgjatja e përfundimit të punimeve, dëshmjonë qartë abuzimet me këto investime.

Ishte viti 2014 kur Parlamenti miratoi marrëveshjen e huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për financimin e projektit të ndërtimit të rrugës Tiranë – Elbasan – Qukës – Qafë e Plloçës.

Pas këtij momenti nis ecejakja që “përfundon” 11 vjet më vonë, me një pirg betoni në mes të rrugës.

Rruga Qukës–Qafë Plloçë u tenderua e ndarë në tre lote. (Praktikë e parë edhe tek Unaza e Madhe, shqetësim që e kanë ngritur ekspertët: përse një aks ka nevojë të fragmentarizohet?)

Loti 3, i cili përfshinte një gjatësi totale prej 9.5 kilometrash, fillimisht ishte parashikuar të kushtonte 25 milionë dollarë. Por kjo shumë, çuditërisht, nuk mjaftoi, ndaj u shtuan edhe 25 milionë të tjerë, duke përfunduar në afro 50 milionë vetëm për këtë lot.

Histori të ngjashme me lëvizje të vazhdueshme buxhetesh ka patur edhe përgjatë loteve të tjera. Bilanci i kësaj rruge, vetëm për 43 kilometra, është plot 260 milionë Euro.

Nga projektimi te përfundimi mori afro një dekadë e gjysëm. Por një muaj pas inaugurimit, me valle e kërcim nga Kryeministri Rama dhe Zv.Kryeministrja Balluku, ky aks u shemb. Mjaftoi vetëm një shi i fortë.

Kjo shembje ishte paralajmëruar nga KLSH, e cila vinte në pah se ndërtimi i kësaj rruge ishte bërë pa patur në konsideratë formën e saj, zgjerimet apo mbrojtjet nga rrëshqitja e dherave.

Një tjetër rrugë problematike është ajo e Korçë–Ersekë, ku një vit më parë pati rrëshkitje dherash dhe krisje të saj. Edhe pas motit të keq, kjo rrugë ka dhënë shenja përkeqësimi dhe dëmtimi.

Vlera e ndërtimit të saj është po ashtu e lartë. Ndërtimi ka kushtuar 80 milionë Euro, ndërkohë që çështja e tenderimit dhe ndërtimit të këtij segmenti është aktualisht nën hetim nga SPAK.

Rruga Korçë–Ersekë është gjithsej 35 kilometra e gjatë, me vetëm një korsi për drejtim. Ndërtimi i aksit u nda, si gjithmonë, në lote. Loti i parë me gjatësi 18 kilometrash. Rruga Korçë–Ersekë duhej të përfundonte në qershor të 2023. Por afati u shty me një vit, për shkak se ky aks nuk priti inaugurimin për t’u shembur.

Akse të tjera gjithashtu janë problematike, të papërfunduara dhe me fatura të majme.

Aksi Thumanë–Kashar, me një kosto prej 330 milionë Euro, është një rrezik i theksuar për përdoruesit, e papërfunduar, me hyrje-dalje të papërfunduara për kamionët e disa lavatriçeve betoni përgjatë saj, me një daljë të ngushtë dhe të sajuar për tu lidhur me aksin e vjetër drejt Fushë-Krujës pas protestave të banorëve, mban ujë të konsiderueshëm në sipërfaqe, ka disnivelim në afërsinë e të gjithë urave, të cilat “hedhin makinat në ajër”, mungesë të theksuar të shesheve të shërbimit/pushimit sipas standardeve të një autostrade evropiane, dhe një sërë problematikash të tjera.

Në të njëjtën situatë ndodhet edhe rruga e Arbrit, një rrugë që duket se është “destinuar” të mos përfundojë asnjëherë, por të marrë pjesë nga buxheti përherë, përgjatë të cilës rrëshkitjet e dherave janë kthyer në një fenomen të zakonshëm.

Në fillim të mandatit të tij të parë, Kyeministri kritikonte paraardhësin e tij dhe thoshte se “sot në vitin 2013, Shqipëria nuk ka asnjë metër rrugë të certifikuar dhe të plotësuar sipas standardeve europiane, siç i kanë të gjitha vendet e Bashkimit Europian, ose që janë kandidate për në Bashkimin Europian.” Dhe megjithatë, edhe pas 15 vjetësh standardet janë shumë të mira në kontrata, por shumë larg realitetit të asfaltit që hedhim në këto akse, apo standardit të premtuar nga Kryeministri më shumë se një dekadë më parë./ ACQJ

Zjarr Tv Ad