Tre grupet parlamentare të opozitës, Partia Demokratike, Partia e Lirisë dhe Aleanca për Ndryshim, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët ku thonë se janë pro marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh që Shqipëria pritet të marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për financimin e pajisjeve ushtarake.
Opozita shprehet se e mbështet në parim marrëveshjen me aleatin strategjik të Shqipërisë, por kundërshton mënyrën se si mazhoranca kërkon ta miratojë atë në Kuvend, duke e cilësuar procedurën e përshpejtuar brenda së njëjtës ditë si antikushtetuese.
“Po marrëveshjes me SHBA! Jo mënyrës antikushtetuese se si Edi Rama kërkon ta miratojë brenda ditës në Parlament”, thuhet në deklaratën e opozitës, e cila thekson se Shqipëria ka nevojë të rrisë investimet në mbrojtje dhe të përmbushë detyrimet e saj ndaj NATO-s.
Sipas opozitës, një marrëveshje e tillë strategjike kërkon transparencë, debat parlamentar dhe respektim të procedurave kushtetuese, ndërsa mënyra e ndjekur nga qeveria, sipas tyre, e kthen Kuvendin në një institucion që vetëm formalizon vendimet e mazhorancës.
“Çdo marrëveshje strategjike me aleatin tonë më të rëndësishëm meriton transparencë, debat dhe respektim të Kushtetutës, jo procedura të improvizuara antidemokratike, si ato që qeveria po imponon me dhunën e kartonit dhe që e kthejnë Kuvendin në noter të qeverisë. Kjo nuk është urgjencë as e Shqipërisë, as e SHBA-së. Është urgjencë e një qeverie që për vite zgjodhi korrupsionin në vend të përmbushjes së detyrimeve ndaj Aleancës dhe sot kërkon të mbulojë dështimet e veta duke shkelur Kushtetutën”, deklaron opozita.
Në deklaratë, opozita pretendon se marrëveshja është miratuar në parim nga qeveria që prej datës 19 qershor 2026 dhe se ka pasur kohë të mjaftueshme për t’u sjellë në Kuvend për shqyrtim sipas procedurave normale.
Partia Demokratike, Partia e Lirisë dhe Aleanca për Ndryshim thonë se nuk kundërshtojnë financimin për mbrojtjen, por kundërshtojnë mënyrën e trajtimit të kësaj marrëveshjeje.
“Partia Demokratike e anëtarësoi Shqipërinë në NATO. Ne e pranojmë këtë marrëveshje në parim, por nuk do të pranojmë kurrë që marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të përdoren si justifikim për të shkelur Kushtetutën. Aleanca me SHBA forcohet duke respektuar ligjin, jo duke e shkelur atë”, thuhet në deklaratë.
Opozita bën me dije se ka propozuar që marrëveshja të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar, por që deputetëve t’u jepet mundësia të njihen me dokumentin dhe votimi të zhvillohet në një seancë të posaçme plenare ditën e premte.
Sipas saj, ky propozim do të garantonte edhe praninë e grupeve opozitare dhe votën pro marrëveshjes, por pretendon se kjo zgjidhje është refuzuar nga kryeministri Edi Rama.
“Ne i qëndrojmë propozimit tonë konstruktiv që deputetëve t’u jepet mundësia të njihen me marrëveshjen dhe miratimi i saj të bëhet në një seancë plenare të posaçme ditën e premte të kësaj jave”, përfundon deklarata e tre grupeve parlamentare opozitare.






