Ballina Blog Faqe 19

Gjykata Kushtetuesja rrëzon kërkesën e deputetëve të PD-së për Diellën

0

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e një grupi deputetësh të Partisë Demokratike, të cilët kërkonin shfuqizimin e dekretit të Presidentit për emërimin e “ministres Diella”.

Kërkesa e deputetëve të opozitës ishte paraqitur në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar dekretin presidencial lidhur me emërimin e “Diellës” në qeveri.

Me vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos pranojë kërkesën e deputetëve të PD-së, duke lënë në fuqi dekretin e Presidentit.

VENDIMI:
Gjykata Kushtetuese, në datën 26.05.2026, mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve çështjen, në kërkesë nr. grup prej 39 deputetësh të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (Kuvendit), në cilësinë e subjektit kushtetues jo më pak se një e pesta e deputetëve (kërkuesi), me objekt: “Shfuqizimin e nenit 2 te dekretit nr. 331, datë 12.09.2025, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë “Për emërimin e Kryeministrit”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Shfuqizimi i nenit 1, pika 1, fjalia e dytë, të dekretit nr. 333, datë 15.09.2025, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë “Për emërimin e Këshillit të Ministrave”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”.

Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot në datën 08.10.2026, pasi shqyrtoi objektin e kërkesës, natyrën e thelbin e pretendimeve të parashtruara nga kërkuesi, si dhe prapësimet e subjekteve të interesuara vërejti se:

Së pari, kjo është një çështje e re, për të cilën nuk ka pasur qëndrime të mëhershme në kontekstin e inteligjencës artificiale.

Së dyti, përdorimi i inteligjencës artificiale nuk mund të ndryshojë rendin kushtetues dhe ligjor të ushtrimit të kompetencave publike, të përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Përdorimi i një mjeti teknologjik nuk mund të krijojë, zgjerojë, transferojë ose zëvendësojë këto kompetenca. Në kërkesë të tillë buron nga parimi i shtetit të së drejtës dhe ligjshmërisë.

Së treti, në rastin konkret, kërkuesi ka pretenduar, në thelb, se përmes dekretve të kundërshtuara, Presidenti ka krijuar një strukturë të re ministrore dhe i ka ngarkuar Kryeministrit një përgjegjësi që nuk buron nga Kushtetuta ose ligji, duke cenuar kompetencat kushtetuese të organeve të tjera dhe garancitë kushtetuese për emërimin e ministrit. Mbështetur mbi këto argumente dhe parashtruesit bazës ligjore të përzgjedhur nga kërkuesi, Gjykata e vlerësoi çështjen sipas natyrës dhe objektit të saj, duke analizuar kompetencën e saj të përcaktuar nga shkronjat “c”, “ç”, dhe “e” të pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës.

Lidhur me shkronjën “c” të pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës, në parim kjo dispozitë i jep kompetencë Gjykatës për të vendosur për pajtueshmërinë e akteve normative të organeve qendrore dhe vendore me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare, Në çështjen konkrete, Gjykata arrin në përfundimin se formulimi i kundërshtuar është i aftë të prodhojë një efekt juridik individual ndaj Kryeministrit, por nuk rezulton se ai ka efekt kushtetues autonom për krijimin e kompetencave ose strukturave të reja dhe në çdo rast efekti i tij nuk ka karakter normativ. Për rrjedhojë, çështja nuk mund të shqyrtohet bazuar në nenin 131, pika 1, shkronja “c” të Kushtetutës.

Lidhur me shkronjën “ç” të pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës, në parim kjo dispozitë parashikon kompetencën e Gjykatës për mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve. Në çështjen konkrete, Gjykata çmon se ekzistenca e një mosmarrëveshjeje kompetencash me natyrë kushtetuese nuk mund të varet nga qëndrimi i shprehur i organeve të përfshira as ato ndodhen në konflikt, por nga natyra e kompetencave të pretenduara dhe nga fakti që akti ose sjellja e një organi mund të ketë mbi sferën e kompetencave kushtetuese të një organi tjetër. Nga ana tjetër, çështja në kërkesë konkrete legjitimohet për të një ngritur një mosmarrëveshje të tillë lidhur me legjitimitetin e tij ratione personae, kriter të cilin ai nuk e përmbush, pasi nuk rezulton as subjekt në konflikt dhe as subjekt i cenuar drejtpërdrejt prej tij. Për rrjedhojë, çështja nuk mund të shqyrtohet bazuar në nenin 131, pika 1, shkronja “ç” të Kushtetutës.

Lidhur me shkronjën “e” të pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës, në parim kjo dispozitë përcakton kompetencën e Gjykatës për çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmërinë në ushtrimin e funksioneve të funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre, ku përfshihen edhe organi kushtetues i ministrit. Në çështjen konkrete, Gjykata evidenton se pavarësisht terminologjisë së përdorur në dekretet e kundërshtuara, nuk rezulton se kemi të bëjmë me një funksionar konkret kushtetues, zgjedhshmëria, papajtueshmëria ose zgjedhja/emërimi i të cilit mund të përbëjë objekt kontrolli sipas shkronjës “e” të pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës. Për rrjedhojë, Gjykata çmon se ajo nuk mund ta shqyrtojë çështjen as mbi këtë bazë.

Në përfundim, Gjykata me shumicë votash vendosi rrëzimin e kërkesës.

Përplasje para parlamentit, policia hedh spray ndaj protestuesve, disa të lënduar

0

Është tensionuar sërish situata para parlamentit mes protestuesve dhe policisë. A2 CNN raporton se Policia ka përdorur spray për të shpërndarë turmën. Për pasojë, disa protestues kanë mbetur të lënduar, ndërsa ambulancat kanë transportuar të paktën 10 prej tyre drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.

Një prej protestuesve raportohet se ka pësuar dëmtime në sy pas përdorimit të spray-t dhe ka pritur mbërritjen e ambulancës.

Protestuesit i kanë vënë flakën disa koshave të mbeturinave pranë qendrës tregtare krah parlamentit, por janë fikur nga efektivët.

Një tjetër protestues ka mbetur i lënduar në sy nga spray i hedhur nga policia dhe është në pritje të ambulancës.

Ndërkohë një grup protestuesish me në krye deputetin Klevis Balliu kanë kapërcyer Lanën dhe po tentojnë të shkojnë te rrethimi i parlamentit.

Kordoni i policisë është vendosur në mënyrë të tillë që të ndajë protestuesit e PD nga ata të flamingove.

Zhupa sfidon deputetin Sinaj: A ke vullnet të tregohesh burrë dhe të mos lejosh shkrirjen e Selenicës?

0

Deputetja demokrate Ina Zhupa i kërkoi Vullnet Sinajt që të votojë kundër draftit të PS për reformën territoriale dhe ti qëndrojë deklaratave të tij kundër shkrirjes së bashkisë së Selenicës.

“A ka Vullnet Sinaj t’i qëndrojë asaj që ka thënë më 3 gusht, që Selenica nuk duhet të shkrihet? A ke vullnet të tregohesh burrë nga Vlora dhe t’i qëndrosh fjalës që u ke dhënë qytetarëve? Po injoroni 15 këshilla bashkiakë që kanë votuar kundër.

Po përplaseni me qytetarët jashtë kësaj salle, të cilët ju kërkojnë t’i dëgjoni. Ju keni marrë urdhër të qëndroni si ushtarë për të votuar Ramaformën. Tërhiquni, nuk e hoqët nga rendi i ditës po keni mundëis të votoni kundër”, tha Zhupa.

“Territorialja’/ Dy kryebashkiakët thirrje deputetëve: Mos e votoni këtë reformë shpopulluese!

0

Protesta kundër Reformës Administrativo-Territoriale vijon para Parlamentit, ndërsa kryebashkiakët e Memaliajt, Albert Malaj dhe Fushë-Arrëzit, Hil Curri u kanë bërë thirrje deputetëve të mos votojnë projektligjin që parashikon ndryshime në ndarjen territoriale.

Kryetari i Bashkisë Memaliaj e cilësoi reformën si një nismë që do të sjellë shpopullim të mëtejshëm të zonave që preken nga ndryshimet.

“Kjo reformë nxit vetëm shpopullim. Qytetarët e këtyre 15 bashkive protestojnë në qytetet e tyre. Ju bëj thirrje sot të gjithë deputetëve të Parlamentit të mos e votojnë këtë reformë shpopulluese, këtë reformë që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Kartën e BE-së”, deklaroi ai.

Sipas tij, ndryshimet territoriale nuk do të sjellin zhvillim për komunitetet lokale.

“Kjo nuk sjell zhvillim, por vetëm shpopullim. Harta e PD-së ripopullon këtë vend. Ju bëj thirrje të mos e votojmë këtë reformë”, u shpreh kryebashkiaku i Memaliajt.

Edhe kryetari i Bashkisë Fushë-Arrëz iu drejtua deputetëve me një paralajmërim lidhur me votën e tyre në Kuvend.

“Nuk do të jetë e lehtë për ata deputetë që do të votojnë për shpopullimin dhe shkrirjen e 15 bashkive”, deklaroi ai.

Spiropali debat me Bardhin në Kuvend: Ju nuk keni parti, keni vetëm një njeri

0

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, është përfshirë në një debat në Kuvend me deputetin e Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, gjatë diskutimeve për Reformën Territoriale.

Në fjalën e saj, Spiropali iu përgjigj kritikave të opozitës, duke deklaruar se nuk duhet të ndërthuren çështje që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, duke paralajmëruar se ato do të marrin zgjidhje së shpejti.

“Nuk mund të përdoret këtu çdo platformë për të folur për të njëjtën çështje. I qëndroj një më një gjërave që kam thënë, në platformë dhe pa platformë, e kam prezantuar në Asamblenë e PS-së.

Ashtu sikur ju nuk thoni dot një fjalë në Kryesinë e partisë tuaj, as në mbledhje, sepse ju nuk keni një parti, ju keni vetëm një njeri. I kam dalë kundër kulturës së personalizimit dhe kontrollit të pushtetit, nga pushteti lokal te ai qendror. Ju jeni mishërimi i personalizimit të pushtetit deri në katandisje. I kam dalë kundër kësaj kulture. Mos i lidh çështjet që janë të palidhura, se të gjitha do të zgjidhen shumë shpejt”, tha ajo.

Gjithashtu ditën e sotme, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Vullnet Sinaj mësohet se ka ndryshuar qëndrim dhe ka votuar pro reformës, dhe mbetet për t’u parë qëndrimi që do të mbajë Erion Braçe gjatë votimit në Kuvend.

Ndërkohë, jashtë Parlamentit janë shënuar tensione dhe përplasje mes qytetarëve dhe policisë. Policia ka marrë masa të shtuara sigurie në zonën përreth Kuvendit, ndërsa barriera metalike janë vendosur përpara godinës për të kufizuar afrimin e protestuesve. Forca të shumta policie ndodhen gjithashtu në terren.

Protesta para Kuvendit, kryebashkiaku i Memaliajt përplaset me forcat e policisë

0

Tensione janë shënuar para godinës së Kuvendit, ku po zhvillohet protesta e opozitës, por edhe e qytetarëve kundër Reformës Administrativo-Territoriale. Mes protestuesve është edhe kryebashkiaku i Memaliajt, Albert Malaj, i cili është përfshirë në një përplasje me efektivët e policisë.

Protestuesit kundërshtojnë ndryshimet e propozuara për ndarjen e re administrativo-territoriale, ndërsa efektivët e policisë u kanë kërkuar të largohen nga rruga dhe të mos pengojnë qarkullimin. Në rendin e ditës së Kuvendit është edhe projektligji për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore, që ka shkaktuar kundërshtime të forta nga opozita dhe përfaqësues të disa njësive vendore.

Bordi i Transparencës rrit sërish çmimin e naftës dhe benzinës

0

Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të karburanteve, të cilat hyjnë në fuqi nga mesdita e sotme, 8 tetor.

Sipas vendimit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për naftën është caktuar në 217 lekë për litër, ndërsa çmimi me shumicë në 205 lekë për litër.

Për benzinën, çmimi maksimal me pakicë është vendosur në 193 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë në 181 lekë për litër.

Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi sot në orën 12:00 dhe do të qëndrojnë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të rishikohen në varësi të ecurisë së tregut.

Zbardhet fjala e Ramës me deputetët e PS para nisjes së seancës: Kush del nga vendimi i grupit, del nga grupi

0

Detaje të reja janë mësuar nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e zhvilluar mëngjesin e sotëm në sallën e seancave plenare, para nisjes së seancës.

Burime bëjnë me dije se gjatë mbledhjes, kryeministri Edi Rama u ka komunikuar deputetëve se vendimi për hartën e re territoriale është një vendim i grupit parlamentar, duke paralajmëruar se çdo deputet që del kundër këtij vendimi rrezikon të dalë edhe nga grupi parlamentar.

“Kush del nga vendimi i grupit, del nga grupi”, mësohet të ketë thënë Rama gjatë komunikimit me deputetët socialistë.

Në të njëjtën mbledhje, deputeti socialist Vullnet Sinaj ka ndryshuar qëndrim lidhur me reformën e re territoriale.

Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se Sinaj ka votuar pro hartës së re territoriale gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së.

Sinaj kishte shprehur më herët qëndrim kundër hartës së re, ndërsa votimi i sotëm shënon ndryshimin e pozicionit të tij.

Tensione në protestën pranë Parlamentit, policia hedh spraj lotsjellës drejt qytetarëve 

0

Është tensionuar protesta pranë Parlamentit mes protestuesve dhe policisë. Efektivët e vendosur pranë xhamisë për të mos lejuar kalimin e protestuesve drejt parlamentit, kanë hedhur spraj lotsjellës në drejtim të qytetarëve.

Protestuesit janë përpjekur të çajnë kordonin e policisë dhe gardhin metali të vendosur pranë xhamisë, me qëllim për të shkuar para Parlamentit ku po zhvillohet seanca plenare për reformën e re territoriale.

Policia nuk ka lejuar protestuesit të përparojnë drejt Parlamentit duke përfunduar në përplasje dhe shtyrje të dhunshme mes të dyja palëve.

Sot reforma territoriale në Kuvend/ PS mbledh grupin parlamentar, merr pjesë edhe Rama

0

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh sot në orën 09:00, në sallën e seancave plenare, rreth një orë para nisjes së seancës së Kuvendit.

Në qendër të diskutimeve mësohet të jetë reforma administrativo-territoriale, për të cilën socialistët synojnë të votojnë sot draftin që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.

Për miratimin e reformës nevojiten 84 vota në Kuvend. Drafti ka hasur edhe kundërshtime brenda grupit socialist, pasi deputetët Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj kanë shprehur rezerva dhe kanë votuar kundër draftit në mbledhjen e mëparshme të grupit.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së ka marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama.

Seanca plenare është parashikuar të nisë në orën 10:00, ndërsa reforma territoriale është pika e shtatë e rendit të ditës.