Ballina Blog Faqe 22

Tensione në protestën pranë Parlamentit, policia hedh spraj lotsjellës drejt qytetarëve 

0

Është tensionuar protesta pranë Parlamentit mes protestuesve dhe policisë. Efektivët e vendosur pranë xhamisë për të mos lejuar kalimin e protestuesve drejt parlamentit, kanë hedhur spraj lotsjellës në drejtim të qytetarëve.

Protestuesit janë përpjekur të çajnë kordonin e policisë dhe gardhin metali të vendosur pranë xhamisë, me qëllim për të shkuar para Parlamentit ku po zhvillohet seanca plenare për reformën e re territoriale.

Policia nuk ka lejuar protestuesit të përparojnë drejt Parlamentit duke përfunduar në përplasje dhe shtyrje të dhunshme mes të dyja palëve.

Sot reforma territoriale në Kuvend/ PS mbledh grupin parlamentar, merr pjesë edhe Rama

0

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh sot në orën 09:00, në sallën e seancave plenare, rreth një orë para nisjes së seancës së Kuvendit.

Në qendër të diskutimeve mësohet të jetë reforma administrativo-territoriale, për të cilën socialistët synojnë të votojnë sot draftin që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.

Për miratimin e reformës nevojiten 84 vota në Kuvend. Drafti ka hasur edhe kundërshtime brenda grupit socialist, pasi deputetët Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj kanë shprehur rezerva dhe kanë votuar kundër draftit në mbledhjen e mëparshme të grupit.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së ka marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama.

Seanca plenare është parashikuar të nisë në orën 10:00, ndërsa reforma territoriale është pika e shtatë e rendit të ditës.

Demokratët përgatiten për protestën kombëtare, ja të ‘paftuarit’ në oborrin e selisë blu

0

Në prag të protestës kombëtare kundër hartës territoriale të socialistëve që ndan vendin në 46 bashki, demokratët kanë nisur përgatitjet për tubimin e së enjtes.

Në oborrin e PD-së u shfaqën manekinët e Belinda Ballukut me veshje burgu, Ergys Agasit, Mirlinda Karçanajt dhe Erion Veliajt. Në mes tyre edhe shënjestra e protestës, kryeministri Edi Rama, të cilit demokratët i kërkojnë të japë dorëheqjen për të gjitha skandalet.

5 muaj nga protesta e fundit, demokratët rikthehen në shesh, ndërsa skenari i protestës ende mbahet sekret. Parlamenti pritet, si çdo të enjte, të jetë nën masa të rrepta, ndërkohë që pritet të jetë i njëjti perimetër i gjerë sigurie për të shmangur kontaktin e protestuesve me deputetët.

Berisha një ditë më parë bëri thirrje për një protestë pa simbole, ndërkohë që flamingot kërkojnë që të rrinë larg edhe deputetët.

Berisha: Nesër Rama ekzekuton 15 bashki për hir të karriges

0

Kreu i Partisë Demokratike, Sai Berisha theksoi se kryeministri Edi Rama do të shkrijë 15 bashki, duke iu referuar seancës plenare që do të zhvillohet ditën e nesërme, ku pritet të votohet drafti i PS për Reformën Territoriale.

Në fjalën e tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar, kryedemokrati theksoi se ai po bën gjithçka për të qëndruar në pushtet, ndërsa ftoi qytetarët nga e gjithë Shqipëria të ngrihen në protestë ditën e nesërme para Parlamentit.

“Kryefjala e sotme është seanca parlamentare e nesërme, në të cilën në mënyrën më kriminale Edi Rama ekzekuton për hir të karriges së tij 15 bashki. Dhe redukton në këtë mënyrë në 41 njësi të qeverisjes vendore, në një vend më malor sa i përket sipërfaqes së mbuluar nga malet se çdo vend tjetër në Evropë.

Kjo politikë shpopullimi, në funksion të pushtetit të tij, kryekëput funksion elektoral, pa asnjë lloj kriteri tjetër është një akt shumë i rëndë, një akt faktikisht shpalljeje armiqësie të hapur ndaj banorëve të këtyre bashkive, të cilët kanë reaguar me qytetari dhe përgjegjësi kundër këtij projekti.

Përveç kësaj, PD në projektin e saj, ka parashikuar 100 bashki dhe e ka lënë të hapur këtë projekt për shtimin në bazë të konsultimeve të bashkive të tjera. Nesër, qytetarët nga mbarë Shqipëria, pavarësisht bindjeve politike, do të bashkohen në protestë për të mbrojtur interesat qytetare. Sepse kundërshtimin për asgjësimin e bashkive e kanë dëshmuar në shumicën e rasteve, qytetarët e të gjitha bindjeve politike.

Është e rëndësishme kjo seancë, në të cilën ne duam t’u faktojmë qytetarëve se ky person i shndërruar në padrinon e vendit nuk ka asnjë interes tjetër për ta, përveç pushtetit të tij. Si të garantojë karrigen dhe mbijetesën mbi krimin monstruoz. Edi Rama po bën gjithçka të mbahet me çdo kusht në pushtet.

Në këtë rast, ftoj qytetarët nga mbarë Shqipëria të protestojnë para atij parlamenti që nuk meriton të ekzistojë, është bërë zëdhënës i interesave më kriminale të Ramës dhe organizatës së tij kriminale”, tha Berisha.

Skandali me videot intime, Prokuroria e Tiranës merr në dorë hetimet! Adi Hila prishi hard disk-un e kamerës: Mendova se ishte hakuar

0

Është hedhur shorti në Prokurorinë e Tiranës për dosjen e video skandalit të kompozitorit Adi Hila. Sipas informacioneve të bëra me dije nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, çështja do të hetohet nga prokurori Julian Xhengo.

Sipas Hoxhës, në kuadër të kësaj çështjeje janë depozituar dy kallëzime në polici. Hila ka bërë kallëzim me pretendimin se është hakeruar, ndërsa kallëzim ka bërë edhe këngëtarja Eli Fara, me pretendimin për shkelje të privatësisë.

Mbi bazën e këtyre dy kallëzimeve, çështja lidhet me disa vepra penale, konkretisht hyrjen e paautorizuar kompjuterike, sipas kallëzimit të Hilës, si dhe përgjimin e paligjshëm të të dhënave kompjuterike dhe keqpërdorimin e pajisjeve kompjuterike, sipas kallëzimit të Eli Farës.

Ditën e djeshme vetë aktorja Monika Lubonja ka bërë me dije se ka ngritur kallëzim penal ndaj Adi Hilës.

Por, sipas informacioneve të bëra publike nga Anila Hoxha, Prokuroria ka shtuar në hetim edhe një vepër tjetër penale, atë të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Kjo lidhet me një veprim të kryer gjatë hetimeve paraprake. Sipas informacionit, policia ka tentuar të këqyrë hard-diskun, por pasi e ka sekuestruar, ka konstatuar se prova ishte e dëmtuar.

Për këtë rrethanë, Hila ka deklaruar se e kishte shkatërruar vetë hard-diskun. Sipas tij, arsyeja ishte se nuk ishte i sigurt se nga vinte ndërhyrja dhe kishte frikë se mund të ndërhynin sërish dhe të merrnin të dhëna në distancë.

Tashmë, pas hedhjes së shortit, hetimi i çështjes do të ndiqet nga prokurori Julian Xhengo në Prokurorinë e Tiranës.

Kjo e fundit pas dokumentimit të çështjes, brenda pak orësh pritet t’ia lërë dosjen sërish policisë në dorë, duke i deleguar edhe detyrat përkatëse që ndihmojnë në hetimin e plotë të ngjarjes./TCH

Uljan Shpataraku jep dëshminë e tij: Nuk e njoh Agasin! Ishte në rrugë me shapka dhe mu prezantua si Berti

0

Uljan Shpataraku, një ish-drejtues i lartë i Policisë, i cili u arrestua në drejtimin e mjetit ku udhëtonte, Ergys Agasi, thotë se takimi me të kërkuarin e drejtësisë ditën e ngjarjes, në 26 gusht 2026, ka qenë tërësisht rastësor.

“Unë nuk e njoh Ergys Agasin. Po udhëtoja me automjet drejt Elbasanit dhe një person më ngriti dorën për autostop. E mora, pasi jam besimtar dhe nuk kam frikë nga njerëzit që kanë hall në rrugë”, deklaroi ai para trupës gjyqësore që po shqyrtonte arrestimin e tij për “përkrahje të autorit të krimit”.

Në versionin e tij, i cili ishte tërësisht i pabesueshëm për punonjësit e Policisë, Uljan Shpataraku, një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda, është shprehur:

“Rreth orës 01:00 të natës, për shkak se djali kishte temperaturë të lartë dhe ndodhej në Durrës, te vjehrri i tij, në zonën e Kënetës, mora bashkëshorten dhe shkuam tek familja e saj. Të nesërmen mora makinën dhe u nisa për në Elbasan. Takova dy miq dhe u nisa për t’u kthyer në Durrës”, nisi ai rrëfimin e tij, të cilin e ka përsëritur në seancën gjyqësore pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO).

Më tej, ai tregon momentin kur, sipas tij, është takuar me një person, që më pas rezultoi se ishte Ergys Agasi, i shpallur në kërkim, si i dyshuar për pjesëmarrje në grup kriminal për manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

“Po kthehesha nga rruga e vjetër e Elbasanit. Gjatë udhëtimit, një person më bëri shenjë me dorë dhe unë e mora në makinë. Ky person më tha se quhej ‘Berti’ dhe se punonte me duralumin. Në afërsi të Plepave, në Durrës, na ndaloi policia. Aty mësova se personi që kisha marrë në makinë ishte Ergys Agasi”, tha Shpataraku.

Ish-funksionari i lartë policor tha më tej se ai nuk kishte asnjë mundësi të njihte Ergys Agasin, pasi personi që hipi në makinë rastësisht, “ishte me mjekër, me kapele dhe me shapka”.

Sipas dëshmisë së siguruar nga BoldNews.al, ai është pyetur nëse merrte shpesh në automjet persona që i bënin autostop rrugës, dhe Uljan Shpataraku u përgjigj: “Po! Unë nuk kam frikë nga personat në rrugë, jam besimtar dhe mundohem të ndihmoj të tjerët”.

Sa i përket makinës, ku u arrestua së bashku me Agasin, shoferi Shpataraku deklaroi se ishte e një mikut të tij, “Tomi, mbiemrin nuk e mbaj mend”. Ai tha se mjeti i tij ishte prishur. Ndërsa, lidhur me udhëtimin në Elbasan, Shpataraku deklaroi në gjykatë: “Takova dy miq, nuk është krim të shkosh në Elbasan”.

Hetuesit rezulton se i kanë mbajtur me përpikmëri deklarimet e dhëna nga Uljan Shpataraku. Por, duket se nuk e ka besuar aspak këtë version të ngjarjes. Në dosjen e arrestimit gjenden të dhëna operative, të cilat tregonin një situatë tërësisht të ndryshme.

Dinamika, orës pas ore

Prokuroria e Posaçme dorëzoi në gjykatë raportin e vëzhgimit të Forcave Operacionale Policore, në të cilat tregohet dinamika se si nisi operacioni mëngjesin e së Mërkurës, 26 gusht 2026, deri në finalizimin e tij, pasditen e së njëjtës ditë.

Ora 08:00: Pas komunikimit me Oficerin e Policisë Gjyqësore, grupet e vëzhgimit u vendosën me shërbim në qytetin e Durrësit, pranë rrethit të Shkozetit, për konstatimin e shtetasit Ergys Agasi (person në kërkim).

Sipas informacioneve, dyshohet se ky shtetas është akomoduar në një kompleks vilash, i cili ndodhet në kryqëzimin e rrugës “Durrësi në Shekuj” dhe “Bajram Tusha”. Qëllimi i veprimeve: Lokalizimi dhe mbajtja nën vëzhgim dhe kapja e shtetasit Ergys Agasi, i cili rezulton person në kërkim nga autoritetet kompetente.

Gjatë kryerjes së veprimeve operative, zona është monitoruar nëpërmjet përdorimit të mjetit fluturues pa pilot (dron), me qëllim evidentimin dhe lokalizimin e shtetasit në kërkim.

Ora 11:39: Konstatohet duke dalë nga ambientet e katit të dytë të kompleksit të vilave një person, në dukje, i dyshuar si ErgysAgasi, i veshur me bluzë të bardhë dhe pantallona treçerekëshe ngjyrë të zeza. Ai vazhdon në drejtim të hollit në katin e parë të kompleksit dhe futet në ambientet e brendshme të kompleksit.

Ora 11:59: Gjatë monitorimit u konstatua një automjet i tipit Audi A6, me portobagazh, ngjyrë e zezë, duke hyrë në ambientet e kompleksit. Pasi hyn në portën kryesore të kompleksit, vazhdon drejt parkimit nëntokësor të kompleksit të vilave. Për shkak të xhamave të errësuar të automjetit, nuk u bë i mundur identifikimi i personave që mund të ndodheshin në bord.

Ora 12:02: Në vijim të vëzhgimit të zonës me mjetin (dron), u konstatua duke dalë nga parkimi nëntokësor i kompleksit të vilave, automjeti i tipit Audi A6, me portobagazh, ngjyrë e zezë, ku, në sediljen e përparme, në krah të drejtuesit të mjetit, u vërejt një person i veshur me bluzë të bardhë, i cili, nga të dhënat e disponuara dhe rrethanat ekonstatuara, dyshohej të ishte shtetasi Ergys Agasi (person në kërkim), i ulur pasagjer në sediljen e përparme të automjetit.

Pas komunikimit me oficerin, automjeti Audi A6, me portobagazh, u mbajt në vëzhgim dhe u ndoq për vijimin e veprimeve të mëtejshme.

Ora 12:03:Automjeti Audi A6, me portobagazh, ngjyrë e zezë, me targa AB 323 JK, i cili vazhdon itinerarin e lëvizjes pa ndërprerje nga kompleksi i vilave, në drejtim të Nishtullës, rrethrrotullimit të Shkozetit, drejtim Plepave, ku futet nëpër rrugët në afërsi të shinave të trenit, që të nxjerrin në rrugën e Plazhit, Durrës. Pasi arrin në zonën e Plepave, vazhdon drejtimin drejt autostradës, në drejtim të Kavajës, Rrogozhinës, në drejtim të Peqinit, Elbasanit.

Ora 13:35: Automjeti Audi A6, me portobagazh, me targa AB 323 JK, pasi bën rreth rrotullimin e Bradasheshit, vazhdon në drejtim të rrugës “Kadri Hoxha”, ku, në afërsi të tregut agro-ushqimor, kthehet në rrugicën djathtas. Në këtë moment ndërpritet vëzhgimi përkohësisht. Grupet e vëzhgimit u vendosën në afërsi të rreth-rrotullimit të Bradasheshit.

Ora 18:16: Konstatohet duke dalë nga rruga “Kadri Hoxha” automjeti i tipit Audi A6, me targa AB 323 JK, i cili vazhdon drejtimin e lëvizjes pa ndërprerje nga rrethi i Bradasheshit, autostradë, në drejtim të Peqinit, Rrogozhinës, Kavajës. Në afërsi të zonës së Plepave u bë i mundur ndalimi i automjetit. Aty rezultoi se ishte shtetasi Ergys Agasi (person në kërkim), i ulur në sediljen e përparme, dhe drejtues automjeti ishte shtetasi Uljan Shpataraku.

Banorët e zonës së ish-Uzinës e presin me protesta Ramën: Në burg do përfundosh

0

Kryeministri Edi Rama është pritur këtë mërkurë me protesta nga banorët e zonës së ish-Uzinës, ambient i cili tashmë është kthyer në një hapësirë të përdorur nga kompania “KAYO”. Gjatë viztës së kryeministrit, qytetarët të revoltuar kanë kanë vënë në dukje mungesa e ujit të pijshëm, një problem që, sipas tyre, vijon prej 13 vitesh.

Situata është tensionuar më tej kur qytetarët kanë nisur të thërrasin në drejtim të kryeministrit, me slogane si “Hajdut” dhe “Rama në burg”. Pas reagimit të turmës, Rama është larguar nga zona i shoqëruar nga dhjetëra efektivë të Gardës. Vizita e kryeministrit ishte prezantuar si një takim me banorët për të dëgjuar nga afër problematikat e tyre.

BE përgatitet për zgjerim/ Çfarë ndryshon për Shqipërinë

0

Komisioni Europian prezantoi këtë të martë një formulë të re zgjerimi që synon të përshpejtojë procesin, duke hequr disa nga mundësitë e bllokimit gjatë negociatave dhe duke i integruar kandidatët në politikat europiane përpara anëtarësimit të plotë. Por ka edhe një çmim për t’u paguar, anëtarët e rinj mund të mbeten nën një regjim të posaçëm kontrolli për 15 vjet pasi të futen në BE.

Shqipëria del relativisht e fituar nga skema e re. Bashkë me Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë, ajo është vendosur në grupin e katër kandidatëve më të avancuar për të cilët Komisioni do të përgatisë udhërrëfyes të anëtarësimit, me kusht që të ruhet ritmi i reformave. Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se bileta është prerë për të hyrë në klubin e vendeve të Bashkimit Europian, por është një sinjal se Brukseli po fillon të projektojë konkretisht zgjerimin e ardhshëm dhe Shqipërinë e sheh brenda grupit të parë.

Më së paku, Komisioni po e pranon indirekt se ekziston edhe problemi në anën tjetër të kufijve, se BE-ja me 27 anëtarë dhe me rregullat aktuale nuk është aq e përgatitur për një zgjerim të madh.

Kufizimi i vetos për vendet kandidate

Një prej ndryshimeve që mund të ketë ndikimin më të drejtpërdrejtë për Shqipërinë është kufizimi i vetos gjatë fazave të negociatave. Komisioni propozon përdorimin e shumicës së cilësuar për disa vendime të ndërmjetme, përfshirë faza të hapjes së negociatave, në mënyrë që një shtet i vetëm të mos jetë në gjendje të bllokojë gjithë procesin.

Përvoja në Ballkan ka treguar se ky është një problem konkret. Maqedonia e Veriut mbeti për vite e bllokuar fillimisht nga Greqia dhe më pas nga Bullgaria, ndërsa mosmarrëveshjet dypalëshe janë kthyer shpesh në instrument vetoje brenda procesit të zgjerimit.

Megjithatë, vetoja nuk zhduket në fund të rrugës. Pranimi përfundimtar i një shteti të ri do të vazhdojë të kërkojë miratimin e vendeve anëtare.

Një anëtar i ri në BE, 15 vjet në provë

Për të qenë sa më bindës me kryeqytetet europiane, Brukseli po propozon një tjetër risi: një lloj periudhe prove 15-vjeçare për anëtarët e ardhshëm.

Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos e quajti atë një “policë sigurimi” për Bashkimin Europian.

“Duhet të jemi të sigurt që, pasi të anëtarësohen, ata të mos bien më kurrë poshtë këtyre standardeve. Këtë e kemi mësuar nga përvojat e së kaluarës. Ka të bëjë me mbrojtjen tonë”, tha Kos.

Fantazma që qëndron mbi këtë reformë është ajo e Viktor Orban. Përplasjet shumëvjeçare të Brukselit me Hungarinë për shtetin e së drejtës kanë treguar se BE-ja është shumë më e fuqishme për t’i imponuar reforma një kandidati që kërkon të hyjë sesa për të disiplinuar një qeveri pasi ajo është ulur në tryezë si anëtare me të drejta të plota. Komisioni kërkon ta mbyllë këtë dilemë.

Sipas skemës së propozuar, në raste veçanërisht të rënda të shkeljes së vlerave europiane ose të parimit të “bashkëpunimit të sinqertë”, një anëtari të ri mund t’i pezullohen të drejtat e votës në Këshillin e BE-së. Mekanizmi do të mund të përdorej për 15 vjet pas anëtarësimit. Mund të ndërpriten ose kufizohen gjithashtu fondet europiane, ndërsa në fusha të caktuara masa mbrojtëse mund të qëndrojnë edhe më gjatë.

Komisioni mohon se kjo do të krijojë një BE me anëtarë të kategorisë së parë dhe të dytë.

“Ne nuk po ndryshojmë të drejtat e votës. Nuk ka absolutisht asnjë ndryshim. Vendet nuk duhet të shqetësohen, përveçse nëse diçka shkon seriozisht keq”, tha një zyrtar i lartë i Komisionit, i cituar nga Rapporteur.

Në gjuhë më të thjeshtë, mesazhi për qeveritë skeptike europiane është: pranojini vendet e reja, sepse nëse pas anëtarësimit fillojnë të shkelin standardet që u kërkuan për të hyrë, këtë herë BE-ja do të ketë instrumente më të forta për t’i ndëshkuar.

Ana tjetër e marrëveshjes është shumë më interesante për vendet kandidate.

Integrimi gradual

Shqipëria nuk do të duhet domosdoshmërisht të presë ditën kur flamuri shqiptar të vendoset mes flamujve të shteteve anëtare për të marrë një pjesë të përfitimeve të BE-së. Komisioni kërkon që kandidatët të integrohen gradualisht në tregun e përbashkët, programet kërkimore, energjinë, transportin, politikat digjitale, sigurinë dhe fusha të tjera.

“Integrimi gradual nuk është zëvendësim për anëtarësimin e plotë; ai është përshpejtuesi i zgjerimit”, ka shpjeguar komisionerja Marta Kos.

Është një ndryshim i rëndësishëm i filozofisë së zgjerimit. Deri tani modeli ishte kryesisht: reforma, negociata të gjata, anëtarësim dhe më pas përfitime. Modeli i ri synon një proces më gradual: reforma, përfitime konkrete, integrim më i thellë, reforma të tjera dhe në fund anëtarësim.

Në këtë mënyrë kufiri mes të qenit kandidat dhe anëtar mund të fillojë të zbehet përpara hyrjes formale në BE.

Por as kjo nuk është një dhuratë pa kushte. Integrimi gradual do të lidhet me përmbushjen e reformave dhe mund të jetë i kthyeshëm. Nëse një qeveri ndalon reformat ose largohet nga standardet europiane, mund të humbasë përfitimet e marra.

Industria ushtarake si kusht për afrimin me BE

Një tjetër fushë ku kandidatët do të afrohen më shpejt me BE-në është mbrojtja. Komisioni kërkon integrimin gradual në programet dhe strukturat europiane të mbrojtjes, përfshirë instrumente si SAFE dhe EDIP. Shqipëria është e avantazhuar politikisht si anëtare e NATO-s dhe është rreshtuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian.

Në themel të gjithë kësaj është lufta në Ukrainë. Zgjerimi është kthyer në instrument gjeopolitik. BE-ja nuk dëshiron që Ballkani Perëndimor, Ukraina dhe Moldavia të qëndrojnë pafundësisht në një zonë gri ku mund të konkurrojnë ndikimi europian, rus, kinez apo aktorë të tjerë.

Kjo shpjegon edhe përse shanset politike të Shqipërisë janë sot më të mira. Kontrolli mbi shtetin e së drejtës mund të bëhet edhe më i fortë. Por vullneti gjeopolitik për zgjerim është shumë më i madh dhe Komisioni po përpiqet të ndryshojë vetë mekanizmat e BE-së që zgjerimi të mos mbetet vetëm një premtim.

Ndërkohë Tirana duhet ende të mbyllë negociatat, të përmbushë kriteret, veçanërisht ato të shtetit të së drejtës, dhe në fund të marrë miratimin politik të vendeve anëtare. Asnjë prej këtyre kushteve nuk u hoq këtë të martë.

Por një pengesë e madhe po trajtohet për herë të parë seriozisht: gatishmëria e vetë Bashkimit Europian për zgjerim. /Lapsi.al

Përplasjet brenda PS/ Braçe sulmon Ramën: Udhëheqës i madh është kur e lë mendimin e lirë, jo kur dëgjon atë që do vetë!

0

Erion Braçe, deputeti socialist, i cili njihet për karakterin e tij rebel dhe të thënit të gjërave troç, ka folur këtë të martë në studion e “Takohemi n’Vizion” të moderatores Fjodora Fjora, për atë që po ndodh sot në politikën shqiptare.

Braçe, i cili ka prej vitit 1996 si politikan aktiv, duke qenë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, theksoi se politika nuk e ka penguar që të jetojë jetën normalisht.

Por ai ka dhënë edhe një mesazh për liderët, të cilët, sipas tij, bëhen udhëheqës të mëdhenj vetëm atëherë kur lejojnë mendimin e lirë.

Sipas tij, nuk mund të jesh lider apo udhëheqës i madh në momentin që pranon vetëm ato që ke dëshirë të dëgjosh.

“Nëse do që të jesh realisht udhëheqës i fortë, jepi liri të gjithë atyre që punojnë me ty, mos e prano thënien e gjërave që nuk janë reale. Nëse do të jesh udhëheqës i fortë, me përkrahje, jepi liri njerëzve, sepse ti u respekton lirinë”, tha Braçe.

Më tej, socialisti tha se shpesh lufta është më e fortë brenda llojit.

Pjesë nga biseda:

Fjora: Ke shumë vite në politikë.

Braçe: E kam filluar që në 1991. Siç dolëm nga lëvizja demokratike, pati hapa pas. Shihja se si pedagogët e mi pushoheshin nga puna, ishte komplet tjetër gjë dhe u deformua në tjetër gjë, vazhdova ato 5 vite, deri në 96-ën kur kandidova për deputet.

Fjora: Politika të ka dhënë apo të ka hequr?

Braçe: Unë i kam bërë të gjitha, lexim, sportin, edukimin, marrëdhëniet me njerëzit. Një nga të mirat më të mëdha është se njoh njerëz, të mësoj prej politikanësh atë që mund të mos e kisha bërë. Edhe gazetarinë e kam bërë, edhe karrota kam shkulur, edhe jam përplasur.

Fjora: Nuk ke qenë asnjëherë profili klasik, ke qenë gjithmonë rebel?

Braçe: Është pjesë e karakterit.

Fjora: Të ka shkaktuar probleme?

Braçe: Po, si jo. Gjërat tani ndodhin edhe në publik, kush mendon se i cenohet autoriteti nga ai që nuk mendon si ai, e dëshiron faktin që ta thotë në publik, që ja, unë ia mbyll gojën këtij, kështu s’ka ndodhur gjë që është atje matanë. Unë e kam preferuar vetë që gjërat të ndodhin publikisht. Një marrëveshje pas perdeve, edhe nëse ka një impakt pozitiv, përsëri është një gjë atje matanë që e dyshojnë, e sulmojnë, kështu që më mirë në publik. Kam vënë re dy gjëra, e kanë kuptuar edhe të tjerët që unë e dua këtë gjë në publik. Dhe nuk bëjnë më mbledhje në prezencën time, heqin ligje kur jam unë.

Fjora: Qenka më e vështirë të thuash JO brenda llojit tënd, se brenda kundërshtarit politik?

Braçe: Po, e vështirë është. Kundërshtari politik e paragjykon atë gjë, kurse brenda lloji njihet si cenim autoriteti. Unë e kam menduar gjithmonë, nëse do që të jesh realisht udhëheqës i fortë, jepi liri të gjithë atyre që punojnë me ty, mos e prano thënien e gjërave që nuk janë reale. Nëse do të jesh udhëheqës i fortë, me përkrahje, jepi liri njerëzve, sepse ti u respekton lirinë.

Doli në videot intime, Monika Lubonja thyen HESHTJEN: I fala vite të jetës sime dhe dashuri!

0

Aktorja Monika Lubonja ka reaguar sot për herë të parë në lidhje me videot skandaloze të Adi Hilës që u shpërndanë gjerësisht në rrjet, pjesë e të cilave ka qenë pjesë dhe vetë artistja në fjalë.

E prekur tej mase nga situata pasi iu shkel e drejta e privatësisë dhe dinjiteti, Monika bën thirrje për qytetarët që të mos shpërndahen më videot e saj. Po ashtu aktorja ka bërë me dije se Adi Hila do të përballet me drejtësinë për të gjithë këtë situatë të krijuar e cila prej ditësh ka qenë në qendër të vëmendjes.

“Ju drejtohem sot me dhimbjen e një gruaje së cilës i është shkelur besimi dhe privatësia por edhe me vendosmërin për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e saj. Kerkoj dhe shpresoj të ndalet baltosja ime në emër të një ‘morali kolektiv’. Dinjiteti i një njeriu ndërtohet gjatë gjithë jetës dhe nuk mund të zbëhet nga tradhtia e dikujt të cilit i fala disa vite të jetës sime.”, shkruan Lubonja.

Reagimi i saj vijon më tej duke theksuar se nuk ka qenë në dijeni se është filmuar. Ndërsa shton se i ka dhënë dashuri dhe vite Adi Hilës që sot e quan të pabesë për shkak të situatës së krijuar pasi ky kishte kamera të fshehura në dhomë,  Monika shkruan e zhgënjyer se besimi që pat u kthye si armë kundër saj.

“Nuk kam patur dijeni, nuk kam dhënë pëlqim të filmohem, të rregjistrohem apo që materiale intime të shpërndahen, të shiten ose të publikohen. Kam dashur dikë dhe kam besuar. Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhenë. Më dhemb që besimi im është kthyer në armë kundër meje.”, thekson më tej aktorja.

Më tej, Monika vijon e zhgënjyer duke kërkuar që dhimbja dhe situata e saj të mos kthehet në argëtim e as të mos gjykohet për atë që ajo ka bërë.  

“Mediave u kërkoj të respektojnë privatësinë time dhe të mos publikojnë apo të spekulojnë me publikime të materialeve intime. Opinionit publik i kërkoj të mos e ktheje dhimbjen time në argëtim dhe të mos më gjykojë për besimin që i dhashë një njeriu të pabesë.I jam drejtuar drejtësisë dhe do ta ndjek këtë rrugë deri në fund. Dinjitetin tim dhe pabesinë nuk ja fal askujt që përdori jetën time! Do e ndjek ligjërisht dhe jam e sigurt që e vërteta do flasë. Zotit i kërkoj forcë që kjo plagë të mos ma mbush zemën me urrejtje. Besoj se ai e njeh të vërtetën time dhe pres që drejtësia të bëjë punën e saj.”, përmbyll reagimin e saj Monika Lubonja.