Ballina Blog Faqe 18

Fundjavë me reshje të forta shiu, shtrëngata dhe breshër

0

Sinoptikania Elida Maloçali ka bërë parashikimin e motit për fundjavën, ku do të ketë reshje shiu në formë shtrëngatash afatshkurtra, shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër.

Gjatë një lidhje direkte me edicionin informativ të mesditës në Top Channel, ajo u shpreh se do të ketë rënie temperaturash, 24-25 gradë Celsius.

“Kushtet atmosferike të paqëndrueshme edhe për fundjavën, ku moti parashikohet të jetë i vranët me alternime kthjellimesh dhe reshje shiu me intensitet të ulët, në pjesën më të madhe të territorit si dhe në pjesën më të madhe të ditës. Konkretisht ditën e shtunë, ku reshjet priten të jenë edhe në formë shtrëngatave afatshkurtra.

Ndërsa ditën e diel, moti parashikohet të jetë i vranët por me intervale të herë pas hershme kthjellimesh. Reshjet pritet të jenë me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të territorit.

Ndërsa përgjatë vijës bregdetare e kryesisht në veriperëndim e jugperëndim, e lokalisht në qendër, reshjet parashikohen të jenë me intensitet deri të lartë, në formën e shtrëngatave afatshkurtra, shoqëruar me shkarkesa elektrike, e lokalisht breshër.

Era do të fryjë në drejtim me kuadrati i jugut me shpejtësi 8 metra për sekondë. Ndërsa përgjatë vijës bregdetare, në momentin e zhvillimit të vranësirave, era do të ketë shpejtësi 17-18 metra për sekondë, duke bërë që valëzimi në det të jetë i forcës 3-4 ballë.

Pritet një rënie e temperaturave, ku në vlerat e mesditës parashikohet të mos i kalojnë vlerat 24-25 gradë Celsius”, tha Elida Maloçali.

Ndërsa lidhur me javën që vjen, sinoptikania tha se do të vijojnë kushtet atmosferike të paqëndrueshme, me reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të ditëve.

“Përsa i përket fillimit javës dhe në vijim, moti do të vijojë të jetë me kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme, me reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të ditëve. Vlen për të theksuar uljen e ndjeshme të temperaturave, ku në orët e mesditës nuk parashikohet ti kalojnë vlerat 19-20 gradë Celcius”, tha Elida Maloçali.

PS kërkon përjashtimin e Gazment Bardhit dhe Klevis Balliut për 60 ditë nga Parlamenti

0

Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend një kërkesë për marrjen e masave disiplinore ndaj kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi dhe deputetit demokrat, Klevis Balliu.

Sipas kërkesës së mazhorancës, ndaj dy deputetëve kërkohet masa e përjashtimit për 60 ditë nga aktivitetet e Parlamentit.

Nisma vjen pas përplasjeve dhe debateve të zhvilluara në Kuvend gjatë seancës për miratimin e Reformës Territoriale, e cila u shoqërua me tensione mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.

Në disa momente, deputetët demokratë kanë hedhur vezë dhe ujë ndaj kryeministrit Edi Rama dhe deputetes, Belinda Balluku.

Kërkesa e Partisë Socialiste për përjashtimin e deputetëve demokratë pritet të shqyrtohet nga Sekretariati i Etikës.

Email-et kërcënuese në institucionet shtetërore, AKSHI: Rasti po monitorohet

0

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka konfirmuar komunikime me përmbajtje kërcënuese të dërguara në disa adresa elektronike qeveritare që monitorohen nga ky institucion.

Në një postim në rrjetet sociale AKSHI bën me dije se rasti po verifikohet në bashkëpunim me institucionet dhe autoritetet përkatëse, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave.

Agjencia thekson se po monitoron situatën në vijimësi dhe po merr masat e nevojshme, në përputhje me përgjegjësitë institucionale dhe procedurat përkatëse.

Më herët, u raportua për mbërritjen e një email-i kërcënues në disa institucione shtetërore, përfshirë Shkollën e Magjistraturës.

Postimi i AKSHI-t:

Vëmendje!

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka konstatuar sot komunikime me përmbajtje kërcënuese, të dërguara në disa adresa elektronike qeveritare që monitorohen nga institucioni.

Rasti po verifikohet dhe hetohet në bashkëpunim të ngushtë me institucionet dhe autoritetet përkatëse, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

AKSHI po monitoron në vijimësi situatën dhe po merr masat e nevojshme, në përputhje me përgjegjësitë institucionale dhe procedurat përkatëse.

Miratimi i reformës territorjale, Berisha: Pengjet e Ramës votuan aktin final të shpopullimit

0

Kreu i PD, Sali Berisha e konsideroi votimin nga mazhoranca të Reformës Territoriale, si një krim kolektiv. Në një komunikim me gazetarët, Berisha e ka cilësuar votimin si një akt antikombëtar dhe kundër interesave të qytetarëve.

Lideri demokrat u shpreh se votimi i zhvilluar pas mesnate përbën një goditje ndaj qytetarëve të 15 bashkive të vendit.

Sipas tij deputetët e mazhorancës kanë votuar kundër interesave të zgjedhësve të tyre, duke theksuar se vendimi është ndikuar nga korrupsioni dhe interesat politike.

“Mbrëmë pas mesnate në një akt flagrant antikombëtar, anti-qytetar, krimi, pengmarrje dhe ryshfeti, mandatet e krimit u hodhën si shigjeta kundër qytetarëve të 15 bashkive të vendit për asgjësimin e tyre.

Deputetët e partisë së krimit në unison shkelmuan interesat e zgjedhësve të tyre, të marrë peng me korrupsionin e tyre, me vjedhjen dhe plaçkën që kanë siguruar me mandatin e tyre, ata votuan ne një krim kolektiv për asgjësimin e 15  bashkive“, u shpreh Berisha.

Duke vijuar qëndrimin e tij kundër hartës së re territoriale, Berisha theksoi se reforma duhet të shihet në raport me qytetarët dhe komunitetet, pasi lidhet drejtpërdrejt me vetëqeverisjen vendore.

“Reforma territoriale është padyshim në raport me qytetarin dhe komunitetet, reforma më e rëndësishme, sepse kjo reformë ka të bëjë me vetëqeverisjen e komuniteteve, ka të bëjë me qeveritë vendore të cilat kanë mision zhvillimin e territorit të komunitetit. Kanë mision konservimin e trashëgimisë kulturore historike të komunitetit”, tha Berisha.

Komedia me “rebelët” e PS/ Si u shua zhurma për hartën territoriale nga Edi Rama

0

Me 85 vota në Parlament, Edi Rama miratoi hartën e re territoriale dhe u vuri kyçin 15 bashkive në vend, shumica të drejtuara nga administrata socialiste. 

Votimi i së enjtes tregoi edhe një herë se në ç’mënyra qesharake funksionon mazhoranca, nëpërmjet kërcënimeve, manovrave të brendshme dhe depersonalizimit të deputetëve, që praktikisht janë shndërruar në ca kukulla pa asnjë lidhje me njerëzit që i kanë votuar.

Nga 82 deputetë socialistë, pati 82 vota pro hartës së re territoriale. Asnjë kundër, asnjë abstenim, asnjë mungesë. Socialistëve iu shtuan tre deputetët e PSD-së së Tom Doshit, duke e çuar rezultatin në 85 vota, vetëm një më shumë se minimumi kushtetues prej 84 votash.

Vetëm se ajo që ndodhi këto ditë me hartën territoriale mori trajtat e një komedie. Pak orë përpara votimit, rezultati dukej ende i pasigurt në parlament. Dy deputetë socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, kishin kundërshtuar publikisht reformën, ndërsa Belinda Balluku, e sulmuar vazhdimisht nga mediat proqeveritare për çështjen e saj në SPAK, kishte kohë që e shmangte sallën e Kuvendit.

Dy ditë më parë, kur Taulant Balla u kishte kujtuar deputetëve se mund të përjashtoheshin nëse nuk votonin sipas qëndrimit politik të partisë, Braçe kishte shpërthyer në studiot televizive: “Mua nuk më përjashton dot nga PS ky djali apo cilido tjetër që më ka gjetur në PS”.

Prej javësh, Braçe e kishte refuzuar hartën e re territoriale. Në komisione, në ekranet televizive, madje edhe në sallën e Parlamentit, vetëm pak orë përpara votimit, ai vazhdoi ta mbronte qëndrimin e tij. “Ndryshojmë jetën e njerëzve me këtë hartë, jo kufijtë”, u shpreh deputeti socialist, duke u kërkuar kolegëve të reflektonin. “Kaq me lehtësi e marrim ne këtë fakt? Ndryshimin e jetës së njerëzve që kanë bërë plane për jetën e tyre…”, vijoi ai.

Fjalimi i Erion Braçes mori duartrokitjet e opozitës, e cila ishte shprehur kundër reformës, duke e konsideruar atë një mënyrë të re të socialistëve për të maksimizuar votën në zgjedhjet lokale të vitit 2027.

Të njëjtin pozicion kishte mbajtur edhe Vullnet Sinaj. Deputeti i Vlorës kundërshtonte zhdukjen e Bashkisë së Selenicës, një zonë ku ka mbështetje elektorale dhe prej së cilës ka marrë vota. “Selenica, bashki më vete”, shkruante Sinaj në rrjetet sociale, duke këmbëngulur që Kuvendi “të dëgjonte zërin e qytetarëve”.

Në sfondin e “rebelimit” të dy deputetëve ishin llogaritë për 84 vota që duheshin për kalimin e hartës së re territoriale. Rama kishte mbetur me 82 deputetë pas largimit të Marjana Koçekut dhe mund të mbetej me vetëm 81 deputetë nëse Belinda Balluku, e sulmuar fort këto ditë për aferat e korrupsionit refuzonte të paraqitej në kuvend. Kështu, bashkë me 3 deputetët e Tom Doshit, mazhoranca mbetej me 84 vota dhe gjithkush që ndjehej i pavlerësuar kishte shansin të merrte vëmëndjen e Ramës.

Vetëm se për t’i vënë në rresht deputetët që kundërshtonin hartën e re, Ramës nuk iu desh ndonjë përpjekje e mundimshme. Mëngjesin e së enjtes mblodhi grupin parlamentar dhe i paralajmëroi deputetët se kush nuk votonte reformën duhej të largohej.

I pari që u thye ishte Vullnet Sinaj. Edhe në mbledhjen e grupit, edhe në sallën e kuvendit ai deklaroi se do të votonte pro hartës territoriale. “E hëngre turpin me bukë”, i tha Berisha në Parlament, duke hamendësuar për kërcënime ndaj “Big Market”, rrjetit të supermarketeve të lidhur me familjen Sinaj.

Pak më vonë në sallën e kuvendit u shfaq Belinda Balluku. E vënë në shënjestër të Top Channel për dëshmitarët e kërcënuar dhe me SPAK që po e shton presionin e hetimeve, Ballukut nuk i ka mbetur më fije bari për t’u kapur, përveçse kjo e partisë. Ashtu si kolegët e saj, ajo priti deri sa nisi votimi dhe në fund votoi pro hartës së re territoriale. Nga momenti që Balluku u shfaq në sallë, Rama siguroi 84 votat që i duheshin.

Kartoni i Erjon Braçes ishte thjesht një votë më shumë, por që nuk bënte diferencën. Para votimit, të dy bashkë me Ramën u mbyllën në një nga zyrat e Kuvendit për të biseduar.

Çfarë u tha brenda mbeti mes tyre, por rezultati u pa menjëherë jashtë. Kur doli nga zyra, Braçe ishte bindur të votonte. Deputetit që kërkon me ngulm kandidaturën e Tiranës brenda në PS nuk i kishte mbetur shumë në dorë. Shkoi u ul në rresht me të tjerët dhe ngriti kartonin jeshil, sapo iu kërkua.

Rebelimet, nëse mund të quhen të tilla, u shuan sa hap e mbyll sytë. Dikur, lëvizje të tilla do të merrnin vëmendjen e medias dhe ndoshta do të ngjallnin edhe njëfarë respekti në opinionin publik, si shenja se brenda një partie që kishte ende njerëz të gatshëm të mbronin një qëndrim të tyrin. Por mënyra e fshehtë se si u negociua me deputetët, kthesa e beftë thuajse brenda minutash i bindjeve të tyre e ktheu të gjithë situatën në një flakë kashte, që bëri pak tym dhe u fik sapo Rama hyri në dhomë. 

Me gjasë, bllofi i deputetëve nuk kishte asgjë parimore në vetvete dhe shkonte përtej hartës territoriale, tek ambiciet e secilit për zgjedhjet e ardhshme lokale, përkatësisht në Tiranë dhe Vlorë.

Vetëm se për situata të tilla, ka një këshillë që deputetët e Ramës duhet ta sjellin ndërmend dhe të mos bëhen gazi i botës. Është shprehja e njohur popullore që thotë: “O fol e mbaje, o dh.. e haje!”/ Lapsi.al

Bordi i Transparencës ndryshon sërish çmimet e karburanteve

0

Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të karburanteve, të cilat hyjnë në fuqi nga ora 13:00. Nafta do të shitet me 213 lekë për litër, duke u ulur me 4 lekë.

Ndërkohë, benzina do të kushtojë 194 lekë për litër, duke u shtrenjtuar me 1 lek.

Sipas vendimit, çmimi maksimal i shitjes me shumicë do të jetë 201 lekë për litër për naftën dhe 182 lekë për litër për benzinën.

Çmimet e reja do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës.

Njoftim për Shtyp:

Bordi i Transaparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e rradhës.

Kështu Bordi i Transparencës në datë  9 Tetor 2026, vendosi:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 213 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se  201 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 194 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 182 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 9 ora  13. 00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

Jared Kushner flet për herë të parë: Ja e vërteta për projektin e Zvërnecit!

0

Reagimi i plotë i Jared Kushner:

Pretendimi mediatik: Janë dhënë të drejtat e zhvillimit pa njoftim publik ose pa një proces tenderimi konkurrues dhe se amendamenti për të zhbllokuar tokën e mbrojtur ishte kaluar me nxitim në parlament. Rama madje lejoi ndërtimin e një aeroporti brenda zonës së mbrojtur.

Realiteti: Toka nuk na u dha nga qeveria shqiptare. Partnerët tanë e blenë atë nga një palë private për 230 milionë euro në një transaksion privat, ndër çmimet më të larta të paguara në rajon për një transaksion të këtyre përmasave.  Titulli i pronësisë u rishikua nga këshilltarët ligjorë dhe u verifikua.

Ky projekt filloi si një investim i pastër dhe i drejtpërdrejtë privat në pasuri të paluajtshme, bazuar te besimi ynë në potencialin e Shqipërisë si një destinacion në rritje dhe në mundësinë për të krijuar diçka vërtet të veçantë atje.

Ne po investojmë kapital të konsiderueshëm privat në një vend që nuk ka pasur kurrë një projekt të kësaj shkalle, edhe pse nuk ka garanci ne po e ndërmarrim këtë rrezik sepse besojmë te Shqipëria dhe besojmë te shqiptarët. Nëse rezulton i suksesshëm, projekti mund të përfaqësojë rreth 4 miliardë euro investime dhe të krijojë vende domethënëse pune, aktivitet ekonomik dhe vizibilitet ndërkombëtar për Shqipërinë.

Që nga blerja e tokës, ne kemi shpenzuar më shumë se tre vjet dhe dhjetëra miliona dollarë duke studiuar terrenin, mjedisin e tij dhe mundësitë e nevojat e rajonit, ndërkohë që kemi mbledhur arkitektë, dizenjues, inxhinierë, ekspertë mjedisorë dhe partnerë të jashtëzakonshëm për t’i dhënë formë projektit me përgjegjësi. Qëllimi nuk ka qenë kurrë thjesht zhvillimi i tokës, por krijimi i diçkaje që mund të bëhet një platformë për mundësi dhe rritje afatgjatë për Shqipërinë.

Asher Abehsera, një mik i vjetër dhe partner biznesi me një histori të provuar zhvillimi të suksesshëm, u bashkua si partner dhe CEO i projektit dhe ka udhëhequr punën e përditshme gjatë katër viteve të fundit.

Familja Kastrati, një familje e njohur biznesi shqiptare me rrënjë të thella dhe krenari të madhe për vendin e tyre, ishte ajo që fillimisht na e solli në vëmendje oportunitetin e tokës dhe që ndan besimin tonë në potencialin e Shqipërisë.

Unë takova për herë të parë Ramez dhe Moutaz Alkhayyat në Doha gjatë Kupës së Botës 2022 dhe mbeta i impresionuar nga historia dhe aftësitë e tyre. Ata kishin ikur nga Siria si refugjatë nën regjimin brutal të Asadit, me shumë nga pronat dhe asetet e tyre të konfiskuara më vonë nga qeveria, dhe atyre iu dha mundësia të rindërtonin jetën dhe bizneset e tyre në Katar. Ardhja e tyre përkoi me nevojat e jashtëzakonshme të Katarit për ndërtim përpara Kupës së Botës, dhe ata u përfshinë thellësisht në ndërtimin transformues të Dohas.

Ky është një dallim i rëndësishëm: bëhet fjalë për një investim, jo diçka që na u dha. Ne blemë tokën për 230 milionë euro, po angazhojmë kapital të konsiderueshëm shtesë privat dhe po marrim përsipër rrezikun nëse projekti do të ketë sukses. Nëse ia del, Shqipëria do të përfitojë përmes vendeve të punës, turizmit, mundësive ekonomike dhe rritjes afatgjatë.

Fokusi im personal ka qenë kryesisht te vizioni dhe dizajni, duke bërë bashkë arkitektë, partnerë, dizenjues dhe krijues të jashtëzakonshëm për të ndërtuar një destinacion të ndryshëm nga çdo gjë tjetër në rajon. Unë jam një partner në pakicë dhe nuk kam përfshirje të përditshme në projekt.

Partneriteti është angazhuar gjerësisht me komunitetin lokal në Vlorë. Ne gjithashtu e kuptojmë se njerëzit kanë pyetje dhe shqetësime legjitime. Projekti do të duhet të kalojë nëpër të gjitha proceset përkatëse rregullatore dhe mjedisore shqiptare dhe të fitojë miratimet e nevojshme për të vazhduar.

Ambicia jonë është të ndërtojmë sipas standardeve më të larta të dizajnit dhe mjedisit, dhe ta lëmë këtë pjesë të jashtëzakonshme të Shqipërisë më të gjelbër, me më shumë biodiversitet dhe më të fortë nga ana mjedisore.

Sugjerimi se ky projekt përparoi për të fituar favore nga Presidenti Trump, po ashtu e kthen kronologjinë përmbys. Siç e vëren edhe vetë artikulli, interesi ynë filloi në verën e vitit 2021, kur unë isha një qytetar privat dhe shumë kohë përpara se Presidenti Trump të shpallte fushatën e tij për vitin 2024.

E njëjta gjë vlen edhe për aeroportin. Artikulli lë të kuptohet, por nuk e thotë plotësisht, se zyrtarët e qeverisë e miratuan aeroportin me kërkesën time. Në fakt, aeroporti ishte miratuar tashmë në kohën kur unë pashë projektin për herë të parë, dhe ai ishte një nga faktorët që më tërhoqi dhe formësoi vizionin tim për atë që mund të bëhej rajoni.

Në fund të fundit, Shqipëria do të vendosë nëse projekti do të vazhdojë. Nëse miratohet, shpresoj që të mund të krijojmë diçka për të cilën shqiptarët të jenë krenarë dhe që familjet nga Shqipëria dhe anembanë botës ta shijojnë për breza me radhë.

Kuvendi miratoi ndarjen territoriale me 85 vota pro, Erion Braçe: Do ta shpjegoj pse votova pro

0

Kuvendi miratoi pas mesnate me 85 vota pro projektligjin për ndarjen e re administrative dhe territoriale, i cili parashikon reduktimin e numrit të bashkive.

Votimi u zhvillua mes tensioneve dhe përplasjeve në sallë.

Mazhoranca siguroi shumicën e cilësuar të nevojshme për miratimin, duke tejkaluar me një votë pragun prej 84 votash.

Në votimin në parim, projektligji kishte marrë 84 vota pro ndërsa në seancë ishin të pranishëm 116 deputetë.

Pro projektligjit votuan edhe deputetët socialistë Erion Braçe dhe Elisa Spiropali, të cilët më herët kishin paralajmëruar qëndrimin e tyre kundër.

Pas votimit, Braçe tha për A2cnn se do ta shpjegonte në vijim vendimin për të votuar pro.

Kryeministri Edi Rama mbërriti në sallë pak çaste përpara votimit.

Deputetë të Partisë Demokratike hodhën sende në drejtim të tij, ndërsa seanca u shoqërua me kaos dhe tensione.

E pranishme ishte edhe ish zv.kryeministrja Belinda Balluku.

Ndarja e re territoriale parashikon shkrirjen e 15 bashkive.

PS miraton ndarjen e re territoriale me 85 vota pro

0

Kuvendi ka miratuar me 85 vota reformën e re administrativo-territoriale, duke i hapur rrugë hartës së re që redukton numrin e bashkive në Shqipëri nga 61 në 46.

Për miratimin e reformës kërkoheshin pikërisht 84 vota. Drafti i Partisë Socialiste parashikon shkrirjen e 15 bashkive me njësi të tjera vendore.

Votimi u zhvillua pas një seance maratonë, të shoqëruar gjatë gjithë ditës me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës për hartën e re territoriale. Në momentin e votimit, deputetët e PD-së tentuan të bllokonin procesin, duke kërkuar nga drejtuesi i seancës që votimi të mos zhvillohej.

Pro projektligjit të kundërshtuar fort nga opozita votoi edhe deputeti socialist Erion Braçe, i cili kishte kundërshtuar publikisht hartën e re territoriale në disa fjalime të tij.

Pas përfundimit të seancës, ai tha se vijonte të ishte kundër reformës dhe se do ta shpjegonte votën e tij ditën e premte.

Debatet për reformën territoriale dhe projektligjet e tjera zgjatën rreth 14 orë.

Kryeministri Edi Rama nuk mori pjesë në debat, por ishte i pranishëm në momentin e votimit të projektligjit. Në momentin që nisi procesi i votimit, deputetë të tjerë të opozitës hodhën shishe uji dhe sende të forta në drejtim të kreut të qeverisë.

Bashkitë që shkrihen:

  1. Fushë-Arrëz
  2. Klos
  3. Rrogozhinë
  4. Dimal
  5. Poliçan
  6. Patos
  7. Divjakë
  8. Selenicë
  9. Maliq
  10. Këlcyrë
  11. Memaliaj
  12. Libohovë
  13. Cërrik
  14. Belsh
  15. Prrenjas

Ligji i miratuar për ndarjen territoriale sjell një sërë ndryshimesh kryesore.

Numri i bashkive ulet nga 61 në 46, ndërsa 12 qarqet mbeten të pandryshuara. 15 bashki humbasin statusin e bashkisë më vete: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Prrenjas. Territoret e tyre përfshihen në bashkitë ekzistuese.

Harta e re zbatohet në zgjedhjet vendore të vitit 2027. Deri në konstituimin e organeve të reja, kryetarët dhe këshillat bashkiakë në detyrë vazhdojnë të ushtrojnë kompetencat brenda kufijve aktualë.

Ndryshon edhe organizimi i brendshëm i disa bashkive. Në tabelat përkatëse shtohen qytetet Kastrat, Bushat, Ulëz, Milot, Martanesh dhe Golem. Në Kurbin, emërtimi i qytetit “Kurbin” zëvendësohet me “Laç”. Këto ndryshime nuk krijojnë bashki të reja.

Parashikohen rregullime teknike të hartave të Vorës dhe Kamzës. Qeveria duhet të miratojë detajimin teknik të kufijve të njësive vendore brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Ligji i ri vendos kufizime për ndryshimet e ardhshme të njësive përbërëse të bashkive. Ato kërkojnë konsultim publik, vendim të këshillit bashkiak dhe miratim përfundimtar nga qeveria; nuk mund të bëhen më shpesh se një herë në dhjetë vjet. Propozimi dhe miratimi i këtyre ndryshimeve ndalohen një vit para zgjedhjeve qendrore dhe vendore.

Përplasje mes Bardhit e Peleshit! Kreu i Kuvendit: Ta tregoj unë! Deputeti i PD: Hej zot, do tregojë ky i mbaruari

0

Debate dhe tensione janë shënuar në sallën e Kuvendit mes kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi dhe kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, lidhur me kohën në dispozicion për diskutimin.

Gjatë fjalës së tij, Bardhi deklaroi se kishte 40 pyetje dhe se do të merrte kohën që e konsideronte të nevojshme.

“Kam 40 pyetje dhe do marr kohën time sa të dua unë dhe nuk të pyes as ty dhe as gardën tënde”, tha Bardhi.

Në përgjigje, Peleshi i kujtoi se kishte vetëm një minutë në dispozicion.

Pas rënies së gongut, Bardhi iu drejtua kryetarit të Kuvendit: “Ka mundësi mos të më provokosh, të lutem”.

Peleshi këmbënguli se koha kishte përfunduar, nga ana e tij Bardhi kundërshtoi duke deklaruar: “Nuk ka kohë në pyetje”.

Pjese nga debati: 

Bardhi: Kam 40 pyetje dhe do marr kohën time sa të dua unë dhe nuk të pyes as ty dhe as gardën tënde.

Peleshi: Ke 1 minutë kohë

Ndërsa gongu binde, Bardhi iu drejtua: Ka mundësi mos të më provokosh të lutem

Peleshi: Përfundoi koha, 1 minutë

Bardhi: Nuk ka kohë në pyetje

Peleshi: Nuk e vendosni ju e vendos rregullorja

Peleshi: Përfundoni, mikroni  është hapur, ua tregoj unë. Ua tregoj rregulloren, mos e merrni keq

Bardhi: Hej zot i madh do tregoj ky, ky i mbarum.