Ballina Blog Faqe 20

KUR SKENA FLET ME GJUHËN E TALENTIT TË PASTËR!

0

Nga Ramazan Çeka

Çfarë kënaqësie e pafund dhe çfarë emocioni që të pushtonte tërësisht, të ndiqje një performancë kaq magjike në skenën e Festivalit Mbarëkombëtar të Fëmijëve, në edicionin e tij të 64-të, në Tempullin e artit dhe kulturës, në Teatrin “Migjeni”!

Ajri Drishti shkëlqeu si një xhevahir, duke rrëmbyer duartrokitjet e zjarrta dhe Çmimin e Parë në kategorinë e të vegjëlve, me këngën “Nuk kam ku luj”.

Në Shkodrën tonë, në këtë djep të pashtershëm të kulturës dhe artit, netë të tilla shkruajnë histori. Shkodra e këngës dhe e traditës sot krenohet me këtë fitore të bukur, një ngjarje që pasuron vlerat tona dhe që do të kujtohet gjatë si një festë e vërtetë e shpirtit artistik!

Përgëzime nga zemra dyshes së mrekullueshme të realizuesve: Ismet Drishti, për këtë tekst e muzikë kaq goditëse e plot jetë, dhe maestros Ilir Zoga për orkestrimin e përkryer që i dha krahë këtij suksesi. Mjeshtëri e vërtetë!

Rrugëtim të mbarë e plot dritë për artisten tonë të vogël, Ajrin! U rritsh dhe shkëlqefsh gjithmonë mes duartrokitjesh!

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Gjyqi në GJKKO, Meta merr fjalën: Banoj te 313-ta, jam beqar!

0

Këtë të premte, më 5 qershor, do të zhvillohet seanca e parë për çështjen ndaj ish-presidentit të Republikës Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.

Siç vihet re nga pamjet brenda sallës së gjyqit që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Meta përsëri është ulur brenda kafazit prej xhami, pavarësisht kërkesave të avokatëve të tij që kjo të mos ndodhë më. Kjo me argumentin se shkel të drejtat e njeriut.

Seanca e sotme po drejtohet nga gjyqtari Erjon Bani. Ky i fundit refuzoi kërkesën e gazetarëve dhe palëve në proces për transmetimin live të seancës.

Sipas tij, prania e kamerës nuk parashikohet në legjislacion dhe “proceset gjyqësore nuk mund të shndërrohen në spektakle apo në show mediatik”, por procesi duhet të jetë i qetë dhe i garantuar. Prania e kamerës sipas gjyqtarit ndikon në cilësinë e gjykimit dhe shqyrtimit gjyqësor.

Kërkesa e transmetimit live u rrëzua po ashtu edhe regjistrimi, megjithatë u lejuan përfaqësuesit mediatikë të dëgjojnë seancën.

Pas largimit të kamerave dhe ndërprerjes së transmetimit live, seanca vijoi sipas agjendës. Fjalën e mori ish-presidenti Meta, i cili iu përgjigj pyetjeve standarde të çdo seance.

Në Tiranë banoj për momentin. Jam banues tek 313-ta. Gjendja civile jam beqar, dmth i divorcuar”, u shpreh ai.

Më pas fjalën e mori Kujtim Cakrani, avokati i Metës i cili ngriti përsëri shqetësimin për çështjen e kafazit prej xhami.

“Kam një kërkesë paraprake, ju kam bërë kërkesë juve një javë më parë për sa i përket kafazit të xhamtë. Ua kam bërë ambasadave, Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ndërkohë Avokatit të Popullit s’ja kam bërë se është kot…”, tha Cakrani. Në këtë moment, ndërhyn gjykata, i tërheq vëmendjen.

Ai vazhdon e flet: “Konventën Europiane ju e përdorni kur ju duhet”.

Gjykata u tërhoq për të marrë vendimin në lidhje me çështjen e kafazit.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Vrasja e efektivit, familjarët i drejtohen Begajt: E keni lënë vendin në duart e kriminelëve

0

Të kapluar nga dhimbja, familjarët e policit Enea Mekolli, që u vra dje në krye të detyrës, vajtojnë sot humbjen e të shtrenjtit të tyre.

Teksa në homazhe në Pogradec, presidenti Bajram Begaj, ky i fundit është përballur me një episod, ku familjarë të viktimës i kanë kërkuar llogari.

Ka qenë xhaxhai i 36-vjeçari që i ka kërkuar llogari Begajt për ngjarjes, ndërsa i kërkon që të merren masa pasi kriminelët po vrasin jetë të pafajshme.

“E latë këtë vend në dorë të krimineleve. Na mbylli derën, mos i lini kriminelet.

Ka patur tre herë tentativë për ta arrestuar, duhet të merrni masa, po na vrisni, bëhuni te zotë, e late këtë vend në dorë të krimineleve, po sundojnë kriminelet në çdo cep të Shqipërisë.

Nuk dominion policia por dominon krimi. Na fundoset. Na çuat në fund. Nuk kishte masa mbrojtëse.”, tha xhaxhai, ndërsa Begaj nuk ka bërë asnjë reagim, por e ka përqafuar.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

U vra në krye të detyrës, mbahen homazhet për “Dëshmorin e Atdheut” Enea Mekolli

0

Në qytetin e Pogradecit po zhvillohen homazhe për efektivin e Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili u shpall “Dëshmor i Atdheut” pas humbjes së jetës në krye të detyrës gjatë një operacioni policor në Lozhan të Maliqit.

Ndonëse protokolli shtetëror parashikon që Dëshmorët e Atdheut të prehen në varrezat e posaçme në Tiranë, familja ka kërkuar që Enea Mekolli të varroset në vendlindje. Kjo kërkesë e familjes vjen për shkak se kanë patur edhe një djalë tjetër që ka qenë efektiv dhe që ka humbur jetën si pasojë e një sëmundjeje. Dhe ata duan që dy djemtë të prehen pranë njëri-tjetrit.

Homazhet në nderim të 34-vjeçarit kanë nisur në orën 10:00 dhe po zhvillohen pranë Qendrës Kulturore të Pogradecit, ku familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë janë mbledhur për të shprehur respektin dhe mirënjohjen ndaj sakrificës së tij.

Siç mund ta shihni më poshtë, kolegët e Mekollit kanë vendosur në krah një shirit të zi, në shenjë zie dhe respekti për kujtimin e tij.

Në ceremoninë mortore mori pjesë edhe numri dy i qeverisë, Albana Koçiu.

“Humbja e dëshmorit të atdheut, një ngjarje shumë e rëndë, sidomos në kryerjen e një detyre kaq fisnike sa mbrojtja dhe siguria e rendit publik. Ngushëllime të gjithë familjarëve, kolegëve të tij, të gjithë trupës së Policisë së Shtetit. Është një nga ato ngjarje që na bën të reflektojmë thellë mbi sakrificën dhe përgjegjësinë që mban ushtrimi i kësaj detyre, duke përfshirë edhe gjithë ngarkesën që familjarët, miqtë e kolegët kanë në momente të tilla. Një reflektim për të gjithë shoqërinë, për të garantuar akoma më shumë përgjegjësi dhe për të reflektuar akoma më shumë kur vjen puna te sjellja qytetare”, deklaroi ajo.

Në orën 14:00, do të zhvillohet ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit në fshatin Blacë, vendlindja e efektivit.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Nga duart e Ramës tek ministritë, 16 institucione ndryshojnë varësinë

0

Dy javë më parë parlamenti miratoi tre projektligje ku parashikohej mënyra ligjore e funksionimit të disa agjencive shtetërore, duke i kaluar ato nga varësia direkte ndaj Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave në varësi të ministrive të linjës.

Në relacionet shoqëruese të nismave të sjellë nga qeveria argumentohej se ndryshimet lidheshin me një raport të 2025-ës i SIGMA-s, një program i BE-së dhe OECD-së për mbështetjen e qeverisjes së mirë, ku kritikohej centralizimi i pushtetit në duart e kryeministrit duke e shkaktuar probleme në funksionalitetin e administratës dhe fragmentarizim të saj.

“Struktura organizative është mjaft e centralizuar”- vërehej në këtë raport duke shtuar se disa agjenci në varësi të Kryeministrit mbulojnë fusha veprimtarie që lidhen me përgjegjësitë e ministrive ekzistuese, duke kufizuar kështu mundësinë për drejtim dhe kontroll efektiv ministror.

Për ekspertët e shoqërisë civile, modeli i krijuar nga Rama ka sjellë jo vetëm grumbullimin e pushtetit në ‘një dorë’, por dhe paqëndrueshmëri institucionale dhe mungesë llogaridhënie.

Edhe Kryeministria pranon se reforma në administratë synon rritjen e eficiencës e të koordinimit dhe forcimit të performancës institucionale në funksion të politikbërjes dhe procesit të integrimit evropian.

“Vlerësimi i SIGMA-s është fokusuar në identifikimin e balancës optimale ndërmjet koordinimit të centralizuar dhe mbikëqyrjes strategjike, nga njëra anë, dhe delegimit efektiv të funksioneve sektoriale dhe bashkëpunimit ndërministror, nga ana tjetër, me qëllim forcimin e koherencës së politikave publike, eficiencës administrative dhe efektivitetit të qeverisjes”- i tha BIRN-it kryeministria .

Sipas qeverisë nga 29 autoritete shtetërore që janë nën varësi të kryeministrit reforma do ta reduktojë në 13 të tilla dhe pjesa tjetër do të kalojë në varësi të ministrive të ndryshme sipas profilizimit.

Në varësi të zyrës së Kryeministrit do të vijojnë të jenë agjencitë që kanë funksione me natyrë strategjike, ndërsektoriale, ato të parashikuara shprehimisht në Kushtetutë, funksionet e sigurisë kombëtare, si dhe ato të fushave prioritare qeveritare, ndërsa funksionet me natyrë sektoriale, koordinuese do të kalojnë në varësi të ministrive sipas funksioneve që kanë.

“Në përfundim të këtij ushtrimi vlerësues, është konsideruar që 13 institucione të vijojnë të mbeten në varësi të Kryeministrit, për shkak të rolit të tyre në ushtrimin e funksioneve të listuara më sipër si funksione që i përkasin qendrës së qeverisjes”- tha Kryeministria, ndërsa liston organizimin e ri për 16 institucione të tjera.

Ndarja parashikon që;  Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore kalon në varësi të ministrit përgjegjës për mjedisin; Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor kalon tek Mbrojtja; Inspektorati Qendror, Sekretariati Teknik i Këshillit Ekonomik Kombëtar dhe Startup Albania kalojnë në varësi të Ministrit përgjegjës për ekonominë; Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Departamenti i Administratës Publike, Shkolla Shqiptare e Administratës Publike dhe Drejtoria e Përgjithshme Antikorrupsion kalojnë në varësi të ministrit për administratën publike dhe antikorrupsionin; Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile kalon në varësi të ministrit përgjegjës për mirëqenien sociale; Avokatura e Shtetit kalon tek Ministri i Drejtësisë; Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Komiteti Shtetëror i Kulteve dhe Agjencia Kombëtare e Rinisë kalojnë në varësi të ministrit përgjegjës për kulturën, turizmin dhe sportin dhe Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore kalon tek Ministri për Pushtetin Vendor;

Sipas Kryeministrisë është ende në proces vlerësimi Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjatë qeverisjes së gjatë, kryeministri Edi Rama ka krijuar një model qendërzimi të pushtetit në duart e tij mbi sektorë të ndryshëm, duke krijuar agjenci të reja ‘satelite’  për fusha specifike të komunikimit, koordinimit dhe inovacionit institucional, si Agjencia për Media dhe Informim (MIA) dhe Qendra për Hapje dhe Dialog, COD, duke fuqizuar agjenci ekzistuese dhe duke u dhënë këtyre strukturave funksione që më parë ishin të shpërndara në ministri.

Këto agjenci do të vijojnë të mbeten në varësi të zyrës së Kryeministrit bashkë me të tjera institucione të rëndësishme Agjencia e Prokurimit Publik, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Agjencia për Koordinimin e Ndihmës së huaj (SASPAC), Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK), Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK), Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH), Akademia e Shkencave, etj../ BIRN

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

ANKESA NDAJ GENCI BUSHOS REGJISTROHET NË ILD, NIS SHQYRTIMI

0

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka konfirmuar zyrtarisht marrjen dhe regjistrimin e ankesës së paraqitur prej nesh, duke bërë me dije se çështja do të shqyrtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në shkresën zyrtare të datës 25 maj 2026, ILD njofton se ankesa është regjistruar dhe do t’i nënshtrohet procedurave të verifikimit dhe shqyrtimit sipas parashikimeve ligjore. Institucioni garanton gjithashtu se ankuesi do të njoftohet për çdo vendimmarrje që do të merret gjatë procesit.

Ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm procedural, pasi konfirmon se pretendimet e ngritura nuk janë lënë pa vëmendje, por janë futur në rrugën institucionale të shqyrtimit nga organi kompetent.

Ne do të vijojmë të ndjekim me transparencë e përgjegjësi ecurinë e kësaj çështjeje dhe do të informojmë publikun për çdo zhvillim zyrtar që do të pasojë nga procesi i shqyrtimit pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Heshtja e opozitës për Zvërnecin, Bushati nuk përmbahet: Berisha po del idiot noterik

0

Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka deklaruar se me qëndrimin për protestën e qytetarëve dhe për Zvërnecin, Sali Berisha po shfaqet si “idiot noterik” pasi po bie dakord me diçka që i shërben kryekëput Edi Ramës. 

“Berisha del idiot noterik. Një gjë që i shërben Ramës nga fillimi deri në fund, fillon, vjedh, ble media, ushqen oligarkët e vet, bën lobing në Amerikë, me llokmë Shqipërie forcon pushtetin e vet. Është në të drejtën e vet të sillet kështu. Ajo që bën Flamuri, Saliu, Strazimiri, që e dëgjova dhe thoshte po na pushtojnë transgjinorët dhe merremi me Zvërnecin, opozita ka kaluar në një debilizim të frikshëm, të futur brenda një vazo…

Ti thua kapin ndonjë lek, po një opozitë, edhe po të ketë qëllim të kapë lekë, duhet të marrë pushtetin, të kapë më shumë lekë. Frika ime është, që Saliun edhe për shkak të izolimit dhe moshës, e gënjejnë që do të heqë Kushneri non-gratën dhe e kanë futur në kurth, ndryshe nuk e shpjegoj dot këtë sjellje idioteske të opozitës. Nuk është çështje e moralit të opozitës. Frika imë është që bashkë me moralin, kanë humbur nuhatjen për të kuptuar pulsin e shoqërisë. Kjo opozitë nuk di të lexojë më se çfarë pulson shoqëria”, deklaroi Bushati. 

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

SPAK sekuestron vilën e Belinda Ballukut në Dhërmi, ish-zv.kryeministres i shtohen akuza të reja

0

Prokuroria e Posaçme ka vijuar hetimet ndaj ish-zv-kryeministres Belinda Balluku. Në një njoftim zyrtar, SPAK ka bërë të ditur se është sekuestura vila e Ballukut në Dhërmi. Gjithashtu nga hetimet ka rezultuar se dyshohet gjithashtu për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim.

Ndërsa në vijim të hetimeve të zhvilluara pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin nr.412, datë 3.6.2026, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi  pasurinë e paluajtshme, në pronësinë indirekte të shtetases Belinda Balluku, që ndodhet në resortin turistik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë.

Prokuroria e Posaçme ka vijuar hetimet ndaj shtetases Belinda Balluku, e cila aktualisht është marrë e pandehur për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”*, në bashkëpunim dhe pas kryerjes së veprimeve të mëtejshme hetimore dyshohet gjithashtu për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim.

Në vijim të hetimeve të zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin nr.412, datë 3.6.2026, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi  pasurinë e paluajtshme, në pronësinë indirekte të shtetases Belinda Balluku, që ndodhet në resortin turistik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë.

Sipas rezultateve të deritanishme të hetimit, ekzistojnë dyshime se pasuria e sekuestruar lidhet me përfitimin e parregullt, të kërkuar dhe marrë nga shtetasja Belinda Balluku, në këmbim të favorizimit të operatorit ekonomik, përmes një procedure prokurorimi publik të zhvilluar nga Albcontrol sh.a. Hetimet kanë evidentuar gjithashtu përdorimin e veprimeve juridike të dyshuara si fiktive, me qëllim fshehjen e origjinës dhe pronësisë reale të pasurisë.

Pasuria e vendosur nën “sekuestro preventive” përbëhet nga një “Vilë individuale dy katëshe tip Begonia me Nr.F6, parcela e rrethuar në dispozicion të vilës është jo më pak se 300 m2. Vila F6, brenda kësaj parcele, ka një sipërfaqe prej 103m2 (kati përdhe 54 m2 dhe kati i parë mbi përdhe 49 m2). Vila F6 ka edhe verandën 34m2. Vendparkimi ndodhet brenda sipërfaqes së parcelës. [Referuar kontratës së porosisë me nr.1059 rep, nr.650 kol, datë 05.12.2018]

Nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ndjekja e hetimeve me metoda speciale, grumbullimi i provave dixhitale dhe provave të tjera të administruara deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, rezultojnë të dhëna për fakte penale të reja në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1, shkronja “b” e Kodit Penal, në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287, paragrafi 2, të Kodit Penal.

Nga aktet e administruara kanë rezultuar të dhëna për veprime të kundërligjshme të shtetases Belinda Balluku në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt: “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”, me fond limit 88,651,633 (tetëdhjetë e tetë milion e gjashtëqind e pesëdhjetë e një mijë e gjashtëqind e tridhjetë e tre) lekë, si dhe “Shtesë kontrate për ‘Rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve’”, me vlerë 14,161,814 (katërmbëdhjetë milion e njëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e tetëqind e katërmbëdhjetë) lekë pa TVSH.

Në lidhje me procedurën e sipërcituar, rezulton se shtetasja Belinda Balluku, në cilësinë e titullares së autoritetit kontraktor “Albcontrol” sh.a, me detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të “Albcontrol” sh.a, në bashkëpunim me shtetasin Evis Berberi, me detyrën e Shefit të Sektorit të Prokurimeve, si dhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit S.P., E.N. dhe A.M., kanë kryer veprime të kundërligjshme në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, si dhe VKM nr. 1, datë 10.1.2007 “Për rregullat e prokurimit publik” (i ndryshuar).

Këto veprime lidhen me fazën e përgatitjes së projektit dhe zhvillimit të procedurës, në përcaktimin e kritereve dhe miratimin e dokumenteve të tenderit, duke paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të procedurës së prokurimit, operatorin ekonomik “Eurocol” sh.p.k.

Favorizimi i shoqërisë fituese ka vazhduar edhe në momentin e lidhjes së kontratës, duke i ofruar parapagim të menjëhershëm në vlerën 50% të kontratës, si dhe gjatë zbatimit të kontratës dhe shtesës së saj.

Nga hetimi rezulton se shtetasja Belinda Balluku, për shkak të funksionit të saj publik si Drejtore e Përgjithshme e Albcontrol sh.a, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k. në procedurën e sipërcituar, ka kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt, i cili, referuar kontratës së porosisë, është në vlerën 145,000 (njëqind e dyzet e pesë mijë) euro, që konsiston në pasuri të paluajtshme, konkretisht vilën me nr. F6, në resortin turistik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, me zhvillues shoqërinë “Eurocol” sh.p.k.

Përfitimi i parregullt është kërkuar gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, ku rezulton se në atë kohë shoqëria “Eurocol” sh.p.k. kishte aplikuar dhe ishte pajisur me Lejen Zhvillimore Komplekse nr. 2385/1 prot., datë 27.3.2015, të miratuar me Vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit nr. 7, datë 7.3.2014, “Për miratimin e lejes zhvillimore komplekse për resortin turistik në fshatin Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë”.

Për të fshehur këtë pasuri si produkt të veprës penale, shtetasja Belinda Balluku ka përdorur shtetasin I.T dhe vartësen e saj në Albcontrol sh.a., shtetasen J.B.

Kështu, rezulton se shtetasja Belinda Balluku ka kryer veprimin fiktiv të kontratës së porosisë nr. 1059 rep., nr. 650 kol., datë 5.12.2018, të lidhur mes shtetasit I.T dhe pronarit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k., shtetasit P.C.

Veprimet e kundërligjshme në formën e pastrimit të produkteve të veprës penale kanë vijuar nga shtetasit Belinda Balluku, I.T dhe J.B, duke kryer veprimin tjetër fiktiv, atë të kontratës së qirasë (kontratë dore), datë 25.5.2022, dhe amendamentin e kësaj kontrate, datë 26.4.2024.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të fakteve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, si edhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse penale.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Rama shpërthen për Zvërnecin në CNN: Fake News!

0

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një intervistë aspak të qetë për rrjetin televiziv prestigjioz amerikan CNN.

I pyetur për protestat në Shqipëri, Rama tha se ka shumë lajme të rreme që po thuhen për këtë çështje, citon lapsi.al. Madje ai u shfaq i revolotuar edhe ndaj gazetares së CNN derisa në fund ajo u detyrua t’i presë fjalën për shkak se Rama nuk po pushonte.

Sjellja e Ramës në CNN i ngjasonte asaj të Donald Trump që sa herë përballet me CNN e akuzon për “lajme të rreme”. Ndoshta kjo ishte një mënyrë e zgjedhur nga Rama për të rënë në sy të kreut të Shtëpisë së Bardhë ose atyre rreth tij.    

PJESË NGA INTERVISTA DHE PËRPLASJA E RAMES ME CNN

Gazetarja: Më lejoni fillimisht të marr reagimin tuaj për protestat që kemi parë si në kryeqytetin Tiranë, ashtu edhe në qytetet bregdetare, lidhur me këtë zhvillim që lidhet me Jared Kushner. Si i përgjigjeni ju protestave dhe shqetësimeve të tyre?

Edi Rama: Së pari, ju falënderoj që më jepni këtë mundësi, sepse duhet të them se është vërtet mbresëlënëse të ndiesh peshën e lajmeve të rreme që vijnë edhe nga media që, në sytë e mi, janë shumë të respektuara.

Dhe vetëm për të saktësuar, ju thatë protesta në të gjithë Shqipërinë. Kjo është e rreme. Nuk ka protesta në të gjithë Shqipërinë. Ka një protestë në kryeqytet.

Ne jemi në një luftë hibride. Shqipëria është nën sulm nga armiq që i njohim shumë mirë. Është nën sulm nga konkurrenca shumë e fortë në pjesën tonë të Mesdheut. Është nën sulm nga mijëra e qindra mijëra profile të rreme (bots) që janë krijuar për të shkaktuar gjithë këtë stuhi.

Dhe sigurisht, në këtë protestë ka njerëz me qëllime të mira, të rinj që në përgjithësi janë të interesuar për mjedisin, por që janë keqinformuar në masë të madhe.

Nuk ekziston diçka e tillë si “ishulli i familjes Trump”. Nuk ekziston diçka e tillë si familja e presidentit amerikan që po merr nën kontroll zonat e mbrojtura me flamingo.

Edi Rama: Dëgjoni, faleminderit që e shfaqët atë video, sepse ajo është pikërisht portreti i dikujt që është i keqinformuar ose pjesë e atyre që keqinformojnë. Sepse, para së gjithash, nuk ka asnjë projekt. Ai po flet për një projekt që nuk e ka parë askund tjetër përveçse në imazhe të rreme të krijuara dhe të shpërndara në rrjetet sociale në Shqipëri, sepse ne jemi në një luftë hibride. Sa i përket projektit…

Gazetarja: Pra, vetëm për ta sqaruar, projekti nuk do të vazhdojë?

Rama: Përsëri, nuk ka ende një projekt. Nuk ka një projekt.

Gazetarja: Dua t’ju dëgjoj, zoti Kryeministër, por po përpiqem të sqaroj…

Edi Rama: Doni të më dëgjoni apo doni vetëm të flisni?

Gazetarja: Dua t’ju dëgjoj, por po përpiqem të sqaroj për shikuesit tanë. Ju po na akuzoni për lajme të rreme dhe po përpiqem të kuptoj nëse projekti vazhdon apo është ndalur. Sepse, sipas raportimeve të Politico, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit në Shqipëri ka nisur një hetim për këtë projekt. Si mund të vazhdojë projekti në këto kushte?

Edi Rama: Përsëri, ju nuk doni të dëgjoni. Është shumë e qartë për mua. Nuk po ju sulmoj. Po ju them të vërtetën. Dhe derisa të më tregoni projektin, duhet të më dëgjoni, sepse nuk ka projekt.

Për të krijuar këtë projekt, grupi që nuk përbëhet vetëm nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump, por edhe nga investitorë të tjerë shumë të respektuar, ka angazhuar pesë nga arkitektët më të mirë në botë sot:

Kengo Kuma nga Japonia, Bjarke Ingels nga Danimarka, Emre Arolat nga Turqia, K-Studio nga Greqia, Jean Nouvel nga Franca.

Këta po punojnë së bashku me inxhinierë të nivelit më të lartë për mjedisin dhe specialistë të ndikimit social. Ndërkohë është angazhuar edhe një nga kompanitë më të mëdha konsulente për vlerësimin e ndikimit mjedisor.

Sepse sfida nuk është të ndërtohet një qytet. Sfida nuk është të derdhet beton mbi kokat e flamingove. Sfida është të provohet se zhvillimi dhe natyra jo vetëm që mund të bashkëjetojnë, por se natyra dhe zhvillimi kanë nevojë për njëra-tjetrën.

Njerëzit meritojnë të jetojnë në një lloj tjetër mjedisi, ku mund ta shijojnë natyrën dhe njëkohësisht t’i tregojnë respekt.

Pra, projekti ende nuk ekziston. Vlerësimi i ndikimit mjedisor është ende duke u kryer. E kuptoni? Dhe më lini të përfundoj.

Gazetarja: Po ju dëgjoj, zoti Kryeministër.

Edi Rama: Më lini të përfundoj, sepse ju përmendët Politico dhe thatë se ka një hetim antikorrupsion. Ky është lajm i rremë. Hetimi ka të bëjë me një nga pronarët e tokës. Është tokë private dhe një nga pronarët e ka shitur pronën, e cila është blerë përmes transaksioneve bankare krejtësisht transparente.

Hetimi është për atë çështje. Nuk është për investimin. Nuk është për projektin. Nuk është për Kushnerin. Nuk është për Trumpin. Nuk është për asgjë nga ato që po hidhen në këtë përzierje për të krijuar lajmin sensacional se Shqipëria është një vend ku po vrasim flamingot.

Sepse sfida nuk është të ndërtohet një qytet. Sfida nuk është të derdhet beton mbi kokat e flamingove. Sfida është të provohet se zhvillimi dhe natyra jo vetëm që mund të bashkëjetojnë, por se natyra dhe zhvillimi kanë nevojë për njëra-tjetrën.

Njerëzit meritojnë të jetojnë në një lloj tjetër mjedisi, ku mund ta shijojnë natyrën dhe njëkohësisht t’i tregojnë respekt.

Pra, projekti ende nuk ekziston. Vlerësimi i ndikimit mjedisor është ende duke u kryer. E kuptoni? Dhe më lini të përfundoj.

Gazetarja: Faleminderit zoti Rama!

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Efektivi u vra në krye të detyrës, Hita: Sot, ditë e trishtë për Policinë e Shtetit!

0

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka vizituar këtë të enjte në Spitalin Universitar të Traumës efektivin e policisë Edison Adri, i cili po merr ndihmën e nevojshme mjekësore pas plagëve të marra gjatë operacionit policor të zhvilluar mëngjesin e sotëm në fshatin Lozhan të Maliqit.

Gjatë operacionit për kapjen e të shumëkërkuarit të drejtësisë, Violand Bracellari, ky i fundit qëlloi me armë zjarri në drejtim të forcave të policisë. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit humbi jetën efektivi i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, ndërsa mbeti i plagosur rëndë efektivi Edison Adri.

Në një deklaratë për mediat nga ambientet e Spitalit të Traumës, Hita e cilësoi ngjarjen si një nga momentet më të dhimbshme për Policinë e Shtetit.

“Sot është një ngjarje e trishtë për të gjithë Policinë e Shtetit. Në një operacion policor ne humbëm një koleg të mrekullueshëm, një baba të përkushtuar dhe Policia e Shtetit humbi shërbëtorin e saj në shërbim të qytetarëve. Në këtë ngjarje edhe një oficer policie është plagosur rëndë dhe njëkohësisht personi në kërkim, për të cilin ishte bërë rrethimi dhe neutralizimi i tij, gjatë shkëmbimit të zjarrit është plagosur. Është një ngjarje që të lë pa fjalë, sot do doja të mos isha para jush”, tha Hita.

Kreu i Policisë bëri me dije se hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave kanë nisur dhe do të udhëtojë drejt Korçës, ku pritet të ketë një komunikim zyrtar lidhur me ngjarjen.

Ndërkohë, burime mjekësore bëjnë me dije se efektivi i plagosur fillimisht është transportuar dhe trajtuar në Spitalin Rajonal të Korçës, ku është stabilizuar falë ndërhyrjes së menjëhershme të stafit mjekësor. Më pas ai është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku është futur menjëherë në sallën e operacionit.

Mjekët konfirmojnë se polici ka marrë dëmtime në zonën e kokës dhe qafës, ndërsa gjendja e tij mbetet serioze. Sipas tyre, po bëhet maksimumi për të siguruar rezultatin më të mirë të mundshëm për shëndetin e pacientit, ndërsa ecuria e tij do të vlerësohet në orët dhe ditët në vijim.

Ndërkohë, edhe i shumëkërkuari Violand Bracellari, i cili mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, është transportuar me ambulancë drejt Spitalit të Traumës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx