Ballina Blog Faqe 25

A u takua me Edi Ramën në Rinas? Ja si përgjigjet Berisha

0

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u pyet nga gazetarët në lidhje me spekulimet që kanë qarkulluar se është takuar me kryeministrin Edi Rama disa ditë më parë në Aeroportin e Rinasit, teksa ai po nisej për në Strasburg, ndërsa shefi i qeverisë u kthye nga Shtetet e Bashkuara.

Në prononcimin për gazetarët, pas daljes nga SPAK, ku ishte për masën “detyrim paraqitje”, kryedemokrati mohoi takimin, duke thënë se “a mund ta imagjinojë kush të takoj një njeri që nuk e takon njeri”.

“Unë po shkoja në Strasburg, kur pata takime të shkëlqyera. Ai i kthye nga Amerika ku u takua me Taulant Ballën. A mund të imagjinojë kush të takoj një njeri që nuk e takon njeri. Kurrën e kurrës. As nuk denjoj t’ia hedh shikimin”, tha Berisha.

Nard Ndoka kritika PD-së: Propozimi për 100 bashki nuk është eficent

0

Kreu i Partisë Demokristiane të Shqipërisë, Nard Ndoka shprehu kritika ndaj Partisë Demokratike gjatë tryezës së përbashkët me aleatët, teksa po diskutohej për Reformën Territoriale dhe draftet e PS-së dhe PD-së.

Në fjalën e tij, ai u shpreh se PD u duk sikur ishte në “muaj mjalti” me PS-në gjatë dëgjesave për Territorialen, duke thënë se aleatët opozitarë ishin në “terr informativ” dhe u lanë jashtë bisedimeve.

“Unë gjykoj se është një gabim themelor që në zanafillë që morëm pjesë në dy komisionet e rëndësishme që në hapat e parë, pa një konsultë paraprake me maxhorancën se cila është tendenca, do të ketë rritje apo zvogëlim të numrit. Për Reformën Zgjedhore, dëshirojnë që ta ndryshojnë sistemin apo jo, duke bërë një skemë bipolare, përjashtuese. Kjo nuk ndodhi dhe unë kam shprehur një lloj habie dhe e di si funksionojnë komisionet.

Gjithmonë ka një marrëveshje të hapur apo nënkuptohet dhe kjo krijon një lloj konfuzioni edhe në raport me qytetarët dhe me ne si parti aleate. Ju vazhduat një tur dëgjesash, ne menduam se keni një konsensus dhe nuk iu shqetësuam për faktin se PD është partia më e madhe e opozitës. Sot vërejmë, megjithëse ato dëgjesa u dukën si ‘muaj mjalti’ mes anëtarëve të maxhorancës dhe opozitës. Ne as patëm informacione si parti aleate. Nuk dinim fare as datat. Kjo është mungesë e harmonizimit e marrëdhënies politike se ne duhet të ishim prezent me përfaqësuesit tonë. Opozita duhet të kishte rol më të madh, fjalën e vet dhe kundërshtinë dhe kjo nuk ndodhi.”, tha Ndoka.

Ai u ndal edhe te propozimi i PD-së për të krijuar 100 bashki, duke e cilësuar si joeficente. Duke marrë shembullin e disa vendeve evropiane, Ndoka tha se në vend duhet që të ketë më shumë se 200 bashki.

“Unë mendoj që edhe propozimi prej 100 bashkish i PD-së nuk është eficent se është numër sërish i vogël. Nëse marrim modele të BE, Franca ka 35 mijë komuna. Italia ka rreth 8 mijë komuna, ku qeverisin edhe me 3 mijë banorë. Është më efikase kur ke njësi që zgjidhen direkt nga komuniteti sesa një bashki të stërmadhe. Unë mendoj se këtu ka një tendencë që të ketë një goditje pluralizmi që në zanafillë se partitë tona janë asgjësuar edhe nëpërmjet Kodit Zgjedhor dhe përmes Reformës Territoriale. Edhe numri 100 duhet të ishte më i madh. I kemi mundësitë që të kemi mbi 200 bashki në vend, kemi një territor dhe një histori që nuk i lidh këto bashki.”, u shpreh ai.

Kritika pati edhe për Reformën Zgjedhore, teksa tha se opozita, ia ka përsosur sistemin Edi Ramës. Sipas tij, me gabimet e opozitës, Rama po bëhet më i rrezikshëm dhe se është e vështirë të largohet me votë.

“Ia kemi përsosur sistemin Edi Ramës. E ka marrë nga ne si dhuratë dhe ai po e përsos herë pas here, herë me gabimet tona që bojkotuam zgjedhjet dhe herë që dolëm nga sistemi. Kështu që ai me këtë sistem që ka marrë prej nesh si dhuratë, ai po vazhdon e bëhet shumë i rrezikshëm dhe e shoh shumë të vështirë që të largohet nëpërmjet votës. Dhe strategjia jonë është si ta pengojmë.”, shtoi ai.

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

0

Nga Blendi Kajsiu

Dy janë qëndrimet e kryeministrit Rama përballë cdo skandali që ka njollosur qeverisjen e tij. Së pari, përgjegjësia për korrupsionin është personale dhe jo institucionale (kupto e kryeministrit). Së dyti, qeverisja e tij po e lufton anti-korrupsionin sepse lejon që SPAK të hetojë nivelet e larta të pushtetit.

Kjo llogjikë supozon një ndarje të qartë pune në luftën anti-korrupsion. Administrata e prodhon korrupsionin ndërsa SPAK e lufton atë. Ndaj detyra e kryeministrit dhe e qeverisë në luftën anti-korrupsion është thjesht ti hapë krahun drejtësisë.

Këtu qëndron keqkuptimi themelor i kryeministrit përsa i përket luftës anti-korrupsion; delegimi i saj thjesht dhe vetëm tek sistemi i drejtësisë. Është sa absurde politikisht aq edhe e pamundur praktikisht që sistemi gjyqësor në përgjithësi, dhe SPAK me nja 30 prokurorë në veçanti, të pastrojë ahuret e një administratë publike me qindëra mijëra punonjës dhe me dhjetëra mijëra kontrata abuzive.

Aq më tepër kur sistemi gjyqësor dhe SPAK e kap korrupsionin shumë vonë, kur ai është konsumuar. Janë institucione që nuk kanë as kapacitetin dhe as mundësinë për ta parandaluar korrupsionin masiv, por vetëm për të penalizuar një përqindje të vogël zyrtarësh pasi ata janë përfshirë në të.

Ndaj institucionet kryesore në luftën kundër korrupsionit, dhe sidomos në parandalimin e tij, janë pushteti ekzekutiv dhe administrata publike. Sistemi i drejtësisë dhe SPAK janë korrektuesit por jo ndaluesit kryesor të praktikave korruptive në administratë. Ata janë filtri i fundit që kap ato pak mbetje që i shpëtojnë sitës anti-korrupsion të ekzekutivit dhe administratës publike.

Për këtë qëllim ekziston një arkitekturë e tërë drejtorish, inspektoriatesh, bordesh mbikëqyerje, dhe zyrash anti-korrupsion, që punësojnë me qindra, në mos mijëra punonjës, që kanë për detyrë parandalimin dhe penalizimin e akteve korruptive në administratë. Vetëm para dy vitesh kryeministri Rama firmosi krijimin e Drejtorisë së Përgjithëshme Anti-Korrupsion (DPAK) me kordinatorë në 26 institucione që kishin për detyrë parandalimin e korrupsionit në administratë. (shiko: https://shqiptarja.com/lajm/krijohet-drejtoria-e-pergjithshme-antikorrupsion-si-do-funksionoje-dhe-hapat-per-zgjidhjen-e-drejtuesit). Kjo është sita anti-korrupsion që ka shteti.

Në krye të kësaj arkitekture institucionale anti-korrupsion është vetë kryeministri Rama, që çuditërisht që nga themelimi i SPAK-ut ka arritur në konkluzionin se detyra e qeverisë së tij kufizohet tek prodhimi i lëndës së parë (zyrtarëve të korruptuar) për sistemin e drejtësisë.

Krenaria e Ramës për suksesin e SPAK-ut në zbulimin e korrupsionit të zyrtarëve të tij të lartë mund të shpjegohet vetëm nëse ai mendon se detyra e ekzekutivit është të furnizojë SPAK-un me korrupsion të nivelit të lartë. Nëpërmjet kësaj alkimie politike kryeministri e transformon çdo skandal madhor të qeverisjes Rama në një sukses akoma më ta madh anti-korrupsion të kryeministrit Rama.

Është një llogjikë perverse që e vendos ekzekutivin dhe administratën publike në rolin e institucioneve pasive që vetëm e prodhojnë por nuk e luftojnë korrupsionin. Ndërkohë këto janë dy institucionet me më shumë burime financiare, njerëzore dhe me më shumë kapacitete për të parandaluar dhe reduktuar abuzimin në qeverisje.

Për më tepër, ato e kanë për detyrë kushtetuese dhe ligjore eleminimin dhe reduktimin e korrupsionit në të gjitha proceset administrative. Organizimi i tenderave me konkurrencë të ndershme, dhënia e lejeve pa marrë ryshfet apo para nën dorë, mos-fshehja e kriminelëve nga policia dhe SHISH, mosnxjerrja e sekretit shtetëror janë detyrime ligjore, jo thjesht politika anti-korrupsion. Pra anti-korrupsioni në administratë është thjesht zbatimi i ligjit.

Ama këtë e garanton mbi të gjitha Kryeministri dhe jo SPAK. Koka e pushtetit ekzekutiv dhe e administratës është kryeministri dhe jo SPAK-u. Është detyra e kokës të garantojë që gjymtyrët apo bishtat zbatojnë ligjin dhe nuk janë të zhytur në korrupsion. Përndryshe i bie që peshku qelbet nga bishti.

Prandaj skandalet madhore korruptive në administratën Rama janë përgjegjësi direkte e tij. Ato tregojnë se aty ligji përdoret si letër higjenike. Se nuk funksionon as etika dhe as arkitektura institucionale që garanton zbatimin e ligjit dhe për pasojë parandalimin e korrupsionit.

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet.

Ama kjo është përgjegjësi e Kryeministrit dhe jo e SPAK-ut. Korruptimin dhe injorimin masiv të ligjit në administratën tonë nuk e zgjidh dot SPAK. Ai është një institucion thjesht korrektues dhe penalizues, por jo qeverisës apo shtet-formues.

Ndaj në konferencat e tij për shtyp është e nevojëshme që kryeministri të sqarojë qytetarët se si dhe pse dështuan institucionet e administratës publike për të parandaluar këtë lum skandalesh korruptive. Si është e mundur që asnjë institucion shtetëror apo qeveritar nuk e dinte se Gysi kontrollonte kreun e policisë, të SHISH dhe të AKSHI-it?

Kryeministri të paktën duhet të na thotë masat që ka marrë që skandale të tilla mos të përsëriten më, sepse nuk kemi dëgjuar asgjë të tillë. Përndryshe refreni “korrupsionin e prodhojmë ne por e lufton SPAK-u” do shërbejë thjesht për justifikuar transformimin qeverisjes dhe Administratës Publike në punishte të korrupsionit të nivelit të lartë.  /Lapsi.al

Videot intime në rrjetet sociale, reagon këngëtarja Eli Fara: Turpi i përket atyre që filmuan

0

Pas publikimit të videove të saj intime në rrjetet sociale dhe bujës së madhe që u bë në gjithë opinionin publik, ka reaguar këngëtarja Eli Fara.

Në qëndrimin e saj ajo shprehet se nuk ndihet e turpëruar dhe ashtu duhet të ndihen ata që shpërndanë dhe publikuan ato pamje.

“Po përjetoj një dhimbje që nuk ia uroj asnjë gruaje: cenimin e privatësisë dhe përballjen me gjykime e fyerje që prekin edhe familjen time”, shkruan ajo.

Artistja ngre shqetësimin për mënyrën sesi gratë përballen me gjykimet e shoqërisë, duke theksuar se shpesh u kërkohet të mbajnë mbi supe edhe turpin e veprimeve që kryhen kundër tyre.

“U cenojnë privatësinë dhe pastaj u kërkojnë të japin llogari. I lëndojnë dhe pastaj i gjykojnë për mënyrën si e përballojnë dhimbjen. Asnjë grua nuk duhet të kalojë nëpër këtë poshtërim”, shprehet ajo.

Në vijim, ajo thotë se këtë çështje do t’ia lërë drejtësisë dhe i bën thirrje publikut për “njerëzillëk” dhe ndalim të shpërndarjes së materialeve që mund të thellojnë dhimbjen e një personi dhe familjes së tij.

“Përpara çdo gjykimi, mendoni për njeriun dhe familjen që po lëndoni”, shkruan ajo.

Në fund të reagimit, artistja falënderon familjen, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur publikisht apo privatisht, duke theksuar se dashuria dhe mirëkuptimi i tyre i japin forcë për të vijuar përpara “me dinjitet dhe me kokën lart”.

Ekskursioni që ndezi xhelozinë/ Si e shtyri drejt vetëvrasjes Eraldo Fizi-Xhuana Nikollajn, zbardhet DOSJA

0

Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore për vdekjen e Xhuana Nikollajt, e cila më 10 mars 2026 konsumoi fostoksinë dhe ndërroi jetë në QSUT.

Për ngjarjen, ish-partneri i saj, Eraldo Fizi, po hetohet për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, ndërsa gjykata ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”.

Sipas dëshmive të administruara në dosjen e siguruar nga Boldnews.al, konflikti mes Xhuanës dhe Eraldos nisi pas një ekskursioni të organizuar nga shkolla ku ajo punonte, më 7 dhe 8 mars, në Berat.

Shoqja e saj e dhomës, Aurela Hasanaj, ka deklaruar se gjatë ekskursionit Xhuana dyshonte se Eraldo e kishte ndjekur nga pas. Në hotel, sipas Aurelës, Xhuana i kishte treguar se partneri po i shkruante dhe e kishte pyetur nëse po e provokonte apo e kishte ndjekur vërtet.

Më 9 mars, Eraldo e kontaktoi Aurelën dhe i kërkoi të takohej me të dhe Xhuanën për të sqaruar situatën lidhur me ekskursionin. Takimi u zhvillua rreth orës 20:30 pranë banesës ku jetonin me qira Xhuana dhe Aurela. Pas bisedës, Aurela u largua dhe Xhuana qëndroi me Eraldon.

Rreth orës 03:10 të 10 marsit, Eraldo telefonoi Aurelën dhe i kërkoi të hapte derën e godinës, pasi Xhuana nuk kishte çelës. Sipas dëshmisë së saj, ai i tha: “Kujdesu për të”.

Kur Xhuana hyri në banesë, Aurela deklaron se i vuri re shenja në fytyrë, rreth syve dhe në duar. Xhuana nuk i tregoi çfarë kishte ndodhur dhe i kërkoi të mos shqetësonte askënd.

Në orët e para të mëngjesit, Xhuana kontaktoi motrën e saj, Klodina Nikollaj. Sipas dëshmisë së kësaj të fundit, rreth orës 03:30 ajo i shkroi në WhatsApp dhe i tregoi se ishte marrë nga Eraldo Fizi me makinë dhe ishte çuar në Rana e Hedhun, në Shëngjin, ku ishte dhunuar.

Në mesazhet drejtuar motrës, Xhuana shkruante se nuk kishte bërë asgjë të gabuar dhe se ishte goditur “me grushta e shpulla”. Ajo i shkruante gjithashtu: “Kam duru boll, smunem ma”. Më pas i dërgoi Klodinës një fotografi ku, sipas dëshmisë, dukeshin shenja dhune në fytyrën e saj.

Pak më vonë, Xhuana i kërkoi motrës që të kujdesej për babanë, ndërsa Klodina deklaron se e kishte këshilluar të denonconte ngjarjen në polici. Sipas saj, Xhuana kishte frikë për të atin dhe shqetësohej se Eraldo mund t’i bënte diçka.

Në orët e mëngjesit, të 10 marsit situata u përkeqësua. Sipas dëshmisë së familjarëve, Xhuana nuk iu përgjigjej më telefonatave. Rreth orës 09:07 ajo njoftoi se kishte konsumuar fostoksinë. Policia u njoftua dhe ajo u dërgua në QSUT, por pavarësisht ndihmës mjekësore, ndërroi jetë.

Në dosje është administruar edhe dëshmia e motrës tjetër, Silvana Kaleshi. Ajo ka deklaruar se Xhuana dhe Eraldo ishin ndarë në vitin 2025 dhe se pas ndarjes Xhuana ishte zhvendosur në Tiranë, ku kishte nisur një jetë dhe punë të re. Sipas Silvanës, gjatë kësaj periudhe Eraldo e kontaktonte vazhdimisht dhe i dërgonte mesazhe e video, duke i thënë se do të vetëflijohej nëse ajo nuk kthehej me të.

Dëshmitë e familjarëve dhe shoqes janë pjesë e provave të administruara nga prokuroria, së bashku me pamjet filmike, komunikimet telefonike dhe materiale të tjera të sekuestruara gjatë hetimit. Sipas dosjes, pamjet e kamerave të sigurisë përputhen me oraret e dhëna nga Aurela Hasanaj për lëvizjet e natës së 9 marsit.

Gjykata ka vlerësuar se provat e administruara në këtë fazë krijojnë dyshim të arsyeshëm për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” dhe ka lënë Eraldo Fizin në masën e sigurisë “arrest në burg”. Hetimi vijon për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes.

SPAK lëviz për “industrinë e armëve” të Ramës/ Kontrolle te Yeffet, Puca, Veliu dhe Ministria e Mbrojtjes

0

Prokuroria e Posaçme ka ndërhyrë këtë të premte në një prej projekteve më të promovuara nga Edi Rama gjatë dy viteve të fundit: ringritjen e industrisë ushtarake shqiptare përmes kompanisë shtetërore KAYO dhe partneriteteve të saj me privatët, aty ku del gjithnjë miku i tij Ron Yeffet. 

Kontrollet e Byrosë Kombëtare të Hetimit nuk kursyen as banesën e biznesmenit izraelito-amerikan Ron Yeffet, bashkë me ambiente të lidhura me Arjeta Pucën dhe Ardi Veliun, si edhe në Ministrinë e Mbrojtjes duke marrë shkas nga përgjimi që publikoi ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj në intervistën me Çim Pekën në Syri Tv.

Denoncimet e Ahmetajt bëhen për të disatën herë shkak për lëvizjen e SPAK, megjithëse është ende herët për të thënë deri ku do të shkojë kjo dosje.

Sipas raportimeve të deritanishme, janë sekuestruar dokumente, kontrata dhe pajisje elektronike që kanë të bëjnë me projektet e ushtrisë, ndërsa Ardi Veliut raportohet se i është marrë edhe telefoni. SPAK nuk ka bërë ende publike objektin e plotë të procedimit dhe as përgjegjësi penale individuale.

Audio-përgjimi që publikoi Arben Ahmetaj

Audio-regjistrimet që Arben Ahmetaj publikoi më 7 shtator në “Çim Peka Live” kishin të bënin me një bisedë mes Ron Yeffet me disa biznesmenë ukrainas të interesuar për tregtinë e armëve. Ahmetaj tha se kishte në dispozicion rreth tre orë biseda të Yeffet me ukrainasit dhe se ato tregonin një skemë shumë më të gjerë se sa prodhimi shqiptar i armëve.

Në materialet e publikuara flitej për prodhim municionesh në Afrikë, sjelljen e tyre në Shqipëri, paketimin këtu dhe më pas tregtimin në tregje të tjera. Një nga momentet më të rëndësishëm të bisedës ishte dallimi mes faktit se ukrainasit kërkonin që gjithçka të tenderohej rregullisht, ndërsa miku izraelit i Ramës pretendonte se mund të bënte çfarë të donte në Shqipëri, në shpërfillje të ligjit.

Në një tjetër segment të regjistrimit, Yeffet e bën të qartë se kompanitë amerikane duheshin përdorur për fasadë në tregtinë e armëve. Fjalia e atribuar Yeffet ishte veçanërisht domethënëse: “Kompania do të jetë amerikane që t’i mbyllim gojën edhe ambasadës amerikane”.

Që në janar të këtij viti ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka hedhur dyshime të rënda ndaj Edi Ramës lidhur me rolin e mikut të tij hebre, biznesmenit kontrovers, Ron Yeffet, në kompaninë shtetërore të armëve KAYO, duke e cilësuar atë si një instrument të ndërtuar për të transferuar prona publike të Forcave të Armatosura në duar private.

Atëherë Ahmetaj deklaroi se kompania KAYO është krijuar nga qeveria jo për interesa strategjike të mbrojtjes, por për t’i hapur rrugë përfitimit privat, duke treguar edhe VKM-të që janë prodhuar për të arritur këtë synim. Sipas tij, pas krijimit të kompanisë shtetërore, janë marrë vendime ekstraligjore për të futur si aksioner biznesmenin izraelit Ron Yeffet, i cilësuar prej Ahmetajt si mik i afërt personal i kryeministrit Rama. 

“Çfarë roli ka Yeffet në biznes, veç miqësisë me kryeministrin?-pyeti Ahmetaj në janar”.

“Industria” e armëve që çon para tek xhepat e kompanive private

Dalëngadalë dolën faktet që lidheshin me një kompani të prodhimit të makinave të themeluar nga një vajzë shqiptare, e quajtur Arjeta Puca, e ardhur nga emigrimi në Turqi. Ajo është promovuar nga vetë kryeministri Rama, madje ka rrëfyer në podkastin e tij historinë e suksesit, që nisi nga dyqani ku i ati punonte si hidraulik.

Rama doli publikisht pranë projektit, ndërsa qeveria miratoi një varg vendimesh që i hapën KAYO-s rrugën drejt prodhimit të mjeteve ushtarake, municioneve dhe dronëve. Madje projekti i industrisë së mbrojtjes është shtrirë edhe te bashkëpunimi me Fincantieri për industrinë detare në Pashaliman. Prandaj kontrollet e 2 tetorit shkojnë përtej Ron Yeffet, Arjeta Pucës apo Ardi Veliut, por vetë projektin e rritjes së financimeve në ushtri që Rama e ka konsideruar si një histori suksesi.

KAYO u krijua me ligjin nr.88/2024 si instrumenti shtetëror për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake. Qeveria i ka transferuar prona shtetërore dhe i ka dhënë të drejtën të krijojë shoqëri të përbashkëta me privatët. Në nëntor 2025, një tjetër vendim i qeverisë autorizoi që strukturat e sigurisë të furnizoheshin me produkte të KAYO-s ose kompanive të krijuara prej saj.

Rama e ka sponsorizuar personalisht këtë projekt. Më 31 korrik 2026, kur Forcat e Armatosura morën 40 mjetet e para taktike nga Timak Defence, Kryeministria e shpalli ngjarjen një “ditë historike” për industrinë ushtarake shqiptare. Timak Defence është pikërisht një nga shoqëritë e krijuara sipas formulës së KAYO-s: Timak zotëron 80 për qind dhe kompania shtetërore vetëm 20 për qind.

E njëjta formulë shfaqet te Advanced Arms Technology, e krijuar për armë të kalibrave të vegjël e të mesëm dhe dronë ushtarakë. Aty UNO18 zotëron 80 për qind dhe KAYO 20 për qind. UNO18 u themelua nga Ron Yeffet, ndërsa të dhënat e fundit tregtare e paraqesin atë të ndarë 50 me 50 mes Yeffet dhe Arjeta Pucës. Objekti i kompanisë përfshin prodhimin, montimin dhe tregtimin e armëve, dronëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake, edhe për eksport.

Kush është Ron Yeffet

Ron Yeffet erdhi në Shqipëri si një biznesmen me një të kaluar problematike me qeveri dhe udhëheqës politikë në Afrikë dhe SHBA. Në Senegal, kompanitë e lidhura me të morën kontrata publike gjatë presidencës së Macky Sall; por pas ndryshimit të pushtetit, disa marrëveshje pronësore u rishikuan dhe Develop Sénégal Company është raportuar mes kompanive të përfshira në hetime financiare. Deri tani nuk rezulton se ndaj Yeffet është ngritur akuzë penale në Senegal.

Në SHBA historia është po aq problematike. Në Florida, biznesmeni Mark Faist e ka paditur Yeffet duke pretenduar se i transferoi mbi 8.6 milionë dollarë për investime që nuk u realizuan sipas marrëveshjes. Yeffet i ka kundërshtuar pretendimet dhe ka ngritur kundërpadi.

Në Nju Jork ekziston gjithashtu dokumentacion gjyqësor që tregon se Signature Bank paditi në vitin 2013 Yeffet dhe një kompani të tij për një hua të pashlyer.

Kjo e bën edhe më të rëndësishme pyetjen se mbi çfarë verifikimesh qeveria shqiptare lejoi që një biznesmen me këtë histori publike të hynte në zemër të sistemit të ri të furnizimit ushtarak.

Spekulimet janë të shumta se kush fshihet pas Ron Yeffet dhe përse një biznesmen izraelito-amerikan ka fituar një rol kaq të madh në industrinë ushtarake në vendin tonë. Pas kontrolleve të BKH-së, mbetet për t’u parë se çfarë fshihet edhe në kontratat, kompjuterët dhe telefonat që SPAK po sekuestron në një projekt që Edi Rama e promovoi publikisht si një nga sukseset strategjike të qeverisë së tij./Lapsi.al

“Territorialja”, Berisha mbledh aleatët politikë: Reforma e Ramës është për qëllime elektorale

0

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me aleatët e tij politikë, ndërsa në fokus ishte reforma territoriale.

Kryedemokrati tha se opozita është angazhuar në këtë proces pas kërkesave të qytetarëve dhe në kuadër të rekomandimeve të Komisionit Evropian.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama, i cili sipas tij, po synon të përqendrojë më tej pushtetin vendor.

Sipas Berishës, mazhoranca ka propozuar një hartë me 46 bashki, ndërsa PD-ja ka paraqitur në Kuvend një draft me 100 bashki, draft të cilin siç tha ai nuk e mbështet Partia Socialiste.

Berisha theksoi se disa bashki kanë kundërshtuar ndryshimet dhe se në disa raste edhe këshilltarë socialistë nuk kanë pranuar të votojnë për shkrirjen e tyre.

Berisha theksoi se për këtë çështje vendosi të konsultohet me aleatët politikë, me qëllim ndërmarrjen e për hapave të mëtejshëm.

Sipas tij, drafti i propozuar nga Partia Socialiste është draft elektoral dhe nuk përfaqëson interesin e qytetarëve.

“Ky takim lidhet me reformën territoriale. Ne u angazhuam në proces jo se nuk ishim të sigurt që Edi Rama nuk do angazhohej në një reformë të vërtetë, por ua themi këtu, dy qenë shkaqet për të cilat ne u angazhuam. Së pari, ka pasur shumë kërkesa nga qytetarët që ne të mos braktisim këtë reformë dhe t’u lëmë socialistëve duar të lira. Së dyti, reforma territoriale është një nga dy kërkesat e Komisionit Evropian në raportin e tetorit që kaloi, se tani po vjen raporti i ri. Nuk kishte diskutim që Edi Rama gjithçka do ndjekë dhe ato mandate të grabitura, ato 83 mandate krimi, ai do t’i shfrytëzojë për një përqendrim të mëtejshëm të pushtetit vendor në duart e tij.

Ndërprenë papritmas, siç e dini, jashtë të gjitha procedurave, sepse po vazhdonin konsultimet, dhe nuk kishin përfunduar konsultimet, megjithatë ai u tërhoq, paraqiti draftin me 46 bashki duke hequr edhe 15 të tjera, që të gjitha për qëllimet e tij elektorale. Ne paraqitëm një draft prej 100 bashkish, duke lënë të hapur dhe mundësinë e krijimit të njësive të tjera na varësi nga plotësimi i kritereve për ekzistencën e tyre.

Sigurisht Edi Rama vazhdoi me projektin e tij. Është në kundërshtim me Kushtetutën dhe kartën e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Këshillit të Evropës, të cilat kërkojnë që këto ndryshime të bëhen me konsultë dhe referendum. Por siç e dini nuk ka asnjë shans që ky të përfillë referendumin apo rekomandimet.I plagosur rëndë dhe i pashpresë, ky tani merr çdo lloj vendimi që i intereson për lëkurën e tij. Ne, për hir të opinionit, për të sqaruar opinionin mirë në këtë pikë, kemi paraqitur ligjin tonë në parlament me 100 bashki, ligj i cili pa mëdyshje refuzohet nga socialistët.

Janë një numër bashkish që janë ngritur në protesta, në disa prej tyre as këshilltarët e tij nuk kanë pranuar të votojnë për shuarjen e bashkive. Është një situatë pra në të cilën mendova të këshillohem edhe me ju për këtë çështje të rëndësishme”, theksoi ai.

Festa amerikane në Tiranë/ 130 të ftuar, kush u shfaq në pritjen e ambasadorit Wendt

0

Një mbrëmje me shumë prej emrave më të njohur të politikës, drejtësisë dhe institucioneve shqiptare u zhvillua në një hotel në zonën e ish-Bllokut, ku Ambasada Amerikane organizoi pritjen e mirëseardhjes për ambasadorin e ri të SHBA-së, Eric Wendt.

Rreth 130 persona ishin pjesë e aktivitetit, mes tyre Presidenti Bajram Begaj, ministra, deputetë, drejtues institucionesh dhe përfaqësues të komuniteteve fetare.

Në mesin e të ftuarve u shfaqën edhe përfaqësues të opozitës. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, mbërriti së bashku me deputetët Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku dhe Belind Këlliçi.

Nga mazhoranca, në ceremoni mori pjesë kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Në aktivitet u panë gjithashtu Elisa Spiropali dhe Bledi Çuçi.

Por vëmendje tërhoqi një emër që nuk ishte pjesë e kësaj liste.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk kishte marrë ftesë për pritjen. Mungesa e tij nuk ishte e papritur, pasi Berisha kishte deklaruar disa ditë më parë se nuk ishte ftuar në aktivitetin e organizuar nga Ambasada Amerikane.

Ndërkohë, në hotel vijuan të mbërrinin njëri pas tjetrit edhe anëtarë të qeverisë. I pranishëm ishte ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ndërsa më pas u shfaqën Enea Karakaçi, Blendi Gonxhe, Toni Gogu dhe Mirela Kumbaro.

Lista e të ftuarve nuk u kufizua vetëm te politika. Në pritje morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, mes tyre prokurori Altin Dumani dhe kryepolici Skender Hita.

Dumani, ish-drejtues i SPAK-ut, është një prej figurave shqiptare që ka marrë edhe dekoratë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, në një ceremoni të zhvilluar në SHBA.

Në aktivitet ishte gjithashtu Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi, duke e zgjeruar listën e të ftuarve përtej politikës dhe institucioneve shtetërore.

Pritja u zhvillua nën masa të forta sigurie, ndërsa gjatë mbrëmjes vijuan mbërritjet e personaliteteve të tjera.

Integrimi në BE, Shqipëria mbyll një tjetër kapitull më 13 tetor

0

Shqipëria është gati të mbyllë një tjetër kapitull drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Burime diplomatike nga Komisioni Evropian i pohuan gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, se është duke u diskutuar data 13 tetor, kur pritet të mbahet mbledhja e radhës ndërqeveritare mes Presidencës së BE-së dhe Shqipërisë.

“Presim të kemi një tjetër ‘super të martë’ më 13 tetor, nga ku Shqipëria do të mbyllë një tjetër kapitull. Ndërsa Mali i Zi do të jetë përballë mbylljes së tre kapitujve”, pohoi i njëjti burim.

Top Channel ka mësuar se bëhet fjalë për Kapitullin 20, i cili lidhet me Biznesin dhe Politikat Industriale.

Shqipëria deri më tani ka mbyllur përkohësisht tre kapitujt e parë të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian më 14 korrik 2026.

Ato janë: Kapitulli 25: Shkenca dhe Kërkimi, Kapitulli 26: Arsimi dhe Kultura, dhe Kapitulli 30: Marrëdhëniet e Jashtme.

Nga Brukseli, tre muaj më parë, Kryeministri Edi Rama e cilësoi mbylljen provizore të tre kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Evropian si një tjetër gur kilometrik në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Synimi i bërë publik prej kryeministrit Edi Rama është që negociatat të përfundojnë deri në vitin 2027, për të arritur anëtarësim të plotë deri në vitin 2030./Top Channel

SPAK i sekuestron telefonin Ardi Veliut, çfarë deklaronte pak javë më parë për KAYO-n

0

SPAK ka zgjeruar veprimet në kuadër të hetimit për çështjen “KAYO”, duke kontrolluar edhe banesën e administratorit të kompanisë shtetërore, Ardi Veliu. Gjatë kontrollit, sipas raportimeve, hetuesit i kanë sekuestruar edhe telefonin.

Por kontrolli i sotëm rikthen në vëmendje edhe atë që vetë administratori i KAYO-s deklaronte vetëm disa javë më parë.

Çfarë deklaroi Veliu për trafikun e armëve?

Në intervistën e 10 shtatorit, Veliu u përball me pretendimet e bëra publike nga Arben Ahmetaj për një skemë të dyshuar të trafikut të armëve, ku në diskutime përmendeshin KAYO, TIMAK Defence dhe biznesmeni Ron Yeffet.

I pyetur drejtpërdrejt për përfshirjen e kompanisë shtetërore, Veliu e mohoi kategorikisht.

“Nuk jemi përfshirë në trafik armësh. Zero”, deklaroi ai.

Administratori i KAYO-s shtoi se fabrikat që kompania kishte marrë në pronësi nuk kishin nisur aktivitetin prodhues.

“Deri më tani përfshirja e KAYO-s është zero, se fabrikat që kemi marrë dhe i kemi në pronësi, aktiviteti është zero i prodhimit”, u shpreh Veliu.

Po investimi 15 milionë euro?

Një tjetër çështje e diskutuar në atë intervistë ishte marrëdhënia me TIMAK Defence dhe investimi i deklaruar prej 15 milionë eurosh.

Veliu shpjegoi se shuma nuk do të derdhej menjëherë, por do të përdorej për rivitalizimin e ish-uzinës së traktorëve dhe se projekti ishte ende në proces.

Sipas tij, projekti i propozuar nga TIMAK po analizohej nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes.

Sot, SPAK troket në banesën e Veliut

Zhvillimet e sotme i kanë dhënë një tjetër dimension çështjes.

Në kuadër të hetimit për KAYO, SPAK dhe BKH kanë kryer një seri kontrollesh në disa ambiente. Përveç banesës së Ardi Veliut, kontrolle janë raportuar edhe në banesën e biznesmenit Ron Yeffet, në ambiente të lidhura me Arjeta Pucën dhe në Ministrinë e Mbrojtjes.

Nga këto veprime janë sekuestruar materiale dhe dokumente që pritet të verifikohen nga hetuesit. Në rastin e Veliut, raportohet se është marrë edhe telefoni celular.

Çfarë po verifikon SPAK?

Veprimet hetimore lidhen me çështjen e ngritur pas audiopërgjimeve të publikuara nga Arben Ahmetaj, në të cilat bëhen pretendime për një skemë të dyshuar të trafikimit të armëve dhe përfshihen emra personash e kompanish që operojnë në sektorin e industrisë së mbrojtjes.

Sekuestrimi i telefonit të Veliut do t’u japë hetuesve mundësinë të analizojnë materialet dhe komunikimet që mund të jenë relevante për objektin e hetimit.

Kontrollet dhe sekuestrimet janë veprime hetimore dhe, në këtë fazë, nuk përbëjnë në vetvete një konstatim fajësie për personat apo kompanitë e përfshira.