Ballina Blog Faqe 21

Armir Shkurti zbardh misionin e Kuvendit Kombëtar të protestës: Nuk është forcë politike

0

I ftuar në emisionin “Review” me Greta Topjanën, gazetari Armir Shkurti shpjegoi rolin dhe funksionimin e Kuvendit Kombëtar të protestës, duke hedhur poshtë akuzat se ky organizim synon të shndërrohet në një forcë politike.

Shkurti tha se, ndaj Kuvendit është zhvilluar një fushatë e madhe sulmesh dhe keqinterpretimesh, ndërsa theksoi se ky organizim nuk është një subjekt politik, por një strukturë e krijuar nga qytetarët dhe protestuesit për të mbajtur gjallë protestën.

“Kuvendi nuk është forcë politike. Është një organizim ose vetëorganizim i qytetarëve dhe protestuesve, i cili ka për qëllim të mbajë protestën të ndezur. Nuk ka për qëllim të hyjë në negociata me askënd, të prodhojë platforma politike apo të jetë një forcë politike. Nuk është një platformë politike, por një mënyrë organizimi për të kuptuar se si do të funksionojë protesta. Pretendimet se këta duan të përfitojnë, të krijojnë një forcë politike apo një grup negociator janë pjesë e një propagande negativ. Në shesh kemi të gjithë flamingot që i ka bërë kauzë Edi Rama, konservatorë, ultranacionalistë, liberalë, socialistë të zhgënjyer, demokratë të zhgënjyer, njerëz pa parti. Të gjithë vijnë me hallin e tyre”, deklaroi ai.

Duke folur për organizimin e protestës dhe mungesën e një drejtimi të vetëm, Shkurti tha se ekziston një grup koordinues, por vendimmarrja nuk është e centralizuar.

“Rritja sasiore dhe mbajtja gjallë e protestës është ajo që unë e kam quajtur një zjarr që nuk shuhet”, u shpreh ai. Kuvendi nuk është grupi udhëheqës. Kuvendi është përfaqësim i frymës së protestës. Ai do të shërbejë për ta mbajtur gjallë këtë energji qytetare edhe në zona të ndryshme të vendit”, tha Shkurti.

Në vijim, ai foli edhe për termin “Besa”, duke e lidhur me atë që e cilësoi si një ndjenjë të qytetarëve se kontrata mes tyre dhe qeverisë është thyer.

Sipas Shkurtit, kjo lidhet me perceptimin e protestuesve se premtimet e bëra ndër vite nuk janë mbajtur.

“Ajo që ka ndodhur me Ramën dhe protestuesit është se protestuesit ndihen, duke përdorur këtë term, të prerë në besë. Është thyer kontrata dhe protestuesit kërkojnë një kontratë të re”, përfundoi gazetari.

Debate të ashpra në mbledhjen e socialistëve/ Rama-Braçes: Qepe gojën, mos fol! 

0

Debate të ashpra raportohet se janë regjistruar në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, e zhvilluar ditën e djeshme, mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Erion Braçe. Ishte ky i fundit që shprehu pakënaqësinë e tij në lidhje me votimet e kryera një ditë më parë në seancën plenare të Kuvendit.

Erion Braçe ka kritikuar mënyrën se si u miratuan dhe u votuan anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), ku u zgjodh edhe kreu i ri i këtij institucioni të rëndësishëm.

Sipas VNA, deputeti socialist ka kundërshtuar faktin se deputetët votuan për kandidatë që nuk i njihnin dhe për të cilët nuk ishte zhvilluar asnjë diskutim paraprak.

Votuam njerëz që nuk i njohim. Na i sillni gjërat gati dhe kërkoni të votojmë me sy mbyllur”, raportohet të ketë thënë Braçe.

Por kjo deklaratë nuk i ka pëlqyer Ramës, i cili i është përgjigjur Braçes duke thënë se anëtarët e KPP-së janë propozim i qeverisë dhe se votimi i tyre në Kuvend është një kërkesë e Bashkimit Evropian.

Ata janë verdikti i qeverisë. Ç’të bëj që na e kërkon BE-ja? Se nuk e sillnim fare në Kuvend“, mësohet të ketë thënë Rama. 

Megjithatë, Braçe nuk është tërhequr dhe ka replikuar sërish me kryeministrin. Në atë moment, Rama ka humbur durimin dhe i është drejtuar deputetit socialist me tone të larta: “Qepe gojën. Mos fol mbi mua. Ik p*rdhu.

Pas debatit me Braçen, Rama ka lëshuar edhe një mesazh që është interpretuar si paralajmërim për të gjithë deputetët socialistë.

Do ta bëj ndonjërin shembull. Se deri tani kam menduar që nuk ju punojnë mirë neuronet”, mësohet të ketë thënë ai.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Rama përplaset me deputetët e PS-së gjatë mbledhjeve të Grupit Parlamentar. Edhe më herët ai është përplasur me Elisa Spiropalin, ndërsa nuk kanë munguar as paralajmërimet për përjashtime.

Ngjarja e rëndë në Roskovec/Refit Buzi kërcënon për vetëvrasje: Më jepni 1 orë kohë

0

Forcat speciale RENEA vijojnë negociatat me Nertil Buzin alias Refit Buzi, i dyshuari për vrasjen e ish-vjehrrit dhe plagosjen e ish-vjehrrës në Roskovec, me qëllim bindjen e tij për tu dorëzuar. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se autori i dyshuar ka kërkuar kohë dhe gjatë bisedimeve ka pretenduar se konflikti me familjen e ish-partneres, të cilën i akuzon se i ka marrë paratë, e çoi drejt aktit të rëndë.

Ndërkohë, negociatorët e RENEA-s vijojnë komunikimin me të, ndërsa 35-vjeçari ka paralajmëruar se mund të kryejë vetëvrasje nëse situata përshkallëzohet. Operacioni policor vazhdon në zonën ku ai është rrethuar, ndërsa autoritetet po punojnë për ta mbyllur ngjarjen pa pasoja të tjera.

Stuhi e fortë shiu dhe breshëri në Elbasan, përmbyten rrugët e qytetit 

0

​Një stuhi intensive breshëri ka përfshirë qytetin e Elbasanit mesditën e së premtes. Reshjet e dendura kanë zgjatur për rreth 40 minuta, duke krijuar një shtresë të bardhë mbi rrugë dhe duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve.

Sipas raportimeve stuhia përfshiu fshatrat përreth, por edhe bashkinë e Librazhdit dhe Prrenjasit.

Pas përfundimit të stuhisë, pritet të bëhet një vlerësim për dëme të mundshme materiale apo pasoja në kulturat bujqësore të zonës.

Ndërkohë breshër është regjistruar edhe në Korçë.

Fjalimi i Ramës për protestat në vend: Faktet tona nuk mjaftojnë më, ka ardhur ‘Epoka e pritshmërive’

0

Kryetari i PS njëherësh kryeministri Edi Rama në takimin e zgjeruar të Grupit Parlamentar Socialist, tha se protestat e flamingove në bulevard nuk ishin një sulm ndaj arritjeve të tri mandateve të para, por tregues i pritshmërive më të larta që sot kanë qytetarët shqiptarë.

Kreu i qeverisë theksoi se mësimi i parë që kanë marrë nga protesta është që faktet nuk mjaftojnë më, dhe bulevardi i flamingove s’duhet parë si protestë, por si pasqyrë që shoqëria i vuri përpara qeverisë. 

Kam sjellë dy dokumente që mishërojnë reflektimin tim përpara pasqyrës së bulevardit të flamingove. I pari është një dokument strategjik për kthesën që duhet të garantojë mandati i katërt, i dyti është një aneks për mënyrën si PS duhet ta mbështesë kthesën e mandatit të katërt. Po e nis me një episod që mund ta keni dëgjuar, qëlloi në ditët e qershorit, që një kryetar bashkie, shok i yni, më erdhi i acaruar me një grup qytetarësh që i kishin dalë në protestë për një problem në lagje. I kam gjetur në llum tha, s’kishin rrugë, trotuare, vetëm gropa, ferra, i bëra me rrugë tha, me trotuar, u vura dhe stola, por janë mosmirënjohës. Ai jemi ne të gjithë, sepse secili prej nesh e ka menduar qoftë edhe një herë atë fjalë të keqe kur i ka ardhur shpirti në maj të hundës, në marrëdhënien e punës me popullin. Ka menduar që janë mosmirënjohës. Kjo fjalë është pikënisja e prespektivës së re që na duhet. Në përmbajtjen e saj gjendet kuptimi më i gabuar i fazës së re ku ka hyrë Shqipëria. Dua t’ua them drejt e në sy atyre që protestuan ndaj kryetarit të bashkisë, atyre që dolën në bulevard gjatë qershorit, atyre që kanë protestuar qysh pas zgjedhjeve të qershorit të kaluar, ju s’jeni mosmirënjohës por matësi i ri standardeve tona“, tha Rama. 

Kryesocialisti vuri në dukje se qytetarët sot jetojnë me pritshmëri që rriten më shpejt se sa mundësitë e qeverisë për t’u përgjigjur. Ai u shpreh se deviza e epokës së re që ka hapur bulevardi i flamingove është se “ka edhe më mirë”. 

Ju që mbushët bulevardit nuk protestuat kundër Shqipërisë që ne ndërtuam gjatë tre mandateve të para. Ata nuk dolën në bulveradin e flamingove për të sulmuar qeverinë dhe për t’u bashkuar këngës ‘Rama jepe dorëheqjen’. Ata që votuan për ne, dolën dhe u bashkuan me të tjerët, sepse forca përthithëse e protestës ishte më imponuese, se sa figura ime. Ata të administratës, dolën edhe ata, sepse Shqipëria e re nuk jeton me hijen e të vjetrës. Ata u mblodhën aq të shumtë, sepse i çoi një nevojë e thellë, e brendshme, për të përcjellë një mesazh më të fortë se sa përkatësia e partisë, apo qeverisë për të cilën mund të kenë votuar. Mësimi i parë që dua të ndaj është që faktet tona nuk mjaftojnë më. Ata sot jetojnë me pritshmëri që rriten më shpejt se sa mundësitë tona për t’u përgjigjur. Me fjalë të tjera s’mjafton më ta qeverisim të tashmen duke treguar çfarë bëmë deri këtu, por në harmoni me përvojat e përditshme të qytetarëve. Bulveardi i flamingove duhet parë jo si protestë, por si pasqyrë që shoqëria na i vuri përpara. Unë pashë mbylljen e një epoke dhe hapjen e një epoke tjetër. Deviza e kësaj epoke është ‘ka edhe më mirë’”, shtoi kryeministri.

Alizoti: Futini brenda në Kuvend protestuesit që të na gjuajnë me vezë, e kemi hak

0

Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, ka komentuar në Kuvend protestën e zhvilluar ditën e djeshme jashtë Parlamentit dhe incidentet e regjistruara mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.

Gjatë fjalës së tij, Alizoti u ndal te episodi i hedhjes së vezëve në drejtim të përfaqësuesve politikë, duke deklaruar se qytetarët kanë arsye të shprehin pakënaqësinë e tyre.

Sipas tij, sistemi politik ka zhvatur xhepat e shqiptarëve dhe këta të fundit, janë të detyruar të ngrihen në revoltë kundër pushtetarëve.

“Futini brenda të na gjuajnë me vezë të gjithëve”, u shpreh deputeti demokrat ndër të tjera.

Pjesë nga deklarata në Kuvend:

Gjykata pranon pjesërisht padinë e Shkëlzen Berishës ndaj Taulant Ballës për shpifje

0

Gjykata ka pranuar pjesërisht padinë e ngritur nga Shkëlzen Berisha ndaj Taulant Ballës për shpifje.

Çështja lidhej me deklarata publike të bëra nga Balla, për të cilat Shkëlzen Berisha pretendonte se i dëmtonin reputacionin dhe përbënin shpifje ndaj tij.

Shkëlzen Berisha kishte depozituar padi në gjykatë duke kërkuar përgjegjësi për deklaratat e bëra nga Taulant Balla, ndërsa ky i fundit ka qenë i përfshirë në disa përplasje publike politike me familjen Berisha.

Gjykata Administrative rrëzon padinë e Veliajt për prokurorin Ols Dado

0

Gjykata Administrative ka rrëzuar padinë e kryebashkiakut Erion Veliaj për çështjen e emërimit të Ols Dados si prokuror.

Po ashtu është rrëzuar kërkesa e Shoqatës Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë dhe ajo e ish-prokurorit Tomi Deda, për të qenë palë në proces. 

Gjyqtari i çështjes vlerësoi se: “Veliaj ka interes të tërthortë, jo të drejtpërdrejtë, ndërsa bashkia konstatohet që nuk ka asnjë interes“.

Në një reagim të shkurtër kryebashkiaku Veliaj është shprehur: “Vendimi dihej, por e mori vesh mileti të vërtetën“. 

Ish-prokurori Tom Dedaj pretendoi se ishte larguar nga puna për t’i hapur vend në sistemin e drejtësisë pikërisht Dados.

Reforma territoriale 2.0 e PS, ja cilat janë bashkitë që rrezikojnë shkrirjen

0

Deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit të enjten për të mos lejuar prezantimin e një raporti të hartuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca socialiste në përfundim të punës së Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.

Edhe pse komisioni funksionoi si bipartizan, PS vendosi të dërgojnë si produkt final në Kuvend raportin e hartuar nga ekspertët e tyre, ndërsa PD kundërshtoi duke kërkuar pa rezultat që Kuvendi të votonte shtyrjen e punës së këtij komisioni.

Raporti I Partisë Socialiste titullohet “Reforma Administrativo-Territoriale 2.0” dhe hedh bazat e një ndarjeje të re territoriale që synon shkrirjen e disa bashkive të vogla përmes indikatorëve matës si performanca ekonomike, funksionaliteti dhe numri i popullsisë.

Bashkëkryetari demokrat i komisionit, Luçiano Boçi, akuzoi PS-në se po vepron në mënyrë të njënashme dhe se synimi për shkrirjen e disa bashkive është projekt për shpopullimin e vendit.

“Kanë një projekt për të ulur dhe shkrirë bashkitë, për të vazhduar shpopullimin, për të mos i përfaqësuar njerëzit në pushtetin vendor. Vetëm për të realizuar një qëllim politik,” tha Boçi para mediave.

Raporti analitik i socialistëve ka ngjallur reagime dhe nga banorët e njësive vendore të vogla që rrezikojnë të shkrihen me bashkitë më të mëdha të qarkut. Në qendër të qytetit të Përrenjasit, dhjetra banorë u mblodhën të martën për të kundërshtuar atë që ata pretendojnë se është një plan i mazhorancës socialiste për shkrirjen e bashkisë së tyre me bashkinë e Librazhdit.

Qytetarët firmosën një peticion kundër shkrirjes së bashkisë së tyre, duke argumentuar se kjo do t’i largonte shërbimet nga qytetarët dhe do të zbehte identitetin institucional të zonës.

Indekset analitike në raportin e PS-së kanë ngritur shqetësime dhe për disa bashki të Jugut si  Delvina apo Konispoli, për të cilat PD beson se ka një skenar të mazhorancës për t’I bashkuar me bashkinë e Sarandës. Deputetja e PD-së së kësaj zone, Ina Zhupa, kundërshtoi këtë qasje si të dëmshme për përfaqësimin dhe zhvillimin e zonës.

Polarizimi mes bashkive

Një dekadë pas reformës administrativo-territoriale të vitit 2014, mazhoranca socialiste  argumenton harta aktuale nuk i përgjigjet më realitetit demografik dhe ekonomik të vendit.

Për të vlerësuar nevojën për një hartë të re, analiza bazohet në një metodologji të bazuar në pesë tregues: funksionalitetin e bashkive, performancën ekonomike, masën urbane dhe demografike, distancën nga qendra më e afërt administrative dhe kohezionin social e kulturor.

Raporti konstaton se problemi nuk lidhet vetëm me numrin e bashkive, por me pabarazinë e madhe mes tyre.

Tirana përqendron rreth një të katërtën e popullsisë së vendit dhe afro 40 për qind të të ardhurave vendore, ndërkohë që 47 bashki gjenerojnë secila më pak se një për qind të të ardhurave. Gati gjysma e bashkive rezultojnë nën nivelin mesatar të funksionalitetit, ndërsa shumë njësi të vogla shpenzojnë pjesën dërrmuese të buxhetit për administratë dhe paga, duke lënë pak hapësirë për investime dhe zhvillim.

PS nuk rekomandon një ulje mekanike të numrit të bashkive, por një qasje të diferencuar, ku bashkimet territoriale të aplikohen vetëm në rastet kur mbështeten nga evidenca, ndërsa për zona të tjera sugjerohen forma të bashkëpunimit ndërbashkiak, krijimi i një niveli rajonal funksional mbi 12 qarqet ekzistuese dhe një reformë e financimit vendor. Sipas raportit, harta e re duhet të miratohet brenda vitit 2026, në mënyrë që të hyjë në fuqi për zgjedhjet vendore të vitit 2027 dhe të përgatisë pushtetin vendor për përthithjen e fondeve të Bashkimit Evropian.

Raporti “Reforma Administrativo-Territoriale 2.0” nuk përmban një listë zyrtare të bashkive që do të preken nga një riorganizim territorial, por analiza e ekspertëve identifikon një grup njësish vendore që shfaqin dobësi të përsëritura në funksionalitet, ekonomi, demografi dhe financa. Pikërisht këto bashki konsiderohen si rastet ku mund të justifikohet një rikonfigurim territorial ose forma të tjera konsolidimi.

Analiza e mazhorancës shoqërohet dhe me dokumente shtesë të indekseve që tregojnë një tablo thellësisht e polarizuar dhe jo një zhvillim të shpërndarë në të gjithë territorin.

Në njërin krah është boshti Tiranë-Durrës, së bashku me bashkitë si Vora dhe Shijaku dhe pak pika bregdetare si Vlora, Himara dhe Saranda. Këto zona përqendrojnë shumicën dërrmuese të popullsisë, gjenerojnë vetë të ardhurat e tyre fiskale dhe kanë sipas raportit, një ekonomi dinamike.

Në krahun tjetër është periferia, sidomos verilindja, juglindja dhe zonat malore, të cilat vuajnë një rreth vicioz: tkurrje dhe plakje e popullsisë, ekonomi mbijetese me pak vende pune formale, dhe buxhete bashkiake që mbijetojnë vetëm nga qeveria qendrore, duke i përdorur fondet gati ekskluzivisht për të paguar rrogat e administratës vendore.

Bashkitë që rrezikojnë shkrirjen

Indeksi i Funksionalitetit të Bashkive në raportin e Partisë Socialiste nxjerr si raste më problematike bashkinë e vogël të Pustecit me tipar minoritar si dhe atë të Rrogozhinës, të cilat veçohen si bashkitë me performancën më të dobët në rang kombëtar.

Në grupin me funksionalitet të ulët renditen gjithashtu Konispoli, Këlcyra, Poliçani, Roskoveci, Hasi, Delvina, Kuçova, Maliqi dhe Fushë Arrëzi.

“Rreth 40% e bashkive të vogla dhe të mesme nuk arrijnë të financojnë plotësisht rreth gjysmën e programeve buxhetore që lidhen me funksionet e tyre ligjore,” thuhet në raport.

Këto bashki nuk ushtrojnë plotësisht disa prej funksioneve që iu transferuan gjatë reformës së vitit 2014, të tilla si administrimi i pyjeve, ujitja dhe kullimi, arsimi parashkollor dhe mbrojtja nga zjarri.

Analiza e performancës ekonomike rendit në fund të Indeksit 13 bashki, mes tyre Konispoli, Fushë Arrëzi, Delvina, Maliqi, Kuçova, Devolli, Hasi, Roskoveci, Poliçani, Këlcyra, Pusteci dhe Përrenjasi, për shkak të numrit të ulët të bizneseve, punësimit formal të kufizuar, produktivitetit të dobët dhe mungesës së diversifikimit ekonomik.

Një tjetër problem strukturor lidhet me madhësinë demografike. Bashki si Pusteci, Këlcyra, Konispoli, Delvina, Fushë Arrëzi, Hasi, Poliçani, Rrogozhina, Kolonja dhe Libohova kanë popullsi të vogël dhe nuk arrijnë të përfitojnë nga ekonomitë e shkallës, duke e bërë më të kushtueshëm ofrimin e shërbimeve publike dhe që kufizojnë kapacitetin e tyre administrativ dhe financiar.

Raporti evidenton gjithashtu se një numër bashkish shpenzojnë pothuajse të gjithë buxhetin për paga dhe shpenzime operative. Kavaja, Rrogozhina, Fushë Arrëzi, Kolonja dhe Tepelena kanë nivelin më të lartë të ‘ngurtësisë buxhetore’, mbi 90 për qind, çka i bën buxhetet e tyre “funksionalisht lista pagash”, me shumë pak hapësirë për investime dhe zhvillim.

Këto të dhëna sugjerohen në raport si një bazë teknike mbi të cilën do të vlerësohet nëse një bashki duhet të bashkohet me një tjetër, të forcojë bashkëpunimin ndërvendor apo të trajtohet me masa të tjera institucionale.

Për vendimmarrjen mbi reformën, të dhënat mbështesin një qasje të diferencuar, jo horizontale. “Për segmentin e poshtëm të renditjes, veçanërisht për njësitë nën masën kritike demografike që shfaqin dobësi në të pesë dimensionet, opsionet reale janë dy: rikonfigurim territorial përmes bashkimit me njësi fqinje më funksionale, ose ushtrim i përbashkët dhe i detyrueshëm i funksioneve përmes mekanizmave të bashkëpunimit ndërvendor, siç lejon ligji nr. 139/2015”- sugjerohet në raport.

“Ruajtja e status quo-së për raste si Pusteci apo Rrogozhina nënkupton pranimin e një standardi më të ulët shërbimesh për qytetarët e këtyre territoreve,” theksohet në raport.

Pamja e përgjithshme e bazuar në indikatorët e analizuar prodhon atë që raporti e konsideron si “një hartë ekonomike të qartë dhe politikisht të rëndësishme”. Nga 60 bashkitë e normalizuara, vetëm 10 klasifikohen me performancë të lartë ekonomike, 12 me performancë të mesme dhe 38 ose 63% e bashkive me performancë të ulët.

Mesatarja qëndron nën pragun e nivelit të mesëm, çka nënkupton se bashkia tipike shqiptare operon mbi një bazë ekonomike të dobët.

Pavarësisht nivelit të ulët që mund të shfaqen disa bashki të vogla në indikatorët financiarë, ekonomikë dhe demokrafikë të analizës së ekspertëve, ata sugjerojnë që bashkitë me përqendrim të dukshëm të pakicave kombëtare, si Dropulli, Finiqi dhe Pusteci, dhe bashkitë me profil identitar të fortë, si Hasi ose Konispoli, të vlerësohen me kujdes, duke siguruar një balancimin e detyrimit të për të mbrojtur diversitetin, identitetin kulturor dhe të drejtat e pakicave.

Në bazë të kësaj analize, mazhoranca propozon katër skenarë për riorganizimin e pushtetit vendor; ruajtjen e hartës aktuale, por me një decentralizim asimetrik, ku bashkitë me kapacitete më të larta do të merrnin më shumë kompetenca, ndërsa ato më të dobëtat do të kufizoheshin në funksionet bazë ose do t’i ushtronin ato përmes bashkëpunimit ndërbashkiak.

Skenarët e tjerë përfshijnë bashkimet e gjera territoriale për të krijuar njësi më të mëdha e më funksionale; bashkimin vetëm të bashkive me kapacitete më të kufizuara dhe skenari i fundit propozon një ristrukturim më të thellë të kompetencave, duke i përqendruar bashkitë kryesisht te funksionet bazë.

Paralelisht, sugjerohet krijimi i një niveli funksional rajonal mbi 12 qarqet ekzistuese, i cili do të administronte funksione që tejkalojnë kufijtë e një bashkie, si transporti ndërqarkor, menaxhimi i mbetjeve, mbrojtja nga përmbytjet dhe koordinimi i fondeve të Bashkimit Evropian. /BIRN

Vrau ish-vjehrrin dhe plagosi ish-vjehrrën, RENEA rrethon zonën ku dyshohet se fshihet autori i ngjarjes së rëndë

0

Forcat RENEA kanë rrethuar zonën ku dyshohet se fshihet 35-vjeçari Refit Buzi, autori i dyshuar i ngjarjes së rëndë në fshatin Vidhisht të Roskovecit.

Buzi dyshohet se vrau me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plaka, plagosi ish-vjehrrën Belere Plaka dhe më pas mori me forcë ish-bashkëshorten e tij, duke u larguar nga vendngjarja.

Policia ka nisur një operacion të gjerë për kapjen e tij, ndërsa forcat speciale RENEA janë angazhuar për lokalizimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar.

Sipas informacioneve paraprake, 35-vjeçari kishte pasur konflikte të mëparshme me familjen e ish-bashkëshortes dhe ndaj tij kishte pasur denoncime për kërcënime.

Operacioni vijon, ndërsa policia po punon për të siguruar edhe shpëtimin e ish-bashkëshortes së tij, e cila dyshohet se mbahet ende me forcë. Deri më tani nuk dihet asgjë mbi fatin e të resë, Rozalinda Plaka.