Ballina Blog Faqe 20

Po vjen një nga investigimet më të mëdha në Fier – drejtues institucionesh nën lupë për mungesë dokumentacioni dhe dyshime mbi përmbushjen e kritereve ligjore”

0


Një investigim i gjerë është drejt përfundimit dhe pritet të trazojë institucionet publike në qarkun e Fierit. Në fokus të verifikimeve ndodhen disa drejtues institucionesh, për të cilët po shqyrtohet nëse janë emëruar dhe vazhdojnë të ushtrojnë detyrën në përputhje me kërkesat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

Burime pranë investigimit bëjnë me dije se po verifikohet ekzistenca e dokumentacionit përkatës që ligji kërkon për funksione të caktuara drejtuese, si dhe respektimi i procedurave administrative dhe kritereve ligjore gjatë emërimit dhe ushtrimit të detyrës.

Nëse konstatohen shkelje, çështja mund të sjellë pasoja serioze administrative, disiplinore, madje edhe penale, në varësi të natyrës së gjetjeve dhe përgjegjësive që mund të evidentohen.

Investigimi pritet të publikojë dokumente, përgjigje zyrtare nga institucionet kompetente dhe prova që do të hedhin dritë mbi mënyrën se si janë administruar këto procedura. Ky është vetëm fillimi. Në ditët në vijim do të publikohen fakte, dokumente dhe të dhëna që, sipas burimeve të investigimit, mund të ngrenë pikëpyetje serioze mbi ligjshmërinë e ushtrimit të funksioneve nga disa drejtues institucionesh në Fier. Asnjë institucion dhe asnjë zyrtar nuk do të përjashtohet nga verifikimi.

Çdo pretendim do të mbështetet në dokumente zyrtare dhe palëve të përfshira do t’u jepet mundësia të paraqesin qëndrimin e tyre përpara publikimit të gjetjeve.

“Ora e transparencës ka mbërritur. Dokumentet flasin, faktet nuk fshihen. Shumë shpejt, emra, institucione dhe përgjigje që publiku i pret prej kohësh.”

Protesta e qytetarëve te Kuvendi/ Nisin shoqërimet e para, në mesin e tyre dhe Arben Kola

0

Kanë nisur shoqërimet e para të protestuesve nga ana e policisë.

Sipas burimeve nga terreni deri tani janë shoqëruar 3 protestues, në mesin e tyre dhe një nga organizatorët e protestës, Arben Kola.

Efektivët e policisë janë të vendosur në të gjitha kryqëzimet, për të mos lënë protestuesit që të afrohen te Kuvendi.

Protestuesit u mblodhën mëngjesin e sotëm në sheshin “Skënderbej” në orën 08:30 dhe u nisën drejt Parlamentit, para të cilit u grumbulluan rrëth orës 09:00.

Për protestën e sotme janë të angazhuara mbi 1500 forca policore, që kanë formuar kordonë në të gjithë zonën përreth Parlamentit.

Sot seanca plenare/Protestuesit mblidhen te Kuvendi, policia bllokon të gjitha rrugët hyrëse

0

Ashtu siç ishte paralajmëruar, protestuesit kanë mbërritur rreth orës 09:00 pranë godinës së Parlamentit, e cila është futur në shtetrrethim nga Policia e Shtetit. Forca të shumta policore kanë rrethuar godinën, ndërsa të gjitha rrugët hyrëse janë bllokuar me kordone sigurie.

“Parlamenti i krimit” dhe “revolucion” janë disa prej thirrjeve të protestuesve.

Për t’i paraprirë situatave të mëparshme, policia ka marrë masa të shtuara sigurie, duke vendosur forca të shumta në terren dhe duke bllokuar akset që të çojnë drejt Parlamentit. Kordonet policore janë vendosur në disa pika kyçe, përfshirë kryqëzimin e rrugës së Elbasanit, zonën pranë Galerisë së Arteve dhe Ministrisë së Brendshme, si dhe në drejtim të ish-selisë së Partisë Demokratike.

Nga tjetërsimi i tokës te fundosja e godinave, hijet mbi investimet strategjike

0

Nëse qeveria e përshpejton projektin e ri me kosto më të lartë, diferenca do të rëndojë sërish mbi financat publike.

Kuota prej 33% i jep shtetit të drejtën të marrë pjesë në fitimet e ardhshme, por ky përfitim nuk është i garantuar.

Dividendi varet nga realizimi i fitimit, ritmi i shitjeve, kostot e deklaruara nga shoqëria dhe vendimet për shpërndarjen e tij, por ndërkohë toka, lehtësitë fiskale dhe infrastruktura zëvendësuese janë kontribute të menjëhershme të shtetit në investim.

“Durrës Yachts & Marina” po merr formën e një zhvillimi kryesisht rezidencial, të financuar në pjesën më të madhe nga parashitjet.

Përballë një fitimi të supozuar prej 281 milionë eurosh për palën shqiptare, vetëm vlera e aseteve dhe lehtësive publike të identifikuara në dokumentet e projektit arrin rreth 940 milionë euro, pa përfshirë koston e plotë të Porto Romanos.

Projekti po përballet me vështirësi në zbatim. Dy ndërtesa u fundosën rreth 15 centimetra vitin e fundit duke i dhënë projektit një imazh negativ në hapat e parë të zbatimit./MONITOR

Zbardhet dinamika e tragjedisë me tre viktima në Roskovec/ Çifti Plaka ishte nisur për në punë, 35-vjeçari u fut në banesë i armatosur dhe hapi zjarr

0

Është zbardhur dinamika e plotë e tragjedisë së ndodhur në fshatin Vidhishtë të Roskovecit, ngjarje që u mbyll me tre viktima.

Sipas informacioneve të siguruara dhe dëshmive të mbledhura, rreth orës 05:00 të mëngjesit të së enjtes, 35-vjeçari Refit Buzi, i njohur edhe me emrin Neril Buzi, është futur i armatosur me një armë gjahu në banesën e familjes Plaka. Në ato momente, bashkëshortët Kosta(Arben) dhe Belere Plaka po përgatiteshin të niseshin për në punë.

Menjëherë pas hyrjes në banesë, autori ka hapur zjarr ndaj çiftit. Kosta Plaka ka humbur jetën në vend, ndërsa bashkëshortja e tij, Belerie Plaka, mbeti e plagosur rëndë. Ajo u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati më shumë se pesë orë, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Pas krimit, 35-vjeçari ka marrë me forcë 24-vjeçaren, me të cilën kishte pasur një lidhje prej nëntë vitesh, dhe është larguar nga pjesa e pasme e banesës. Më pas ai është drejtuar drejt fshatit Kurjan, ku pas disa orësh ndjekjeje nga forcat e policisë, e ka lënë të renë të lirë dhe pa lëndime.

Operacioni për kapjen e autorit vijoi për disa orë. Pavarësisht negociatave të pandërprera me efektivët e Policisë së Shtetit, që zgjatën rreth shtatë orë, 35-vjeçari refuzoi të dorëzohej dhe në fund i dha fund jetës duke kryer vetëvrasje.

Një histori e nisur vite më parë si një lidhje mes dy të rinjve përfundoi në mënyrën më tragjike, duke lënë pas tre viktima dhe dy familje të shkatërruara./ Top Channel

Berisha: Reforma territoriale u rrëmbye nga Rama, qytetarët të mos heshtin

0

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një komunikimi online me qytetarët, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka tërhequr në mënyrë të njëanshme reformën territoriale dhe po e përdor atë për të krijuar përplasje politike.

Berisha tha se opozita e mbajti Parlamentin për pesë orë duke kërkuar debat për reformën territoriale dhe për kërkesat e protestuesve jashtë Kuvendit, ndërsa akuzoi mazhorancën se nuk përfaqëson qytetarët, por interesat e krimit dhe korrupsionit.

Sipas tij, përfaqësuesit e PD-së në komisionin e posaçëm hartuan një projekt të ri për reformën territoriale, që parashikonte shtimin e numrit të bashkive dhe rikthimin e komunave në zona ku kjo konsiderohej e nevojshme për shkak të ndryshimeve demografike.

Berisha pretendoi se, pas konsultimeve me qytetarët, kryeministri Rama vendosi të mbyllë punën e komisionit dhe të miratojë në mënyrë të njëanshme raportin e ministrit Arbjan Mazniku.

“Ai bën gjithçka për një konfrontim dhe unë ftoj qytetarët që këtë reformë kaq të rëndësishme për ata, për komunitetet e tyre, për zonën e tyre, të mos e lënë në duart e Edi Ramës, por të bashkohen me kryengritjen e përgjithshme popullore në Tiranë gjer në largimin e tij”, deklaroi Berisha.

Në të njëjtin komunikim, kreu i PD-së u ndal edhe te protestat kundër qeverisë, duke deklaruar se, pavarësisht reagimit të qeverisë, lëvizja qytetare po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje.

Ai akuzoi mazhorancën se ka miratuar ligje në favor të oligarkëve dhe kritikoi financimin e koncertit të Kanye West, duke pretenduar se ai u përdor për të larguar vëmendjen nga protestat.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për përdorimin e forcës ndaj protestuesve dhe tha se kryeministri ka injoruar kërkesat e tyre, mes të cilave dorëheqjen e Edi Ramës.

“Dallgët e kësaj lëvizjeje jo vetëm që nuk po shuhen, por po bëhen gjithnjë e më tronditëse për Edi Ramën dhe regjimin e tij”, u shpreh Berisha.

Pika kufitare e Kakavijës bllokohet ditën e hënë për disa orë

0

Policia Kufitare e Sarandës dhe Kakavijës njofton qytetarët se dogana greke në Pikën e Kalimit Kufitar të Mavromatit dhe Dogana e Kakavijës do të zhvillojë një grevë ditën e hënë, më 27 korrik 2026.

Sipas njoftimit zyrtar, greva do të nisë në orën 05:00 dhe do të zgjasë deri në 09:00 të mëngjesit. Gjatë kësaj periudhe, nuk do të lejohet kalimi i asnjë automjeti nëpër pikën kufitare.

Autoritetet bëjnë me dije se vetëm këmbësorët do të lejohen të kalojnë kufirin, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të planifikojnë lëvizjet e tyre duke marrë parasysh këtë kufizim, për të shmangur pritjet dhe vonesat.

Artan Fuga: Rama pranoi që ka çarje mes qeverisjes dhe opinionit publik

0

Akademiku Artan Fuga deklaroi se ditën e sotme kryeministri Edi Rama pranoi që ka një çarje mes qeverisjes dhe opinionit publik.

“Zoti Rama pranon që ka një mospërputhje midis opinionit publik dhe qeverisjes. A e shpjegon me anë të Tokëvilit, a e shpjegon me anë të një autori tjetër modern, a e shpjegon me anë të autorëve shqiptarë, a ka konstatime të veta, fakti është që zoti Rama pranon në atë mbledhje se midis qeverisjes dhe opinionit ka një të çarë që ka prodhuar revoltat”, tha Fuga në një lidhje direkte me studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN.

“Me këtë, në një farë mënyre ai bën një lloj autokritike. Tani thekson që protestat kanë një shkak dhe shkaku është një çarje midis politikës, qeverisjes dhe opinionit publik. Këtu vjen pyetja pse ka ardhur kjo? Çfarë ka ndodhur? Qeverisja nuk njeh opinionin publik. Kjo është gjëja e parë. Nuk ecën në përputhje me opinionin publik. E dyta, thuhet që zoti Rama pranon, duke iu referuar Tokëvilit, i cili fliste për rendin feudal, për monarkinë absolute dhe revolucionin që u bë, aty është një kontekst tjetër, konteksti që Luigji XVI, ndërmori disa reforma brenda rendit të vjetër feudal, se ka pasur padrejtësi. Pyetja ngelet që cilat janë, kush i ka krijuar, pse janë krijuar, cilat janë ato në rrafshin politik, ekonomik, social, kulturor e tërë me radhë. Pra, cilat janë padrejtësitë dhe abuzimet në Shqipërinë e sotme?”, shtoi Fuga.

“Nga Besa e Kanunit te Kushtetuta”/ Lutfi Dervishi: Besimi nuk ndërtohet me premtime, por me institucione!

0

Nga Lutfi Dervishi

A ke besë? Po institucione?

“Është qeverisja, or budall”

BESA është ndoshta përpjekja konceptuale më serioze që ka dalë ndonjëherë nga një qeveri shqiptare për të reflektuar mbi vetë mënyrën e qeverisjes. Ajo pranon diçka të pazakontë për një qeveri në pushtet prej tre mandatesh: problemi është besimi.

Besa, e thotë troç se protesta e flamingove nuk ishte “mosmirënjohje” siç e përshkruan vetë kryebashkiaku i sajuar në anekdotën hyrëse, por shprehje e një shoqërie që ka hyrë në fazë tjetër zhvillimi. Ky pranim, në vetvete, është hap prapa nga arroganca e deklaratave të fundit dhe i lë në hije historitë me agjenturat, algoritmet dhe “armiqtë e radhës”.

Por dokumenti prej 40 faqesh e kupton më mirë simptomën sesa diagnozën dhe harron elefantin në dhomë: BESA flet gjatë për besimin, po pothuajse aspak për shkaqet pse ai është konsumuar. Besimi është si goma fshirëse, zvogëlohet pas çdo gabimi.

Nuk ka pothuajse asnjë reflektim mbi korrupsionin si problem sistemik, përqendrimin e pushtetit, personalizimin e vendimmarrjes, dobësimin e institucioneve përballë ekzekutivit, konfliktet e interesit apo klientelizmin.

Fjala “korrupsion” shfaqet, vetëm një herë, në kontekstin e reformës në drejtësi dhe të së kaluarës, dhe jo si “gangrenë” që duhet luftuar.

Dokumenti i shkruar bukur të bën të besosh se problemi kryesor është administrata, ndërsa ata që janë në bulevard (dhe jo vetëm ata) besojnë se problemi është vetë modeli i qeverisjes.

BESA pranon se instrumentet; konsultimi publik, vlerësimi i ndikimit, planet e performancës, ekzistojnë prej vitesh në ligj; problemi ka qenë vetëm zbatimi formal i tyre. Po nëse është kështu, pse nuk funksionuan deri tani? Mungonte BESA?

BESA ngjan disi me Shqipëriaqeduam.al: problemet zgjidhen duke kapërcyer burokracinë dhe duke ndërhyrë nga lart, jo duke i lënë institucionet të funksionojnë vetë. BESA pretendon se nuk ndërhyn por koordinon, por Shqipëria nuk shkon në Bashkimin Europian me njësi të posaçme pranë Kryeministrit, sado mirë e argumentuar në letër. Shkon me institucione të forta, të pavarura nga cikli politik i çdo qeverie, me procedura që respektohen, jo që u kujtohet respektimi nga një kupolë koordinuese; me kontroll e balancë reale dhe llogaridhënie që prodhon pasojë, jo raport që lexohet e harrohet. Një njësi e re, sado e quajtur “koordinuese” e jo “vendimmarrëse”, rrezikon të shndërrohet në një mekanizëm kontrolli e diktimi.

(Auto)kritika e dokumentit ka një kufi të qartë, si te Hosteni në fund të viteve ’80: kritika shkon deri te drejtori, por jo më lart. Pranohet se administrata nuk ka dëgjuar, nuk ka komunikuar dhe nuk ka vlerësuar si duhet pasojat, por nuk shtrohet pyetja se kush e ndërtoi këtë model dhe kush mban përgjegjësinë politike për të.

Nëse është administrata që solli protestën, kush e ndërtoi këtë administratë? Nëse komunikimi dështoi, kush e projektoi modelin e komunikimit? Nëse vendimmarrja ishte e centralizuar, kush e centralizoi? Një dokument që flet kaq shumë për besimin do të fitonte besueshmëri reale vetëm nëse do të guxonte të fliste për shkaqet jo vetëm për simptomat e tij. Në fund të fundit, administrata nuk përcakton çmimet, nuk rrit pagat, nuk ul koston e jetesës dhe as nuk zëvendëson institucionet që garantojnë llogaridhënie.

BESA e redukton krizën në një problem administrimi duke lënë jashtë tri sfida themelore demokracinë, ekonominë demografinë.

James Carville e dinte këtë kur formuloi sloganin që e ndihmoi Bill Clintonin të fitonte zgjedhjet e vitit 1992: Në Shqipëri mund të thuhej it’s the economy, stupid. Asnjë fjalë për ekonominë! Njerëzit kërkojnë jo vetëm një Shqipëri më të bukur, por një vend normal dhe të jetueshëm.

Besimi nuk prodhohet duke dëgjuar më mirë, po duke kufizuar pushtetin, duke rritur transparencën reale dhe duke ndërtuar institucione që i mbijetojnë ndryshimit të qeverisë. Por dallimi i vërtetë me votuesin amerikan nuk qëndron vetëm te retorika e qeverisë, qëndron te vetë mekanizmi i votës. Një pjesë e mirë e elektoratit, nuk e ndëshkon qeverinë me çmimin e bukës dhe vezëve, me cilësinë e jeteses sepse vota shpesh nuk mat performancën, po identitetin dhe klientelën, punësimin, lidhjen partiake, frikën nga alternativa. Kur vota nuk lidhet me faturat që paguan, qeveria e ka gjithë hapësirën dhe luksin të flasë për “besim” dhe “kapital kombëtar”, e sigurt se llogaria nuk do t’i kërkohet atje ku dhemb vërtet.

Shqipëria po zbrazet me ritmin më të shpejtë në rajon; 27,628 banorë më pak vetëm në 2025, rreth gjysmë milionë banor më pak mes 2011 dhe 2023, mosha mesatare nga 35.5 ka vajtur 44.3 vjeç brenda një dekade. Po, kemi më shumë turistë, por më pak banorë. Shqipëria duket më e bukur, por është më e zbrazët, më e plakur dhe më e shtrenjtë.

Asnjë nga shtatë treguesit e propozuar nga BESA nuk i mat këto.

Dhe pikërisht këtu qëndron boshllëku qendror i të gjithë arkitekturës së dokumentit : shtatë mekanizma matjeje, zero pasojë. “Rishikimi pas veprimit” analizon gabimin, po vetë dokumenti thotë shprehimisht se “nuk kërkon fajtorë”. Nuk ka standard/kriter që sjell dorëheqje, nuk ka pasojë për mos mbajtjen e fjalës, nuk ka pasojë as për përsëritjen e të njëjtit gabim.

BESA mbetet një dokument me ide moderne mbi dëgjesën, evidencën dhe matjen, po që lexohet më shumë si manual për administratën sesa si reflektim mbi modelin politik që prodhoi vetë krizën e besimit.

Vendi ka provuar tashmë sa vlejnë llafet e mira kur gurët mbeten në trastë dhe elefanti, siç ndodh gjithmonë, mbetet në dhomë edhe kur flitet gjatë për çdo gjë tjetër përveç tij.

Besa është fjala e dhënë. Dhe fjala e dhënë matet vetëm në një mënyrë: mbahet ose thyhet. Prandaj pyetja nuk është kush e kërkon Besën, por kush e mban.

Armir Shkurti zbardh misionin e Kuvendit Kombëtar të protestës: Nuk është forcë politike

0

I ftuar në emisionin “Review” me Greta Topjanën, gazetari Armir Shkurti shpjegoi rolin dhe funksionimin e Kuvendit Kombëtar të protestës, duke hedhur poshtë akuzat se ky organizim synon të shndërrohet në një forcë politike.

Shkurti tha se, ndaj Kuvendit është zhvilluar një fushatë e madhe sulmesh dhe keqinterpretimesh, ndërsa theksoi se ky organizim nuk është një subjekt politik, por një strukturë e krijuar nga qytetarët dhe protestuesit për të mbajtur gjallë protestën.

“Kuvendi nuk është forcë politike. Është një organizim ose vetëorganizim i qytetarëve dhe protestuesve, i cili ka për qëllim të mbajë protestën të ndezur. Nuk ka për qëllim të hyjë në negociata me askënd, të prodhojë platforma politike apo të jetë një forcë politike. Nuk është një platformë politike, por një mënyrë organizimi për të kuptuar se si do të funksionojë protesta. Pretendimet se këta duan të përfitojnë, të krijojnë një forcë politike apo një grup negociator janë pjesë e një propagande negativ. Në shesh kemi të gjithë flamingot që i ka bërë kauzë Edi Rama, konservatorë, ultranacionalistë, liberalë, socialistë të zhgënjyer, demokratë të zhgënjyer, njerëz pa parti. Të gjithë vijnë me hallin e tyre”, deklaroi ai.

Duke folur për organizimin e protestës dhe mungesën e një drejtimi të vetëm, Shkurti tha se ekziston një grup koordinues, por vendimmarrja nuk është e centralizuar.

“Rritja sasiore dhe mbajtja gjallë e protestës është ajo që unë e kam quajtur një zjarr që nuk shuhet”, u shpreh ai. Kuvendi nuk është grupi udhëheqës. Kuvendi është përfaqësim i frymës së protestës. Ai do të shërbejë për ta mbajtur gjallë këtë energji qytetare edhe në zona të ndryshme të vendit”, tha Shkurti.

Në vijim, ai foli edhe për termin “Besa”, duke e lidhur me atë që e cilësoi si një ndjenjë të qytetarëve se kontrata mes tyre dhe qeverisë është thyer.

Sipas Shkurtit, kjo lidhet me perceptimin e protestuesve se premtimet e bëra ndër vite nuk janë mbajtur.

“Ajo që ka ndodhur me Ramën dhe protestuesit është se protestuesit ndihen, duke përdorur këtë term, të prerë në besë. Është thyer kontrata dhe protestuesit kërkojnë një kontratë të re”, përfundoi gazetari.