Nga Boldnews.al
Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet Ulsi Manjës dhe Taulant Ballës, vendosi të refuzojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për autorizimin për arrestimin e Belinda Ballukun, një vendim politik që nuk ishte aspak surprizë.
Rama ka shumë arsye për të mbrojtur zëvendësen e tij, të akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera” për procedurën e Tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për të njëjtën vepër penale për ndërtimin e disa loteve për ndërtimin e Unazës së Madhe.
Në aspektin politik, Rama nuk e lëshoi Ballukun, për shkak të peshës së saj elektorale. Në aspektin personal, Rama ka mbi dy dekada bashkëpunim me Belindën. Në aspektin “financiar”, Balluku ka zbatuar rregullisht porositë e Ramës për “ndarjen e tenderave”, siç e akuzon me të madhe opozita, por jo vetëm.
Në këtë kuptim, fraza e përmendur nga Ulsi Manja, në cilësinë e anëtarit socialist të Këshillit Parlamentar të Mandave dhe Imuniteteve se, “ne nuk rekomandojmë dhënien e autorizimit për Belinda Ballukun”, ishte më se e pritshmja nga maxhoranca.
Manja, për të kamufluar vendimin politik personal të Ramës, përmendi në raportin e tij rekomandues disa aspekte proceduriale, mbi të cilat u vendos refuzimi për arrestimin e Ballukut.
Janë disa elementë, të cilët tashmë e hodhën dorashkën e sfidës në tavolinën e Prokurorisë së Posaçme.
Kurioziteti publik në këtë moment është se cilat hapa do të hedhin më tej prokurorët e posaçëm.
Varianti i parë dhe më i thjeshtë është vijimi i hetimeve ndaj Ballukut nën masat e sigurimit që janë tashmë në fuqi-“ndalim për dalje jashtë shtetit” dhe “pezullim nga detyra” (kjo e dyta, tashmë e pakuptimtë, për sa kohë Belinda u shkarkua nga detyra e zv.kryeministres).
Varianti i dytë është thellimi i hetimeve për vepra të tjera penale, fjala vjen “korrupsion pasiv” dhe/ose “pastrim të produkteve të veprës penale” (pastrim parash), të sigurojë prova të reja dhe t’i drejtohet sërish Parlamentit me kërkesën për autorizimin për arrestimin e deputetes Belinda Balluku.
Teorikisht, SPAK-u nuk ka asnjë arsye për t’u vendosur në kurs përplasjeve me qeverinë, një tagër që i takon vetëm opozitës. Prokuroria e Posaçme ka detyrimin kushtetues të bëjë hetime, të kërkojë masa sigurimi kur e vlerëson të nevojshme, të mbyllë hetimet, të përfaqësojë akuzën në gjykatë.
E parë në këtë këndështrim formal, varianti i parë, pra ai i vijimit të hetimeve ndaj Ballukun pa asnjë lloj ndikimi nga refuzimi i Ramës për të dorëzuar zëvendësen e tij, është më komodi për prokurorët. Ata nuk krijojnë kokëçarje me pushtetin e Edi Ramës dhe raportojnë tek “partnerët ndërkombëtarë” statistika për procedime ndaj zyrtarëve të lartë.
Por, a është kjo që kërkohet dhe pritet nga Prokuroria e Posaçme?
Këtë të Hënë (9 mars 2026), SPAK-u mori një goditje të fortë publike. Kryeministri Edi Rama angazhoi të gjithë makinerinë e tij politike dhe propagandistike, për t’u thënë militantëve dhe ndërkombëtarëve se Prokuroria e Posaçme kërkoi arrestimin e Ballukut, pa prova dhe me “thashetheme”.
Prozhektorët publikë tashmë drejtohen mbi Drejtuesin e SPAK-ut, Klodian Braho. Ai nuk ishte në detyrë kur prokurori i çështjes, Dritan Prençi, i mbështetur nga drejtuesi i tij në 16 dhjetor 2025, Altin Dumani, dorëzuan në Parlament kërkesën për autorizimin e arrestimit/heqjes së lirisë për Belinda Ballukun.
Megjithatë, Klodian Braho drejtoi grupin e prokurorëve në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve. Rasti “Balluku” ishte sfida e parë e tij madhore në krye të SPAK-ut dhe, për shkak të qëndrimit politik të Ramës, rezultoi e dështuar.
Braho ka në dorë të tregojë nëse do të pranojë këtë “humbje” apo do të vijojë të dëshmojë “strategjinë luftarake” të paraardhësit të tij.
Në “100-ditëshin e parë” në krye të SPAK-ut, Klodian Braho ende nuk ia ka bërë “bam”. Me rastin e Belinda Ballukut ai ka mundësinë të tregojë nëse Prokuroria e Posaçme do të mbaj profilin e goditjes në nivele të larta apo do ta shndërrojë SPAK-un në një zgjatim të rëndomtë të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm.




