Ballina Blog Faqe 24

Këlliçi: Prej vitesh flitet për përdorimin e “charter”-it privat të Ramës për trafik droge dhe për transport parash

0

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi se prej vitesh flitet për përdorimin e “charter”-it privat të Edi Ramës qoftë për trafik droge, qoftë për transport parash.

“Për Edi Ramën prej vitesh flitet për përdorimin e “charter”-it të tij privat qoftë për trafik droge, qoftë për transport parash dhe qoftë për indicie të tjera që çojnë në insinuata, ku ka pretendime se kryeministri ka rënë pre e audiopërgjimeve të ndryshme apo e shërbimeve të ndryshme partnere, ku ai ndan Shqipërinë si plaçkë private, si pronë private. Dhe nuk është vetëm rasti i Arubës, ku vendoset harta e Shqipërisë në tavolinë dhe ndahet prona publike e asetet publike si plaçkë për kartelet e drogës. Por, mbi të gjitha ka shumë raste të transportit të parave jashtë Shqipërisë dhe të korrupsionit të politikanëve të huaj nga ana e Edi Ramës”, tha Këlliçi në studion e “Ditarit të Pasdites” nga Pandi Gjata, në A2CNN.

“Këto përgjime i kanë të huajt, më pas mund t’i kenë autoritetet shqiptare. Partnerët e huaj kanë interceptuar komunikime të keqbërësve të ndryshëm me origjinë shqiptare, i sjellin të gatshme më pas për Prokurorinë e Posaçme. Në rastin e Arubës, Prokuroria e Posaçme ka “shkëlqyer” me mbrojtjen që i ka bërë eksponentëve të qeverisë”, shtoi Këlliçi. 

Marjana Koçeku: Protesta qytetare më bindi të largohem nga PS

0

Deputetja Marjana Koçeku ka folur për herë të parë mbi arsyet që e shtynë të largohej nga PS.

Duke folur në News 24 ai theksoi se vendimi ishte rezultat i një procesi të gjatë reflektimi, ndërsa protesta qytetare ishte shtysa përfundimtare për ta bërë publik.

“Si çdo proces tjetër, ky vendim ka marrë kohën time për ta menduar dhe për ta shtjelluar se si do ta realizoja dhe kur do të ishte momenti i duhur. Ka pasur momente të herëpashershme që më kanë shtyrë drejt këtij vendimi, por ishte protesta ajo që ma përforcoi bindjen për ta ndërmarrë këtë hap”

Protesta më motivoi shumë për këtë vendim, si diçka frymëzuese, që vjen nga brezi im, gjenerata e re që i përkas. Ka pasur një histori ngjarjesh që kanë ndodhur prej 10 muajsh që më kanë shtyrë drejt idesë që nuk i përkas këtij grupi partiak. I kam ngritur dhe si problematika.

I kam folur këto çështje dhe në mbledhje, në lokalitet, apo dhe në mbledhje qendrore. Kam folur për çështjen e Drinit, ku jam rritur. Nuk kam marrë përgjigjen që kam dashur.

Nuk është marrë vëmendja e duhur për mjedisin. Ndaj duhet të ndërgjegjësohemi. Në mbledhjet e grupit kam folur për problematika si Kadastra dhe ligji i saj. Vij nga Malësia e Shkodrës, dhe i di problemet e shqiptarëve.

Duhet të ketë qartësim ligjor, pasi ka mbivendosje ligjore në mënyrë të tillë që banorët të marrin pronat e tyre. Para se të hyja në politikë, kam pasur një biznes agroturizëm me familjen time, që u bë i njohur në mediat ndërkombëtare.

Më pas u bëra pjesë e podcastit të Ramës. Aty ia shpalosa dhe vizionin tim dhe problematikat.

Dy shtysat kryesore që kam hyrë, kanë qenë me sipërmarrjen dhe zhvillimin e zonës në atë trajektore që kisha krijuar. Kur më erdhi ky moment, pasi mundësitë ishin të limituara, pranova. Kjo më motivoi që të marr përsipër këtë angazhim publik dhe t’iu vij në ndihmë banorëve të mi”, tha ajo.

Stuhia godet jugun e Shqipërisë, makina të dëmtuara dhe ndërprerje të energjisë elektrike

0

Një stuhi e fortë përfshiu mbrëmjen e së martës qytetet në jugore të Shqipërisë duke shkaktuar dëme materiale dhe probleme në furnizimin me energji elektrike. 

Erërat e forta, të shoqëruara me vetëtima intensive, krijuan situatë të vështirë në disa zona të qytetit. Si pasojë e motit të keq, një pjesë e Sarandës mbeti pa energji elektrike.

Stuhia shkaktoi gjithashtu dëmtime në automjete, ndërsa era e fortë dëmtoi çadra, tavolina dhe struktura të jashtme të disa lokaleve dhe bareve përgjatë vijës bregdetare.

Situata ka qenë problematike edhe në Vlorë, Gjirokastër, Himarë e Ksamil, me erë të fortë, shtrëngata dhe reshje intensive.

Fatkeqësisht, siç kemi mësuar deri më tani, një punonjës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka humbur jetën gjatë ndërhyrjeve në Himarë për rikthimin e energjisë elektrike.

Gonzato drejt fundit të mandatit: Ky vend do të mbetet në zemrën time për gjithë jetën

0

Në përfundim të mandatit të tij 3 vjeçar, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, është nderuar nga kryeministri Edi Rama me Yllin e Madh të Mirënjohjes.

Pas ceremonisë, Gonzato ka ndarë në rrjetet sociale një mesazh mirënjohjeje për vedin në të cilin shërbeu dhe njerëzit me të cilët punoi dhe takoi. Mesazhin e mbyll duke shkruar “Shihemi në BE”, teksa shprehet se vendi jonë po i afrohet anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë për mua shumë më tepër sesa një treg apo një ekonomi e përbashkët. Ai ka të bëjë me njerëzit dhe vlerat që ndajmë: lirinë, barazinë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.
Këto vlera më kanë udhëhequr gjatë tri viteve të mia në Shqipëri.
Jam mirënjohës për të gjithë shqiptarët e jashtëzakonshëm që kam takuar gjatë këtij rrugëtimi.

Jam mirënjohës që kam qenë pranë tyre, ndërsa Shqipëria i afrohet gjithnjë e më shumë synimit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Kemi qenë kërkues, por të drejtë. Kemi bërë thirrje që të gjithë të jenë pjesë e këtij rrugëtimi drejt një shoqërie ku secili mund të japë kontributin e tij, ku institucionet mbrojnë të drejtat e çdo qytetari dhe ku brezi i ri ka zërin e tij në formësimin e së ardhmes së këtij vendi të bukur.

Faleminderit Kryeministër Edi Rama që më nderuat, në emër të Shqipërisë, me Yllin e Madh të Medaljes ‘Benemerenti’.

Ky vend do të mbetet në zemrën time për gjithë jetën. Shihemi në BE”, shkruan ai.

“Telefonoi vëllain dhe i kërkoj ta shpëtonte”/ Mikja e Enrikut tregon pikëpyetjet për udhëtimin në Zvërnec

0

Gazetarja e njohur e Vlorës, Afrovita Hysaj ka treguar momentet e fundit të kolegut dhe mikut Enrik Mehmeti drejt Zvërnecit, mbrëmjen e të shtunës, ku humbi jetën tragjikisht. Sipas saj, ngjarja ka ngritur disa pikëpyetje për gjetjen e Enrikut vetëm në Zvërnec dhe fakti që ai nuk kishte njoftuar askënd.

Në një lidhje direkte me RTSH, Afrovita ka treguar se edhe vëllai i tij, Fabio, nuk ishte në dijeni të udhëtimit të Enrikut me motor ATV me katër goma, drejt Zvërnecit. Madje, edhe për faktin se ai udhëtonte shpesh me vëllain dhe grupin e tij shoqëror.

Gazetarja është shprehur se Enriku ka qenë i vetëdijshëm edhe pas aksidentit, sepse ka telefonuar menjëherë të vëllanë, Fabion, dhe i ka kërkuar të nxitonte drejt Zvërnecit dhe ta shpëtonte.

“Aventurën e donte. Kjo kuptohet dhe nga udhëtimi i fundit drejt Zvërnecit me motor. Mirëpo, ka pikëpyetje, si gjetja e tij vetëm në praninë e 18 vjeçarit, pasi nuk kishte udhëtuar shpesh siç udhëtonte me grupet e tij shoqërore.

Një tjetër pikëpyetje mbetet fakti i vëllai nuk e dinte që ai do të udhëtonte drejt Zvërnecit atë mbrëmje. Ka qenë vetë Enriku që ka telefonuar në momentin e aksidentit, të vëllanë, dhe i ka kërkuar ndihmë.

I ka kërkuar të nxitonte dhe të shkonte për ta shpëtuar. E ka bërë telefonatën, ka telefonuar vëllain dhe i ka kërkuar që të ndërhynte, ta shpëtonte”, ka treguar gazetarja dhe mikja e Enrikut, Afrovita Hysaj.

Shehaj: Rama mund të jetë duke përgatitur arratisjen, por nuk ka ku shkon

0

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas deklaratës së një eurodeputeti, sipas të cilit autoritetet po ndjekin gjurmët e parave që dyshohet se janë nxjerrë për llogari të Edi Ramës jashtë Shqipërisë përmes familjarëve të tij. 

Shehaj publikoi deklaratën e eurodeputetit të grupit të Partisë Popullore Europiane (EPP), Tomáš Zdechovský, i cili shprehet: 

“Ne e dimë se ai vërtet e ka përdorur familjen e tij për të nxjerrë para jashtë vendit, dhe ne po ndjekim edhe gjurmët e parave.”

Sipas Shehajt, nëse kjo deklaratë rezulton e vërtetë, atëherë kryeministri Edi Rama po transferon pasuri jashtë vendit dhe mund të jetë duke përgatitur largimin e tij nga Shqipëria.

Ai theksoi se çdo pasuri e përfituar në mënyrë të paligjshme duhet të gjurmohet dhe se askush nuk mund t’i shpëtojë drejtësisë duke u larguar jashtë vendit.

“Nëse kjo deklaratë është e vërtetë, Edi Rama është duke përgatitur arratisjen e tij jashtë Shqipërisë dhe po merr me vete edhe paratë që iu ka vjedhur qytetarëve shqiptarë. Por kjo nuk ka për të ndodhur.

Kudo që të shkojë Edi Rama, nuk ka për t’i gëzuar kurrë paratë që iu ka vjedhur shqiptarëve, paratë që i ka vjedhur popullit më të varfër në Europë. Do të dalë para drejtësisë! Nuk ka rëndësi ku shkon, nuk ka rëndësi sa para merr me vete”, deklaroi Shehaj.

Linku i videos: https://www.facebook.com/watch/?v=1929033947754589

Ministri Gonxhe: Jennifer Lopez donte të organizonte koncert në Shqipëri, por unë e refuzova

0

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhe, ka deklaruar ditën e sotme se qeveria shqiptare ka refuzuar organizmin e një koncerti të këngëtares Jennifer Lopez në Shqipëri, për shkak të kushteve financiare të vendosura nga artistja.

Gjatë mbledhjes së Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Gonxhja u shpreh se Jennifer Lopez kërkoi një garanci prej 2 milionë eurosh në rast se koncerti do të ndikohej nga protesta, kërkesë që sipas tij, nuk është pranuar nga qeveria, për shkak të shumës së lartë.

“Kemi refuzuar Jeniffer Lopez se kërkonte 2 milionë euro garanci nëse do të ketë protesta. E kemi refuzuar se nuk ia japim dot garancinë, kjo është kosto e destabilizimit të vendit. Për ata që e duan Lopez në Tiranë, ta dinë që nuk e japim dot këtë garanci sepse na është dukur e pamundur për t’ia ofruar”, tha Gonxhe, ndërsa ka justifikuar financimin prej 4.3 milionë euro për koncertin e Kanye West, para që qeveria shqiptare i hoqi nga fondi i emergjenës.

Kjo deklaratë e Gonxhes vjen në një kohë kur Shqipëria nuk posedon as kushtet minimale për emergjencat civile, duke vërtetuar edhe njëherë se si qeveria shqiptare tallet me paratë e taksapaguesve, duke bërë marrëveshje financiare për koncerte që nuk jua zgjidhin hallet shqiptarëve.

Nuk u paraqit në seancë, gjobitet avokati i Veliajt, Plarent Ndreca

0

Seanca gjyqësore për dosjen e SPAK ndaj Erion Veliajt është zhvilluar sot në GJKKO, por mungesa e avokatit të tij, Plarent Ndreca, ka sjellë shtyrjen e procesit.

Sipas raportimeve, Ndreca nuk u paraqit në sallën e gjyqit, pasi kishte një tjetër çështje gjyqësore në Gjykatën Civile të Tiranës. Për këtë arsye, ai kishte depozituar kërkesë për shtyrjen e seancës, duke argumentuar se ishte në pamundësi objektive për të marrë pjesë.

Ndërkohë, gjykata vendosi t’i vendosë avokatit Plarent Ndreca një gjobë prej 50 mijë lekësh, duke vlerësuar se në seancën e kaluar ai nuk kishte ngritur pretendime për datën e seancës së sotme dhe se sjellja e tij është bërë shkak për shtyrjen e procesit.

Në vijim të seancës, GJKKO caktoi edhe një mbrojtës kryesisht për Erion Veliajn, duke emëruar avokaten Valentina Teodoresku.

Për Ajola Xoxën, gjykata vendosi që gjykimi të vijojë në mungesë, pasi sipas saj raporti i lëshuar nga mjeku nuk tregon pamundësi objektive për të marrë pjesë në seancë.

Seanca e radhës është caktuar më 15 shtator, ora 10:00. Po ashtu pezullohen dhe afatet e paraburgimit par Erjon Veliajn.

La një letër lamtumire në banesë, një person i jep fund jetës në Korçë duke u djegur në makinë

0

Një person është gjetur pajetë brenda mjetit të tij në lagjen nr. 10 të qytetit të Korçës.

Shtetasi është gjetur i djegur ndërsa dyshohet se ka kryer akt vetëvrasje.

Burime policore bëjnë me dije se viktimë e ngjarjes ka mbetur 66-vjeçari Irakli Çinoku.

Sipas të dhënave, mësohet se viktima jetonte momentalisht vetëm pasi ka pasur probleme në familje me bashkëshorten e tij.

Kjo e fundit ka shkuar në Greqi për të jetuar me dy fëmijët që ka çifti.

Viktima ka lënë një shënim para ndërmarrjes së aktit të rëndë duke i vënë flakën mjetit e duke u vetëflijuar.

Në shënimin e gjetur nga policia, mësohet se viktima ka shkruar “Po iki se nuk jam sjellë mirë me familjen”.

Njoftimi i policisë: 

Rreth orës 08:40, në lagjen nr. 10, Korçë, një automjet tip “Benz” është përfshirë nga flakët.

Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar se brenda automjetit, në sediljen e parë të pasagjerit, ndodhej pa shenja jete shtetasi I. Ç., rreth 66 vjeç.

Nga veprimet dhe informacionet paraprake dyshohet se shtetasi mund të jetë vetëdjegur brenda automjetit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.

“Flamingot kundër autokratëve”/ Si po e sfidon pushtetin protesta e Gjeneratës Z në Shqipëri

0

Foreign Policy

Në zonën e Zvërnecit, një komunitet në bregdetin shqiptar, Brunela Mertiri kishte kaluar gjithë jetën duke notuar dhe pushuar në plazhin e Pishe Poros. Kjo, të paktën deri në pranverën e këtij viti, kur në zonë u vendosën gardhet me tela me gjemba.

Këto barriera shënojnë vendin ku është planifikuar ndërtimi i një resorti luksoz turistik, i cili do të shtrihet në më shumë se 13 milionë metra katrorë të bregdetit shqiptar, duke përfshirë edhe zona të mbrojtura pranë Lagunës së Nartës dhe ishullit të Sazanit.

Projekti shumë i debatueshëm i resortit në Sazan mbështetet nga disa kompani të lidhura me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, dhe ka marrë mbështetjen e kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Punimet nisën në muajin prill, por më pas projekti është pezulluar pas kërkesave për një vlerësim të ndikimit në mjedis dhe hetimeve të nisura nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

“Ky është vendi im. Ata nuk meritojnë të vijnë dhe të marrin tokën tonë, detin tonë, pyllin tonë. Është i yni, nuk është i tyre. Nuk është i Kastratit, as i Kushnerit, as i Trumpit dhe as i askujt tjetër”, u shpreh Mertiri në një video të bërë virale, duke iu referuar biznesmenit shqiptar Shefqet Kastrati, një prej personave të lidhur me projektin.

Videoja e Brunela Mertirit, së bashku me pamjet e një të riu që tërhiqet zvarrë nga dy punonjës sigurie private gjatë një proteste, pasqyron zemërimin e madh që ka shkaktuar projekti te shumë shqiptarë.

Për më shumë se një muaj, dhjetëra mijëra protestues në Tiranë kanë marshuar drejt zyrës së kryeministrit Rama, duke kërkuar anulimin e projektit, dorëheqjen e tij dhe, në një kuptim më të gjerë, fundin e korrupsionit në një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian.

E quajtur “Revolucioni i Flamingove”, në nder të shpendit migrator që strehohet në Lagunën e Nartës, kjo lëvizje konsiderohet si iniciativa sociale më e rëndësishme në Shqipëri që prej rënies së regjimit komunist në vitin 1991.

Ajo është padyshim një lëvizje e brezit Z, që i ngjan protestave të tjera të udhëhequra nga të rinjtë kundër korrupsionit dhe autoritarizmit në rajon, përfshirë Hungarinë, Serbinë dhe vende të tjera.

Edhe pse fillimisht u fokusua te projekti i resortit, lëvizja është zgjeruar duke artikuluar një vizion për një Shqipëri të re, të bazuar në demokraci, transparencë dhe përgjegjshmëri.

Ajo ka mobilizuar breza të ndryshëm të shoqërisë, përtej ndarjeve politike, ka aktivizuar diasporën shqiptare dhe ka tërhequr mbështetjen e qytetarëve europianë. Por përballë saj qëndrojnë korrupsioni i rrënjosur, klientelizmi politik, krimi i organizuar dhe një histori e gjatë e neglizhimit të interesit publik.

I propozuar për herë të parë në vitin 2024, resorti do të përfshinte investime shumë miliardëshe në dy zona, rreth 1.4 miliardë dollarë për zhvillimin e ishullit të Sazanit dhe rreth 4.7 miliardë dollarë për zhvillimin e një sipërfaqeje të madhe pranë Zvërnecit.

Një plan i rrjedhur për projektin parashikon ndërtimin e 600 shtëpive rezidenciale, 520 vilave, 1400 apartamenteve, një marine me kapacitet për 350 superjahte, një fushe golfi, dyqane, restorante dhe shumë struktura të tjera turistike.

Kryeministri Edi Rama ka argumentuar se një projekt i tillë do të sjellë zhvillim të nevojshëm për zonën.

“Janë investitorë të mëdhenj. Është një mundësi historike për Shqipërinë”, tha Rama për “Financial Times” në qershor. Ai shtoi se pa emra si Jared Kushner “askush nuk do të interesohej për flamingot, për Shqipërinë apo për asgjë tjetër”.

Por shumë banorë vendas e shohin projektin si një marrëveshje korruptive që do të pasurojë vetëm disa investitorë të fuqishëm dhe turistë të luksit, në kurriz të komunitetit lokal, mjedisit dhe perspektivës së Shqipërisë për anëtarësim në BE.

Në një intervistë për një podcast në muajin maj, Ivanka Trump tregoi se si ajo dhe Jared Kushner kishin zbuluar ishullin e Sazanit, të cilin e përshkroi si një “ishull privat në mes të Mesdheut”.

“Ne notuam drejt ishullit, bëmë një shëtitje, zbathur deri në majë, dhe thjesht u mahnitëm. Qëndroi me ne që nga ai moment”, tregoi ajo.

Kjo histori e “zbulimit” të ishullit u prit me ironi në mediat shqiptare, ku u krahasua në mënyrë sarkastike me historinë e Robinson Kruzosë.

Sazani është vërtet një ishull i bukur dhe i pabanuar, që ndodhet në hyrje të Gjirit të Vlorës, aty ku takohen deti Adriatik dhe ai Jon. Por ai nuk është aspak një territor i pazbuluar dhe as një zonë e paprekur.

Ishulli ka qenë një bazë ushtarake që prej lashtësisë. Gjatë Luftës së Ftohtë, ai ka shërbyer si pikë strategjike ku u vendosën edhe nëndetëse sovjetike, ndërsa territori u mbush me bunkerë dhe tunele sekrete.

Pas mbylljes së bazës ushtarake, në vitin 2010 ishulli u përfshi në Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan. Deri në vitin 2024, shitja apo dhënia me qira për zhvillime private e territoreve brenda parqeve kombëtare të mbrojtura ishte e ndaluar me ligj.

Por më pas Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin 21/2024, një ndryshim në ligjin e vitit 2017 për zonat e mbrojtura, i cili krijoi përjashtime për zhvillime turistike të nivelit të lartë, përfshirë resortet me pesë yje.

Kërkesat e protestuesve për shfuqizimin e këtij ndryshimi ligjor janë mbështetur edhe nga anëtarë të Parlamentit Europian. Eurodeputetët kanë miratuar një rezolutë ku kërkojnë ndalimin e projektit të resortit dhe respektimin e ligjeve europiane për mbrojtjen e mjedisit.

“Nëse ata vazhdojnë përpara me këtë projekt, do të kenë një problem të madh me Bashkimin Europian gjatë negociatave”, tha Tineke Strik, eurodeputete holandeze.

Përtej pasojave mjedisore, protestuesit shprehin shqetësime edhe për mënyrën se si iu dha projektit statusi i investimit strategjik.

Ligji shqiptar për investimet strategjike, i miratuar në vitin 2015, i ngarkon shtetit detyrën për të përshpejtuar procedurat administrative për ndërtimet dhe për të ndihmuar në kostot e zhvillimit të infrastrukturës mbështetëse.

Vendimi për t’i dhënë statusin e investitorit strategjik kompanisë Atlantic Incubation Partners, e lidhur me Kushner dhe përgjegjëse për planifikimin e resortit, parashikonte që Ministria e Mbrojtjes, pra paratë e taksapaguesve, të mbulonte kostot për pastrimin e mbetjeve ushtarake në Sazan.

Ishulli nuk është një vend i lehtë për t’u kthyer në resort luksoz. Ai nuk ka sistem furnizimi me ujë të rrjedhshëm dhe as kanalizime. Territori është ende i mbushur me municione të periudhës sovjetike dhe mina të pashpërthyera.

Protestuesit kanë frikë se paratë publike mund të përdoren për të ndihmuar miliarderë ndërkombëtarë të zhvillojnë një biznes që nuk do të sjellë përfitime reale për komunitetin lokal.

Rreth 2000 turistë vizitojnë çdo ditë ishullin e Sazanit, por shumë pak shqiptarë do të mund të përballojnë një dhomë në një hotel luksoz të këtij niveli, ku çmimi mund të arrijë sa një pagë mujore. Sipas protestuesve, kjo përfaqëson një model zhvillimi ku pasuritë publike shndërrohen në përfitime private për një grup të vogël njerëzish.

Një tjetër pengesë për zhvillimin e resortit është hetimi i SPAK lidhur me pretendimet për falsifikim dokumentesh pronësie për disa toka të shitura te kompania “Sazan Real Estate Development”, zhvilluesja e projektit.

Dymbëdhjetë banorë të Zvërnecit pretendojnë se janë pronarët legjitimë të tokave që iu shitën kompanisë nga Artur Shehu, një biznesmen shqiptar me bazë në Miami. Procesi gjyqësor për këtë konflikt pronësie ende nuk ka përfunduar.

Sistemi gjyqësor shqiptar është kritikuar prej kohësh për korrupsion, ndërsa konfliktet e pronësisë janë të përhapura si pasojë e ligjeve kontradiktore për kthimin dhe kompensimin e pronave pas rënies së komunizmit.

Deri tani, Jared Kushner dhe kompanitë e lidhura me të nuk janë përfshirë në këto hetime. Megjithatë, nëse SPAK konfirmon pretendimet për falsifikim të dokumenteve të pronësisë, kjo mund të pengojë zhvillimin e mëtejshëm të resortit në zonën e Zvërnecit, ku është planifikuar pjesa më e madhe e ndërtimeve.

Shfuqizimi i Ligjit 21/2024 dhe rishikimi i ligjeve për investimet strategjike janë ndër kërkesat kryesore të “Revolucionit të Flamingove”. Sipas protestuesve, këto ndryshime do të siguronin që mbrojtja e mjedisit dhe politikat shtetërore të investimeve të përputheshin me standardet e Bashkimit Europian.

Presioni i BE-së ka ndikuar tashmë që qeveria shqiptare të pezullojë punimet për realizimin e një raporti të ndikimit në mjedis. Ndërkohë, kërkesat e protestuesve janë zgjeruar edhe drejt dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama.

Rama, nga ana e tij, ka mbrojtur mandatin e tij të katërt qeverisës, pas fitores në zgjedhjet e vitit 2025 me më shumë se 53 për qind të votave. Vëzhguesit ndërkombëtarë i konsideruan zgjedhjet kryesisht konkurruese, por evidentuan “parregullsi serioze”, përfshirë intimidimin dhe akuzat për blerje votash.

Në mungesë të një opozite të fuqishme politike, mundësia e një dorëheqjeje të qeverisë aktuale shihet si e pamundur. Megjithatë, lëvizja ka sjellë një ndryshim të dukshëm në skenën politike shqiptare.

Protestuesit tashmë thërrasin njëkohësisht kundër Ramës dhe Sali Berishës, ish-presidentit, ish-kryeministrit dhe liderit aktual të opozitës, duke kërkuar që të dy të përballen me drejtësinë. Ata akuzojnë të dyja kampet politike për krijimin e një sistemi të dominuar nga autoritarizmi dhe klientelizmi.

Pavarësisht rivalitetit të ashpër mes tyre, si Edi Rama ashtu edhe Sali Berisha kanë përdorur mekanizma të ngjashëm klientelistë për të fituar zgjedhjet dhe kanë ndjekur strategji të ngjashme për të tërhequr investitorë të huaj.

Ligji i Ramës për investimet strategjike shihet nga kritikët si një vazhdimësi e skemës së Berishës “Shqipëria 1 Euro”, e cila synonte nxitjen e investimeve të huaja përmes dhënies së pasurive publike me kosto shumë të ulët.

Në këtë mënyrë, “Revolucioni i Flamingove” po zgjerohet me shpejtësi përtej kundërshtimit ndaj projektit të resortit në Sazan dhe Zvërnec. Ai po shndërrohet në një kërkesë më të gjerë për ndryshim të mënyrës se si qeveriset vendi.

Protestat e përnatshme përgjatë bulevardit kryesor të Tiranës po marrin gjithnjë e më shumë formën e një manifestimi komunitar, duke krijuar një hapësirë ku takohen njerëz me bindje të ndryshme politike dhe breza të ndryshëm.

Aktivistë të rinj të brezit Z, ambientalistë, feministë dhe progresistë janë bashkuar me pronarë tokash të moshës së mesme dhe gjyshër, të cilët shprehin të njëjtin shqetësim për vështirësitë që kanë bërë jetën e përditshme të papërballueshme. Atyre u janë bashkuar edhe pjesëtarë të diasporës shqiptare.

Rreth 1.2 milionë shqiptarë, ose rreth 44 për qind e popullsisë aktuale, kanë emigruar që prej vitit 1990, të shtyrë nga mungesa e mundësive ekonomike dhe mungesa e një rrjeti të fortë social.

Në pankartat dhe deklaratat e tyre, protestuesit lidhin korrupsionin e përhapur me plagët e thella sociale dhe ekonomike që, sipas tyre, shteti ka lënë te qytetarët.

“Arsyeja pse nisa të protestoj ishte fakti që prona ime po më merret”, tha Luciana Kokaj, një prej zërave më aktivë të protestës. “Por sot jam në shesh për një kauzë shumë më të madhe se prona ime… për të rritur djalin tim me dinjitet në Shqipëri. Djali im ka lindur në Holandë dhe unë zgjodha ta kthej këtu për ta rritur, por dua ta rris sipas standardeve të Bashkimit Europian”, u shpreh ajo.

Nuk është ende e qartë se çfarë ndikimi do të ketë kjo lëvizje e gjerë qytetare mbi vetë projektin e resortit. Protestat me jehonë të madhe kanë tërhequr tashmë vëmendjen e Bashkimit Europian dhe, duke pasur parasysh rëndësinë që ka procesi i integrimit europian për Shqipërinë, qeveria Rama mund të vazhdojë të përballet me presion ndërkombëtar.

Vëmendja globale që ka marrë “Revolucioni i Flamingove” mund të ndikojë edhe te Jared Kushner që të tërhiqet nga marrëveshja, ashtu siç ndodhi me një projekt të ngjashëm në Serbi pas protestave dhe hetimeve.

Megjithatë, kërkesat më të gjera për ndryshimin e sistemit politik mund të jenë më të vështira për t’u realizuar. Struktura horizontale e “Revolucionit të Flamingove” është njëkohësisht forca dhe dobësia e saj.

Duke refuzuar të identifikohet me partitë kryesore politike, lëvizja ka arritur të mbledhë mbështetje nga komunitete të ndryshme dhe përtej ndarjeve partiake. Por, në të njëjtën kohë, ajo nuk ofron ende një rrugë të qartë politike përtej kërkesës për largimin e Ramës.

Sipas artikullit, protestuesit duhet të artikulojnë një vizion më konkret për politikat ekonomike dhe zhvillimin e vendit. Një model i ri duhet të mbështesë konkurrencën e ndershme, ndërsa investon në infrastrukturë dhe institucione të mirëqenies sociale.

Çdo vizion për të ardhmen politike të Shqipërisë duhet të përfshijë një strategji të qartë për çmontimin e rrjeteve klienteliste që kanë kapur institucionet shtetërore.

Po ashtu, partitë e reja politike duhet të krijojnë mekanizma të brendshëm që të shmangin përqendrimin e pushtetit te individë të vetëm, siç ka ndodhur me figurat politike të Sali Berishës dhe Edi Ramës.

Shqiptarët janë të lodhur nga politika autoritare, nga liderët që shfaqin arrogancë dhe nga ndikimi i investitorëve miliarderë të huaj mbi të ardhmen e vendit të tyre.

“Revolucioni i Flamingove” mund të jetë vetëm fillimi i një kapitulli tjetër për Shqipërinë. Një kapitull ku kërkesat kryesore janë demokracia, transparenca, përgjegjshmëria dhe një zhvillim që, sipas protestuesve, duhet t’u shërbejë qytetarëve dhe jo vetëm elitave të pasuram.