Ballina Blog Faqe 115

Bejko: Problemi në PD është Sali Berisha, jo Flamur Noka

0

Pas turit në bazë dhe foltoreve paralele me Berishën, Ervin Salianji u kthye në selinë e PD në mbledhjen e kryesisë, ku nxori hapur qëllimin e tij: të ikë Flamur Noka, për t’i lënë vendin atij si numri dy i partisë.

Sali Berisha nuk ndërhyri, vetëm mbajti shënim teksa dëgjonte përplasjen, kur Salianji kërkoi largimin e Nokës. Mesa duket, debati nuk shqetëson askënd për sa kohë nuk bëhet për numrin 1, pasi të dytin e partisë, në çdo rast, e përcakton vetë Berisha.

Analisti Roland Bejko, i ftuar në emisionin “Ora e Fundit”, vuri në dukje se tensionet e brendshme të PD po dëmtojnë partinë. Ai theksoi se problemi në Partinë Demokratike nuk është Flamur Noka, por vetë Sali Berisha.

“Mendoj se akuzat e ndërsjella që i bëjnë figurat e PD njëri-tjetrit nuk i bëjnë mirë partisë, pasi i demoralizojnë edhe mbështetësit. PD mundohet të krijojë probleme aty ku nuk ka probleme. Salianji u kritikua se mblodhi njerëz. Problemi nuk është Noka, por Berisha. Berisha i ka thënë se njerëzit në Gjirokastër i ka mbledhur ‘kukulla’ e Edi Ramës. Berisha njoftoi protestën që të zhdukë çështjen Salianji”, tha Bejko.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

PD paralajmëroi bojkot, Balla: Do reflektojnë pasi të hanë gjelin e detit

0

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar bojkotin e opozitës duke e cilësuar atë si një “vendim emocional”, ndërsa ka bërë thirrje që Partia Demokratike të rikthehet në normalitet parlamentar pas festave të fundvitit.

Në një deklaratë për mediat, Balla theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar për rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sipas tij, synimi i qeverisë është që bisedimet për anëtarësim të përmbyllen brenda vitit 2027, ndërsa procesi i ratifikimit dhe anëtarësimi i plotë të realizohen brenda vitit 2030. “Në këtë kontekst, nuk ka vend për kushte, kërcënime apo shantazhe ndaj mazhorancës dhe Kuvendit”, u shpreh Balla.

Ai u ndal veçanërisht te qëndrimi i opozitës për komisionet parlamentare, duke theksuar se mazhoranca nuk do të lejojë bllokimin e reformave. “Pakica nuk mund të marrë peng nevojën e reformave. Nëse opozita nuk reflekton dhe nuk kthehet në komisione, atëherë ne do të respektojmë vullnetin e shqiptarëve që kanë caktuar se kush është shumica dhe kush pakica”, deklaroi Balla.

Sipas tij, vendimi i PD për bojkot është i kuptueshëm në kushtet emocionale të javës së kaluar, por ai shprehu bindjen se “emocionet do t’u kalojnë pas gjelit të detit dhe bakllavasë” dhe në janar opozita do t’i rikthehet punës parlamentare.

Në deklaratën e tij, Balla foli edhe për nismën e Partisë Socialiste për ngritjen e një Komisioni Etike brenda partisë, duke sqaruar se bëhet fjalë për një strukturë partiake dhe jo vetëm për grupin parlamentar. Ky komision, sipas tij, është pjesë e hapave të paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama për forcimin e standardeve etike dhe të përgjegjshmërisë politike.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Firmat për Avokatin e Popullit, Artan Fuga: Historia e turpit vazhdon!

0

Akademiku Artan Fuga ka reaguar ndaj debatit politik të ditëve të fundit, lidhur me zgjedhjen e Endrit Shabanit si Avokat i Popullit dhe deklaratën e Partisë Demokratike se firmat e tyre për këtë kandidaturë ishin hedhur gabimisht dhe më pas tërhequr.

Në një status të publikuar në Facebook, Fuga ngre një sërë pyetjesh dhe dyshimesh mbi qëndrimin e demokratëve, duke e cilësuar këtë veprim si “histori turpi” dhe duke e shoqëruar me nota ironike e sarkastike.

Reagimi

Historia e turpit vazhdon….

Thonë se ishte gabim që dhanë firmat për atë kandidatin për avokat (hahahaha) të popullit (hahahaha) që e emërojnë ata që ky kandidati duhet t’i përballë (hahahahaha) për të mbrojtur (hahahaha) popullin!

Por, nuk na thonë as deputetët, as drejtuesit e PD, as këta përfaqësuesit e partive popopozitare, se përse e bën këtë gabim!

E bënë për shakà?

Ishin të dehur ose të droguar?

Firmosin fap e fap, hajde kos për të tërë?

Kanë marrë lekë?

Nuk donin avokat populli tamam sepse edhe ata e përbuzin popullin?

Kanë marrë shërbime nga pushteti nën dorë?

Hanë kumbulla mbas kurrizit të kryesisë? Hahahaha: iu hakan edhe këtyre kumbulla pas kurrizit!

Iu janë trashur trutë nga dhjami i deputetit?

Nuk kanë logjikë politike?

Duan t’i marrin partinë e kushërinjve kandidatit?

Firmosin ç’u vënë në tavolinë dhe as denjojnë nga dembelizmi të shohin ç-firmosin?

Kështu firmosin edhe për ligjet, si në bordero?

Nuk ka më drejtim, por secili bën çfarë i vjen në tru dhe secili bën pazare individuale me Non’Dajën?

Këtu nuk shpëtojnë dot më! Ja sheshi, ja mejdani!

Pse? Pse gabuan? Se nuk gaboi njëri, por nja tridhjetë! Duket fare qartë se kanë marrë orientim!

Thellohuni, thellohuni! Se po i merrni lekët nga taksat tona kot! Po shpërdoroni fonde publike! Në grup!

Mua aq më bën! Por, pa nxjerrë se kush i urdhëroi këta për firmë dhe pa e qëruar atë ose ata nga të gjitha forumet, laraska mbet te gracka!

S’ka më demokrat veç ndonjë të fiksuari që iu beson!

Lëre t’u besojnë intelektualët!

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

U hoq si mbesa e Ramës, Ermes Hoxhalli tregon detaje nga mashtrimi: Nuk jam i vetëm në këtë skemë…

0

Rasti i Ermes Hoxhallit ka tronditur opinionin publik jo vetëm për shkallën e manipulimit, duke përfshirë emrin e Ambasadës Amerikane për të fituar besueshmëri me projektin e bursave në shkollat shqiptare, por edhe për mënyrën se si institucionet shtetërore u mashtruan përmes një identiteti të rremë, vetëm se menduan se po punonin me mbesën e kryeministrit.

Në një rrëfim për Top Channel, pasi ka shlyer dënimin me burg, ai tregon se ka kaluar përmes një procesi të rrallë psikologjik dhe social, krijimin e një bote paralele, ndërsa tregon edhe detajet nga mashtrimi duke pretenduar se nuk është i vetëm në këtë skemë.

Pjesë nga intervista

 A mund të na tregosh se si lindi Klea Rama?

Ermes Hoxhalli: Unë do t’ju them që nuk kam unë autorësinë e këtij personazhi.

Por ju jeni i dënuar, keni kryer burg për këtë vepër.

Ermes Hoxhalli: Patjetër që kam kryer, por kjo nuk do të thotë që drejtësia është perfekte.

Nuk e ndjen veten fajtor?

Ermes Hoxhalli: Unë e ndjej veten fajtor në një pjesë të gjësë, jam pjesë e baltës. Gjithë të tjerët që kanë qenë në lëvizje të këtij personazhi duhet të jenë para drejtësisë. Por u morën vetëm me mua dhe vulat që kisha bërë prej Ambasadës. Kaq. Dhe unë, një çmenduri që e bëra atë gjë. Nuk janë analizuar thelbi, detajet, motivet. Mbylleshin seancat brenda 5 minutash, sa për të mbyllur një dosje dhe për të kaluar në një tjetër.

Kush duhet të jetë para drejtësisë përveç teje?

Ermes Hoxhalli: Kjo gjë ka lindur në Ministrinë e Arsimit dhe ka rrjedhur më pas në të gjithë institucionet e tjera arsimore. Duhet të përgjigjen së pari zyrtarët e ministrisë se si është mundur që është futur ky projekt. Institucionet me të cilat unë jam ende në proces gjyqësor nuk kanë hedhur dritë mbi të vërtetën.

Por ti je i dënuari i vetëm, Ermes. Si e pranove kaq lehtë kur nuk ke qenë vetëm?

Ermes Hoxhalli: Drejtësia për mua është ndërgjegje. Edhe unë nuk e di se si ata flenë gjumë, si jetojnë me këtë barrë mbi supe. Se unë e kam hequr tashmë nga vetja ime.

Por si u bëre pjesë? Si nisi?

Ermes Hoxhalli: U bëra pjesë nga disa persona që njihja.

Si e perceptoje, të dukej si një lojë, si një idealizim i dikujt që do doje të ishe?

Ermes Hoxhalli: Jo si një lojë, por si një marrëdhënie merr edhe jep për diçka si kjo që u bë.

Përfitimi ishte monetar, emocional, të ishe pranë njerëzve me rëndësi?

Ermes Hoxhalli: Një mori e të gjithave, pak nga të gjitha. Mbase kjo do më hapte dyert, sepse unë nuk i kam pasur dyert gjithmonë të hapura.

Mund të na tregosh, duke u rikthyer në hapat e parë në përfshirjen në këtë skemë, cili ka qenë roli yt?

Ermes Hoxhalli: Roli im? Ka qenë editimi i disa vulave, posterave, fotove, email-eve.

Emaile që kishin përmbajtje? Me kë flisje, drejtues shkollash, përfaqësues të Ministrisë?

Ermes Hoxhalli: Emailet kanë qenë thjesht një formë shumë institucionale me përmbajtje, pra e tipit shkresa, orare, dokumente… jo marrëdhënie konfidenciale me këta drejtues, siç e përmendët ju.

Si arritët të përfshinit shkollat në rang kombëtar?

Ermes Hoxhalli: Me urdhër nga Ministria.

Si arritët të bindnit Ministrinë, vetëm me faktin se u prezantuat si mbesa e kryeministrit?

Ermes Hoxhalli: Është dhënë urdhri brenda tre ditësh. Si ka mundësi që jepet urdhri kaq shpejt?

Pse mendove se duhej krijuar ky identitet i Klea Ramës?

Ermes Hoxhalli: Për mbiemrin që kishte.

Pati efekt, siç rezultoi…

Ermes Hoxhalli: Sigurisht që pati efekt. Por që dhe Ermes të ishte aty e të vinte nga ministrja, sigurisht do të kishte efekt. Nga zv.ministrja e institucionet, pastaj të gjitha shkollat janë të detyruara ta zbatojnë si gjë. Ideja është jashtëzakonisht e mirë, por mënyra e gënjeshtërt që është paraqitur është e gabuar, sepse unë jam marrë paralelisht me projekte kombëtare në bashkëpunim me Ministrinë tjetër.

A ka pasur komunikime me zë?

Ermes Hoxhalli: Sigurisht që ka pasur, si mendon se mund të flasësh mbi një vit dhe nuk do të kesh telefonata me zë?

Pse duhej të falsifikoje vulat e Ambasadës?

Ermes Hoxhalli: Për ta bërë procesin sa më të besueshëm.

Çfarë mendove në atë moment… apo nuk e mendove gjatë?

Ermes Hoxhalli: Nuk e mendova.

Si mendove pasojat?

Ermes Hoxhalli: Shiko, kur njeriu gjendet përballë një gjëje të mirë dhe që për të shkuar te ajo duhet të kalojë në pengesa shumë të këqija, gënjehet nga e mira dhe detyrohet ta bëjë pa e menduar në mënyrë të ftohtë.

Pra e besoje që studentët do shkonin me bursë, do udhëtonin drejt Amerikës?

Ermes Hoxhalli: Isha unë ai që bëra vulat dhe e dija që s’do shkonin diku.

I hartoje ti testet?

Ermes Hoxhalli: Jo, testet vinin nga Ministria apo nga QSHA, mos gabofsha, kishin eksperiencë me provimet e maturës.

Kur u trembe? Kur e kuptove çfarë po bëje?

Ermes Hoxhalli: Kur isha pjesë e saj dhe kjo gjë po bëhej shumë e madhe.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Tone të larta dhe akuza, ja debati mes Salianjit dhe Nokës në mbledhjen e PD-së

0

Mbledhja e kryesisë së PD ku u njoftua protesta kombëtare e 22 dhjetorit, është shoqëruar me debate të forta në pjesën kur ka qenë pa praninë e mediave.

Në përballjen e parë që pas foltores që nisi ish deputeti demokrat, Ervin Salianji, lëvizja e tij ishte pjesë e diskutimeve mes anëtarëve të kryesisë, ku u përfshi edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha.

Gjithçka nisi pas largimit të mediave, ku sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka akuzoi Salianjin se me lëvizjen që sapo ka nisur, po i shërben Edi Ramës.

Me lëvizjen tënde po i shërben socialistëve”, iu drejtua Noka ish deputetit demokrat, teksa mori edhe mbështetjen e kryetarit të PD-së.

Me ata që po bën ti foltore, ata kanë punuar për PS-në në zgjedhje”, mësohet të ketë thënë Berisha.

Si përgjigje, Salianji akuzoi numrin dy të demokratëve se ka shkatërruar strukturat e PD-së dhe duhet të marrë përgjegjësi e të japë dorëheqjen.

Jep dorëheqjen Flamur, e pafalshme gabimi me Avokatin e Popullit dhe shkatërrimi i partisë, dil tako demokratët nëse i takon dot”, mësohet të këtë thënë Salianji.

“Sot mendova se e kishim mbledhjen për të rrezuar Ramën, e paskeni me ne”, vijoi më tej ish-deputeti demokrat.

Burimet bëjnë të ditur se përgjigja për Salianjin ka qenë për ta bërë analizën brenda strukturave të partisë dhe “të mos dalë anash”.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura, ku nuk kanë munguar as tonet e larta, Noka është mbështetur edhe nga dy deputetët Elda Hoti dhe Blendi Himçi, të cilët i kanë kujtuar Salianjit se u ka kërkuar që të mbështesin me firma Endrit Shabanin.

Gjatë pjesës së hapur të mbledhjes së Kryesisë, Berisha foli pa emra edhe për zjarrfikës të protestave të opozitës.

Duhet të flasin qytetarët me protestën e tyre. Sa janë ata që duan të flasin me protestën e tyre? 1 mijë? Ne në krye. 2 mijë? Ne në krye. 300? Ne aty. Por rrugë tjetër nuk ka. Të gjitha rrugët e tjera janë rrugë zjarrfikësish. Duhet t’i shohim gjërat siç është. Ne nuk bëhemi kurrë zjarrfikës”, deklaroi Berisha.

Debati i plotë: 

Pas daljes se mediave sipas pikës 1 të rendit të ditës, e vetmja pikë në rend dite, fillojnë diskutimet për protestën:

Sali Berisha: Duhet të kërkojmë falje publike secili prej deputetëve që ka firmosur për Avokatin e Popullit dhe Rama le ta gëzojë siç ka 98% të shkoje 99% të pushtetit.

Jozefina Topalli: Jo mar mos e gëzoftë

Sali Berisha: Ta gëzojë ne nuk do merremi as në Gjykatën Kushtetuese, ky ishte gabim dhe ne duhet ta pranojmë.

Agron Gjekmarkaj: Ofroj dorëheqjen për rastin e Avokatit të Popullit.

Bislimi Ahmetaj: Mendoj që përgjegjësinë e ka Flamur Noka për gjithë këtë çorganizatim të organizuar që ka partia dhe mendoj se do e kemi të vështirë të na vijnë njerëz. Me këtë reagim po neglizhojmë demokratët dhe avokati i popullit është përgjegjësi e Nokës. Me Salianjin nuk kam pasur simpati se jemi përplasur por sot me lëvizjet që po bën i jap të drejtë.

Flamur Noka: Në Durrës nuk kanë qenë demokratë, Arlind Boshku dhe Tan Burgia janë zara të Dyrmishit dhe Ergysit.

Ervin Salianji: Janë sekretari i degës dhe kryetari i grupit të këshilltarëve të PD, pse sot që nuk mendojnë si ju janë kundër këta?! Po këta emrat e PS pse nuk i përmendni ju në publik

Flamur Noka: Në Elbasan njerëzit thonë që po angazhohet Suel Çela për të mos pasur njerëz në tek foltorja dhe ky është ndikimi jot (Salianjit)

Ervin Salianji: Ende nuk e kam caktuar takimin por meqë deri sot kam menduar që s’dua përçarje dhe as dua të flas po të them që ti duhet të jesh i kujdesshëm sepse ke qenë i akuzuar para 4 vitesh se mblidhje firmat e seksioneve nën kërcënimin e Suelit, pastaj se kush e takon ju e dini që ja u sjell me fakte nëse vazhdoni me këto idiotësira.

Flamur Noka: Në Gjirokastër nuk kishe kryesi

Ervin Salianji: Lexon gjithë emrat e Kryesisë, mbi 80% e Kryesisë dhe salla plot, por dhe sikur pse nuk shkon ti Flamur apo ndonjë tjetër dhe t’i mbushësh sallat? Avokati i popullit ishte gabim strategjik, PD duhet të shkonte me një kandidat, e kemi dërguar në para 4 vitesh Ledio Braho, kandidat të vetëm dhe e ka rrëzuar Rama, nuk mund t’i thuash ti deputetëve që firmosni ke të doni dhe pastaj thua pse na e hodhi Rama, duket si pazar tek njerëzit dhe ti Flamur meqë po i del për zot duhet të japësh dorëheqjen, për shkatërrimin e strukturës, organizimit dhe perceptimin që jeni shit tek Rama.

Bled Himci: Salianjin e kam mik por tek takimi i Elbasanit ka pasur njerëz të PSD dhe njerëz që s’kanë punuar për PD dhe Salianji më ka thënë që të firmosja për Endrin

Ervin Salianji: As kam qenë në Elbasan këtë periudhë as kam bërë takim deri tani, ndërkohë që ca të them të kanë detyruar ta thuash e thua por kujtohu se ti po e shoh as nuk e paske emrin në listë, qesharak mund të bëhesh dhe me vetëdijen./Top Channel

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Mbledhja e kryesisë/ Agron Gjekmarkaj dorëzon dorëheqjen si nënkryetar i PD, kërkohet edhe shkarkimi i Bardhit e Nokës

0

Agron Gjekmarkaj i ka dorëzuar dorëheqjen nga funksioni i nënkryetarit të Partisë Demokratike kryetarit të saj, Sali Berisha, por ky i fundit raportohet se nuk ia ka pranuar.

Gjekmarkaj ka pranuar se firma e vendosur për kandidaturën e Endri Shabanit për Avokat të Popullit, ka qenë një gabim, dhe në këtë kuadër i ka komunikuar Berishës vendimin për të dhënë dorëheqjen.

Gjatë debatit në mbledhje, Sali Berisha, tha se procesi i firmosjes për Avokatin e Popullit ishte një gabim i rëndë politik.

Berisha ka kërkuar që deputetët që kanë firmosur të dalin publikisht dhe të kërkojnë falje.

“Duhet të kërkojmë falje publike secili prej deputetëve që ka firmosur për Avokatin e Popullit dhe Rama le ta gëzojë, siç ka 98% të pushtetit, të shkojë 99%”, mësohet të ketë deklaruar Berisha.

Në këtë moment ka ndërhyrë Jozefina Topalli, e cila ka kundërshtuar këtë qëndrim: “Jo mor, mos e gëzoftë”.

Ndërsa Berisha ka insistuar se Partia Demokratike nuk do ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

“Ta gëzojë. Ne nuk do merremi as në Gjykatën Kushtetuese. Ky ishte gabim dhe ne duhet ta pranojmë”, është shprehur Berisha gjatë mbledhjes.

Ndërkohë, Bislim Ahmetaj duket se ka qenë i revoltuar ndaj sekretarit të partisë, Flamur Noka duke shtuar:
“Mendoj që përgjegjësinë e ka Flamur Noka për gjithë këtë çorganizim të organizuar që ka partia dhe mendoj se do e kemi të vështirë të na vijnë njerëz. Me këtë reagim po neglizhojmë demokratët dhe Avokati i Popullit është përgjegjësi e Nokës. Me Salianjin nuk kam pasur simpati, se jemi përplasur, por sot, me lëvizjet që po bën, i jap të drejtë.”

Ahmetaj ka kërkuar mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të vendosur për dorëheqjen e Gjekmarkajt dhe shkarkimin e Gazment Bardhit dhe Flamur Nokës.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Lapaj: Rama më propozoi të bëhesha zëvendëskryeministër…

0

Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, është shprehur se kryeministri Edi Rama i ka ofruar poste qeveritare gjatë muajve qershor dhe korrik të këtij viti.

Në një intervistë për emisionin “Zonë e Lirë”, Lapaj tha se Rama e ka kontaktuar personalisht për t’i propozuar fillimisht postin e zëvendëskryeministrit, ndërsa më pas edhe atë të ministrit të Bujqësisë.

Ka pasur dy momente. I pari në fund të muajit qershor dhe i dyti në javën e dytë të korrikut. Në qershor më propozuan të bëhesha zëvendëskryeministër, ndërsa në korrik ministër i Bujqësisë”, tha Lapaj.

Ai theksoi se e ka refuzuar ofertën, duke u shprehur se nuk do të pranonte kurrë të bëhej pjesë e qeverisë Rama, pasi e konsideron veten kundërshtar të sistemit aktual politik.

Si një njeri antisistem dhe si dikush në opozitë me Edi Ramën, nuk do të shkoja kurrë në qeveri me të. Koha i çon të gjitha në vend”, shtoi Lapaj.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

“Daja”, si fabrikimi më i frikshëm i Rilindjes

0

Nga Ferdinand Dervishi

E kuptuam të gjithë historinë e “Dajës”.

Ai u shfaq në tregun politik shqiptar me gjithë sharmin e brezit të ri. I fabrikuar si në epruvetë, me lukun e kuruar, posturën e duhur, fjalimet e përmbajtura, përgjigjet ekzakte në debate televizive, lëkurën e butë dhe duart e vogla të një njeriu, i cili, në punë, i ka hipur kalit të mendjes.

Pas, për fabrikimin e tij, kishin rrëshqitur para, bursa, shkollime në top universitete, dhjetëra pedagogë në dispozicion, qindra miq e futje miqsh.

Dikur “Daja” u shfaq për publikun dhe popullin si shpresë e politikës së re.

Kishte ca të palëçitur që thonin se “Daja” është lidhje e fshehtë e Liderit Global, e kryebashkiakut b… çelik, pjellë e Sorosit, por… imazhi i tij besohej, madje votohej.

Sepse “Daja” e kuronte vazhdimisht. Dërgonte çështje të korrupsionit qeveritar në SPAK, dilte në debate televizive, herë me dy mini bunkerë, që simbolizonin partitë e betonuara dhe pa rreze drite të Ramës dhe Berishës dhe herë, ah…, me një merimangë të madhe prej gome.

“Daja” thoshtë se këmbët e merimangës ishin ato që kishin thurur NET-in, apo rrjetën e e dendur, rrënjëshumë dhe të pleksur apo kapërthyer deri në errësim, të korrupsionit politik, të majtë e të djathtë.

Se ai, dhe bashkëpunëtorët, shkatërrimin e NET-it dhe prerjen e këmbëve të merimangës, e kishin qëllimin e jetës së tyre.

Në shfaqjen e fundit të sezonit zgjedhor, “Daja” e nxori merimangën prej gome nga xhepi i xhaketës firmato, dhe nën ovacinet e mbështetësve, ja preu këmbët, një e nga një.

Ishte demonstrim final i rrugëtimit politik. Një gjest që tregonte se “Daja” e kishte qëllim të jetës shkatërrimin e korrupsionit në Shqipëri përmes prerjes së këmbëve të pushtetit të Rilindjes, tretjes në errësirë të opozitës së vjetër, e të tjera.

Gjest që shqiptarët duhet ta kenë vlerësuar.

Më pas “Daja” u shfaq në debatin për një karrike deputeti.

Duke mos u kujdesur asnjë ditë të vetme të ruante angazhimin e një jete në politikë, ai hodhi tej patinë e tij, që në rastin më të keq kishte 10 mijë mbështetës e votues, dhe, bashkë me të, edhe koalicionin që shkonte në 70 apo 80 mijë, ose forcë e tretë politike në Shqipëri.

Regjia ishte mjeshtërore dhe e nivelit më të lartë të mbrapshtisë së inteligjencës.

Fillimisht dikush u kujdes të fshinte nga NET-i një postim të Liderit Global, ku gjenerohej i animuar sherri për një ulëse në Kuvend. Një skenë që mund të zgjonte mendime dyshuese për për skenar të paramenduar. Menjëherë më pas, lufta e “Dajës” u bë epike.

Televizionet dhe rrjetet sociale shpërthyen, sidomos shumica dërrmuese e kontrolluar nga Lideri Global. Aq fort buçitën, saqë beteja për një karrike u bë halli i radhës i gjithë një shoqërie, buka dhe uji i përditshëm, ajri dhe erëmimi.

Aq shumë u bombarduan veshët e popullit, sa edhe vetë votuesit e koalicionit të “Dajës” nisën të dyshonin dhe ti shihnin liderët e rinj si politikanë të pabesueshëm dhe si të njëjtë me gjithë të tjerët përpara tyre.

Në një moment ngadalësimi, të hutuarit, të zgjuarit dhe teleshmenët nisën të mendonin dhe thonin se “Daja”, ose ishte paguar, ose i ishte premtuar një karrige nga pushteti, se nuk kishte mundësi të tjera.

Se përndryshe i binte që, me këto veprime të tregonte, të ishte krejtësisht pulisht, d.m.th., i vogël, fëminor, kalama në gjykime.

Muaj më pas, kur “Daja” u shfaq në krye të një institucioni kushtetues, panorama u bë për të gjithë e qartë.

Ai nuk kishte vepruar si pulisht. Atij i ishte premtuar një post i rëndë, i përshtatshëm me synimet e tij, i bollshëm në buxhet, e të tjera.

U kuptua se kushti për të kapur postin e premtuar ishte sabotimi i shkuarjes në Parlament të përfaqësuesit me të votuar të rreth 80 mijë mbështetësve të koalicionit.

Se projeksioni i paktit kishte për qëllim shkatërrimin e gjithë ngrehinës që kishte ndërtuar në jetë dhe, sidomos, përbaljtjen përfundimtare të koalicionit.

U bë e qartë se “Daja” e kishte pranuar pazarin, që të shiste një parti, bashkë me koalicionin, për një karrige.

Të fuste në grackë, mikun dhe bashkëpunëtorin më të ngushtë, për një shpërblim.

Të shiste shtëpinë e të gjithëve për të blerë një strofull sezonale, me purteka, për vete.

Në këtë nivel, ky është shembulli më i ndyrë i degradimit moral të shoqërisë sonë.

Ky është rezultati i korrjes së prodhimit nga brezat e rinj post-diktaturë.

Është niveli më i lartë i inteligjencës negative, fabrikimi më i ndyrë “Made in Rilindje”, që, për para dhe pushtet, shet gjithçka, birësisht gjithçka…

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

U paraqit në SPAK për “21 janarin”, Topi: Partia në pushtet ka 15 vite që fshihet pas hipokrizisë

0

Ish-presidenti Bamir Topi, i cili u paraqit disa ditë më parë në SPAK për çështjen e 21 janarit, ka deklaruar se është besimplotë që drejtësia do të zbardhë të vërtetat e ngjarjes së rëndë të vitit 2011.

Sipas tij, hetimet po ecin siç duhet dhe klima institucionale duket ndryshe nga ajo e viteve të mëparshme.

Topi theksoi se të gjithë personat që kanë patur përgjegjësi në atë kohë po thirren nga SPAK. Por sipas tij, problemi kryesor nuk qëndron tek drejtësia, por tek politika.

Topi ka deklaruar se pas 15 vitesh politika, sidomos Partia Socialiste është fshehur pas hipokrizisë.

Ka kohë që janë dhënë shenjat e qarta që ky problem që mbush 15 vitet është marrë nga drejtësia dhe qe do bëj punën e vet. Unë këtë konstatoj. Nisur nga eksperienca ime, duket se situata tani është ndryshe me angazhimin e drejtësisë. Njerëzit që kanë drejtuar në atë periudhë janë thirrur dhe po thirren, hetimi i 21 janarit po shkon siç është parashikuar. 

E ndjej dhe kam besim se drejtësia do hetojë për të gjetur të vërtetat. Ajo që unë shoh që mungon nuk ka të bëjë me drejtësinë, por me politikën. Ka të bëjë me një nga momentet më delikate, që ka të bëjë me komisionin hetimor që është ngritur janarin e vitit 2011 dhe dëshiroj që ta them sonte. Kam parë në atë periudhë një angazhim të ethshëm deri në nivel patologjik të atyre që ngritën komisionin dhe kam parë një mungesë absolute të angazhimit të atyre që bën protestën e  21 janarit.

Çfarë mund të them unë më për politikën, që me një term mund ta kisha rënduar shumë, por nuk mund ta them dot. Janë 15 vite, ku janë ato detyrime dhe angazhime që ata që janë sot në pushtet, nuk morën qoftë 1 minutë të vetëm për t’ju rikthyer 21 janarit. Çështja është i vetmi komision hetimor që i shtuar mandatit dy herë dhe është i vetmi që nuk ka një raport final.

Njerëzit duhet ta dinë, këto politikanë furbo, marrin angazhime, çojnë të tjerë që ranë viktimë, të tjerë u plagosën. Së paku politikisht, dilni nga hipokrizia për të vendosur ato lulet te trotuari dhe bëj detyrën si politikan dhe kthehu politikisht.  21 janari kishte dy palë. Unë nuk flas për hetimin, kam respekt. Nuk mund të futem aty.”

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Gjykata Kushtetuese kthen në detyrë Belinda Ballukun

0

Gjykata Kushtetuese ka rikthyer në detyrë Belinda Ballukun, duke ndaluar zbatimin e masës së pezullimit të vendosur nga GJKKO dhe pranimin e ankimit të kryeministrit Edi Rama. 

Balluku rikthehet në detyrë si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, deri në një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese. 

Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi:

Me shumicë votash, kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik që ka kjo çështje dhe thirrjen në cilësinë e subjekteve të interesuara të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës.

Me shumicë votash, pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës. Vendimi i pezullimit do të dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.

Njëzëri, mospranimin e kërkesave të partisë “Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar” dhe organizatës jofitimprurëse “Lëvizja për Mbrojtjen e të Drejtave Universale” për t’u përfshirë si palë ndërhyrëse. Mbledhja e Gjyqtarëve arriti në përfundimin se këto dy subjekte nuk justifikojnë interesin kushtetues, pasi mosmarrëveshja kushtetuese në shqyrtim ka të bëjë me konflikt kompetencash dhe në të marrin pjesë vetëm subjektet që janë në konflikt, në kuptimin që janë pjesë e organeve të ushtrojnë kompetencën kushtetuese për të cilën ka lindur konflikti. 

Njëzëri, në zbatim të nenit 27, pika 3, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilit në rast se pranohet kërkesa për pezullim, data e seancës plenare caktohet në datën më të afërt të mundshme, duke respektuar afatet procedurale të zbatueshme, caktimin e seancës plenare publike në datën 22.01.2026, ora 10:00.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx